Ata që pranojnë të rikthehen për të punuar me kohë të plotë në zyrë, kërkojnë që të vendosin vetë oraret e punës, një vend pune ku të punojnë të qetë dhe askush të mos i shpërqendrojë, duan që punëdhënësi t’i paguajë shpenzimet e udhëtimit, një kod veshjeje sportive dhe që punëdhënësi duhet t’u sigurojë kujdestarë që të kujdesen për fëmijët e tyre gjatë kohës kur janë në punë.
Ndërsa numri i personave që po vaksinohen po rritet, shumë kompani po planifikojnë të rikthejnë në ambientet e tyre punonjësit. Një sondazh i ri ku u anketuan më shumë se 1.000 punonjës amerikanë arriti në përfundimin se shumica prej tyre mund të mos pranojnë lehtësisht të rikthehen në ambientet e punës.
Studimi, i kryer nga firma globale Robert Half, tregon se rreth 1 në 3 profesionistë (34%) që aktualisht punojnë nga shtëpia për shkak të pandemisë së koronavirusit do të kërkonin një punë të re nëse do t’u kërkohej të ktheheshin në zyrë me kohë të plotë.
Thuajse gjysma e të gjithë punonjësve të anketuar (49%) thanë se do të preferonin të kishin një mjedis pune hibrid, për të qenë në gjendje të ndajnë kohën e tyre në mënyrë të barabartë midis zyrës dhe një vendi tjetër, krahasuar me 26% që do të parapëlqenin të punonin plotësisht në distancë dhe 25% që do të donin të riktheheshin për të punuar me kohë të plotë në zyrë.
28% e të të anketuarve shprehën shqetësim në lidhje me mundësinë e një pune me kohë të plotë nga shtëpia, ndërsa 26% ishin të shqetësuar se të punuarit nga shtëpia ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e produktivitetit dhe 20% ishin të shqetësuar se të punuarit nga shtëpia ishte një pengesë e madhe në drejtim të avancimit në karrierë për shkak të mungesës së dukshmërisë.
Paul McDonald, drejtori i lartë ekzekutiv në Robert Half, theksoi se është e rëndësishme që punëdhënësit të qëndrojnë fleksibël dhe të përgjegjshëm ndaj nevojave të punonjësve kur planifikojnë rikthimin e tyre në zyrë. “Pavarësisht se kur do të ndodhë kjo gjë, kompanitë duhet të tregohen të matura dhe të planifikojnë në detaje rikthimin e punonjësve në ambientet e kompanisë së tyre, duke pasur prioritet shëndetin dhe sigurinë e tyre”, – tha McDonald në një deklaratë për shtyp.
Punëdhënësit që planifikojnë kthimin e punonjësve të tyre në zyrë mund të gjejnë udhëzime dhe rekomandime se si të krijojnë një mjedis pune sa më të sigurt duke vizituar faqet online të Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe Administratën e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë./ Fox Business