Në konferencën “Promovim i zhvillimit të Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor në Shqipëri”, të zhvillua sot u diskutua lidhur me Ligjin “Për shoqëritë e bashkëpunimit”. “Kooperimi e bashkëpunimi i fermerëve tanë është një mjet lehtësimi në përballimin me sfidat jo të largëta të qasjes si një ekonomi bujqësore, modernë e produktive”, tha ministri i bujqësisë, Genc Ruli.
“Kooperativa, në thelbin e saj, është një organizatë biznesi private, në pronësi dhe e kontrolluar nga njerëzit që përdorin produktet e shërbimet e saj. Edhe pse kooperativat ndryshojnë në lloj dhe madhësinë e anëtarësimit, ato janë formuar të gjitha për të përmbushur objektivat specifike të anëtarëve dhe janë të strukturuara për t’iu përshtatur nevojave të anëtareve. Kooperativat janë formuar nga individë të cilët koordinojnë mes tyre (në planin horizontal) për të arritur integrimin (në planin vertikal) në aktivitetet e tyre të biznesit. Fermerët, prodhuesit, punonjësit dhe konsumatorët kuptuan se mund të kryejnë më shumë bashkarisht se sa ata mund të arrijnë individualisht”, tha Ruli.
Sot në Bashkimin Europian ka mbi 123 milion anëtarë pronarë e të asociuar të kooperativave të të gjitha llojeve, ndërsa 160.000 kooperativa punësojnë rreth 5,5 milion njerëz (të tretë), duke përbërë një forcë ekonomike sociale e jashtëzakonshme. Ndërsa përsa i përket “kooperativave bujqësore” e të ushqimit, ka rreth 40 000 të tilla që punësojnë mbi 600 000 persona, me rreth 10 milionë anëtarë dhe me një xhiro prej rreth 260 miliardë euro. Kooperativat bujqësore në Evropë përfaqësojnë mbi 50% të ofertës për inpute bujqësore, dhe mbi 60% të ofertës së grumbullimit, përpunimit dhe marketingut të produkteve bujqësore.
Në Shqipëri është shumë e vështire e thuajse e pamundur të gjesh në të kaluarën e largët dhe të afërt të saj diçka të tillë sa me sipër. Kjo për vetë trashëgiminë dhe historinë e këtij vendi.
Sipas Rulit, “Është e vërtetë se ish-kooperativat bujqësore të sistemit të kaluar përfaqësonin një dinamikë të rëndësishme të atij sistemi ekonomik sa dhe vetë bujqësia. Këto kooperativa që të gjithë ne i njohim mirë, ishin ndërtuar a falsis principiis proficisci (sepse nuk bazoheshin tek asnjë nga principet e thëna më sipër) dhe nuk kishin asnjë element demokratik në ekzistencën e tyre. Më kryesorja nga pikëpamja sociale, ato nuk bazoheshin tek individi dhe zgjedhja e tij e lirë dhe nga pikëpamja e tij ekonomike, anëtarët e ish-kooperativave nuk posedonin asgjë veç krahut të punës të keq paguar dhe nuk zotëronin mjetet e prodhimit dhe kapitalin. Është i padiskutueshëm ndryshimi i nocionit kooperativë ndërmjet dy sistemeve aq sa i tillë është ndryshimi ndërmjet vetë sistemeve”.
Në kundërshtim me kooperativat e sistemit socialist, kooperimi që ofrohet nëpërmjet këtij ligji bazohet në principet e shenjta si:
1 financuesit e kooperativës janë ata që e zotërojnë dhe përdorin këtë të fundit;
2 ata që kontrollojnë kooperativën janë ata që përdorin kooperativën Ata zgjedhin në mënyre demokratike këshillin drejtues të kooperativës, i cili përcakton politikat e përgjithshme operative, miraton buxhetin vjetor, mbikëqyr funksionimin e saj, dhe shpërndan përfitimet që rrjedhin nga përdorimi i kooperativës për anëtarët;
3 qëllimi i vetëm i kooperativës së është që të sigurojë dhe shpërndajë përfitime për përdoruesit e saj në bazë të shkallës se përdorimit të tyre. Megjithëse synimi i kooperativës nuk është fitimi për të realizuar një kthim në investim, këto të fundit si të gjitha bizneset ju duhet të mbulojnë kostot dhe gjenerojnë kapital për mbulimin e risqeve dhe realizimin e ekspansionit të kapitalit.
