Rikthehet vrullshëm ndërtimi, rriten me 2.3 herë sipërfaqet e lejeve të dhënave në tremujorin e katërt, kryeson Tirana

26/02/2021 11:43 AM 0 komente

Sektori i ndërtimit është rikthyer vrullshëm në tremujorin e katërt të 2020-n, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si rrjedhojë e rindërtimit pas tërmetit dhe banesave të reja rezidenciale e hoteliere, kryesisht në Tiranë dhe në Durrës dhe në Vlorë, ku po investohet në hoteleri.

Sipas INSTAT, Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e katërt 2020, është 554.325 m2, nga 241.708 m2 miratuar në tremujorin e katërt 2019, duke shënuar një rritje me rreth 2,3 herë. Në tremujorin e fundit 2019, niveli i lejeve të ndërtimit kishte qenë minimal, për shkak të tërmetit të 26 nëntori, që frenoi përkohësisht këtë sektor.

Sipas INSTAT, në tremujorin e katërt 2020, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 28,9 miliardë lekë, nga 11,7 miliardë lekë miratuar në tremujorin e katërt 2019, duke shënuar një rritje me rreth 2,5 herë.

Megjithatë, me bazë vjetore, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit ka rënë, pas rekordit të 2019-s, kryesisht për shkak të situatës së krijuar me pandeminë në 6 mujorin e parë të 2020-s. INSTAT raporton se Gjatë vitit 2020, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është 1.608.211 m2, nga 2.021.749 m2 miratuar në vitin 2019, duke shënuar një rënie prej 20,5 %. Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 76,6 miliardë lekë në vitin 2020, nga 80,8 miliardë lekë miratuar gjatë vitit 2019, duke shënuar një rënie prej 5,2 %.

Në tremujorin e katërt 2020 janë miratuar gjithsej 306 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 202 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2019, duke shënuar një rritje prej 51,5 % . Gjatë vitit 2020, janë miratuar gjithsej 961 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 1.094 leje të miratuara në vitin 2019, duke shënuar një rënie prej 12,2 %.

Kryesojnë Tirana dhe Durrësi

Sipërfaqja e dhënë për lejet e ndërtimit në Tiranë u rrit me 145% në tremujorin e katërt në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.  Në kryeqytet për këtë periudhë u akordua 65% e të gjithë sipërfaqes së lejeve të dhënë në vend.

Për gjithë vitin 2020, në kryeqytet sipërfaqja totale e dhënë për leje ndërtimi arriti në 1.12 milionë metra katror, duke rënë me 23% në raport me 2019-n, kur u arrit rekordi që nga 2005.

Ndonëse në rënie, sipërfaqja e lejeve është më e larta e dekadës së fundit, me përjashtim të 2019-s. Në nivelin e lartë në 2020-n ndikoi she procesi i rindërtimit të një zone në Kombinat.

Në Durrës, sipërfaqja e dhënë në tremujorin e katërt u trefishua në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s, kur dhe ndodhi tërmeti me pasoja shkatërruese i 26 nëntorit. Qarku i Durrësit përfshin zonat më të prekura nga tërmeti (përfshirë Thumanën), por ndërkohë janë dhënë edhe leje për disa godina e hotele në qytetin bregdetar.

Qarku tjetër me rritje të ndjeshme të lejeve është Vlora, me rritje 153% me bazë vjetore në tremujorin e katërt, si rrjedhojë e interesit të lartë për të ndërtuar hotele në zonat bregdetare.

Me rritje 153% ishte sipërfaqja e dhënë për leje në Fier, ndërsa Shkodra kishte thuaje katërfishim.

Burimi: INSTAT

Burimi: INSTAT

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of