Sfidat e viteve të para `90, ishin domodosmërisht ato të kthimit të individit në pronar e më pas ato të ristrukturimit total të ekonomisë së re bujqësore që po lindte. Krijimi i drejtë i më shume se 1 milion pronarëve të tokës bujqësore në një vend të vogël dhe trashëgimia e copëzuar ekonomike e sociale ndërmjet vetëm dy sistemeve si ai i feudal dhe ai socialist, do të pengonte kalimin e menjëhershëm në sistemin e ri. Megjithatë nuk kanë munguar në dekadën e fundit organizime grupesh të fermerëve apo shoqata të tyre dhe forma të ndryshme kooperimi në bujqësi në sajë të kuptimit me të mirë të leverdisë ekonomike, nevojës për përdorim të mekanikes dhe teknologjive inovative si edhe të sigurimit të vlerës së shtuar të produkteve primare dhe atyre të përpunuar si dhe “knoë-hoë” të përfituar në vite. Shumë fermerë dhe sipërmarrës të sektorit kanë kuptuar dhe marrë rezultate nga kooperimi duke garantuar si tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm dhe duke e zgjeruar këtë të fundit.
Ekzistenca e këtyre formave të kooperimit (mbi 150 të tilla) në bujqësi dhe rregullimi i tyre ligjor ka qenë i vakët , jo i duhur dhe në mospërputhje me zhvillimin e tyre ekonomik në kuadër të proceseve integruese të sektorit. Kjo solli nevojën e një ligji të ri me përfaqësues dhe rregullator të formës juridike dhe veprimtarisë ekonomike të kooperimit në bujqësi. Ligji i ri përcakton rregullat, kriteret dhe kushtet për krijimin, funksionimin. Objekt i ligjit janë fermat tona bujqësore dhe blegtorale si dhe grupimet e fermerëve, të cilët do të mund të organizohen vullnetarisht në shoqëri të bashkëpunimit bujqësor të tipit të prodhimit dhe marketingut, punës së shoqërizuar, të konsumit, të input-eve, të formimit profesional si dhe të sigurimit të produkteve e aseteve. Janë disa nga këto organizimet tashmë ekzistuese, qoftë në formën e OJF-ve apo të Shoqërive të Bashkëpunimit Reciprok apo grupe të paformalizuara që kanë shprehur vullnetin e tyre për t’u konvertuar apo regjistruar për herë të parë si SHBB sipas ligjit të ri. Mund të përmendim SHBR Ferhing 2011, OJF Hortigor, Gorican, të dyja në qarkun e Beratit kultivues të perimeve e bostanoreve në sera; OJF grupi i fermerëve të Xarrës, Sarandë kultivues agrumesh; për të kaluar në interesin e shfaqur nga grupet e paformalizuara si ai i Maqellarës të Dibrës për frutikulture e Blegtori; Pojanit të Korçës për prodhimin e mollës, disa grupe fermerësh në Cakran të Fierit për perime fushe; grupi i fermerëve në Frakull të Fierit kultivues luleshtrydhe etj.
Natyrisht, ky është edhe një hap i parë drejt krijimit të kushteve për përafrimin, në fillim të pjesshëm e më pas të plotë, të formave të organizimit të aktiviteteve bujqësore në Shqipëri me standardet e formave të organizimit të aktiviteteve bujqësore në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe për përafrimin gradual me legjislacionin e kësaj të fundit mbi shoqëritë e bashkëpunimit, përfundoi Ruli.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.