Ndonëse kanë kaluar vetëm tre muaj që Agroturizëm Gjepali mirëpret vizitorë, në fundjavë është “mision i pamundur” që të gjesh vend, në qoftë se nuk ke rezervuar më parë. Një nga dëshirat e shefit Fundim Gjepali kur projektoi Agroturizëm Gjepalin ishte rikthimi te rrënjët
Flet Fundim Gjepali, mastershef
Si ju lindi ideja për të ngritur një agroturizëm z. Gjepali?
Lindi si dëshirë për t’u rikthyer te rrënjët. Ishte diçka që më mungonte. Në 24 vite në emigracion dhe pavarësisht suksesit që njeriu arrin, kërkon të kthehet aty ku ka fillesat. Në kohën kur emigroi gjenerata ime, le të themi se ishte një shpërngulje e padëshiruar dhe e detyruar. Nëse do të kishim qenë mirë ekonomikisht në atë kohë, nuk do të shkonim në emigrim, pasi do t’i gjenim mundësitë e mira në vendin tonë. Me formimin tim profesional, me mundësitë ekonomike që m’u krijuan dhe me suksesin, mendova që një agroturizëm në vendin e lindjes do të ishte i përkryer.
Të bësh agroturizëm nuk është një restorant. Në agroturizëm duhet të përdorësh produkte të zonës. Këtu kam vetëm produkte të zonës që janë përqendruar në 10 km² në zonën e Shijakut. Nuk ka asgjë që është jashtë këtij perimetri.
Çfarë modeli agroturizmi po ndiqni?
Njerëzit me konceptin e agroturizmit ndonjëherë gabojnë. Kërkojnë lukse të tepruara. Agroturizmet janë një destinacion për të dalë nga rutina e qytetit, për të shijuar produktet e zonës dhe për të kaluar disa orë me miq që të mungojnë prej kohësh.
Fshati ta bën këtë kohë më të këndshme, të çlodh. Agroturizmi është një biznes që të bën të jetosh mirë, nëse e menaxhon ashtu siç duhet, por nuk është një biznes që të bën të pasur. Agroturizmi nuk mund të bëhet masiv.
Koncepti im për agroturizëm është të mos bëhet masiv, në të kundërt do të kemi të bëjmë me një mensë popullore dhe pa lidhje me konceptin e agroturizmit, me produkte të marra nga toka përreth e të gjitha më radhë.
Si e gjykoni këtë si model biznesi?
Tani për momentin ka një bum, pasi njerëzit po mbështeten shumë te ky model biznesi. Së pari, mendoj se ka qenë marketingu mediatik që i është bërë. Shqiptarët në përgjithësi nuk janë krijues kur zgjedhin të bëjnë biznes. Mund të dalë ndonjë fushatë ku të gjithë mbjellin shafran, me pretendimin se është fitimprurës, por pa pasur njohuri se sa i vështirë është tregu i tij, ashtu siç ndodhi kur para disa viteve fermerët “u turrën” të mbillnin të gjithë sherebelë, e cila ju mbeti stok. Mendoj se ka shumë njerëz në të gjithë Shqipërinë që po bëjnë punë të shkëlqyer për sa i përket agroturizmit, por ka edhe të tjerë që kanë bërë investime kolosale, duke rrezikuar në ekstrem ekonomitë. Ekonomitë bujqësore, apo agrobizneset, nëse nuk subvencionohen nga shteti, e kanë të pamundur që të mbijetojnë në treg.
Nëse shteti nuk të jep një subvencion, nuk ngre skema mbështetëse, apo nuk harton politika lehtësuese, do ta kemi të vështirë të flasim për një bujqësi etike. Këtu nuk e kam fjalën për bujqësinë bio, por për bujqësinë e ndërgjegjes dhe me këtë nënkuptoj që të bësh produkte që mund t’ia japësh edhe fëmijës tënd.
Pastaj të bësh gjëra që nuk kanë lidhje me agroturizmin nuk kemi çfarë t’i diskutojmë. Nëse bëhet fjalë për produkte bujqësore dhe blegtorale të modifikuara për të marrë prodhim më të madh, nuk kemi të bëjmë aspak me agroturizëm.
Të gjithë furnitorët që kam këtu, po i përzgjedh me kujdes në mënyrë që të plotësojnë standardet më të larta të cilësisë. Ne aktualisht po punojmë me fermerë që janë me të vërtetë të sinqertë, që nuk i hedhin pesticide, që e kanë ndarë mendjen që do të mbajnë familjen me bujqësi, sepse këtu fillon ndërgjegjja.
Shqipëria është ende në fazën e bujqësisë së mbijetesës, jo në një bujqësi koncepti. S’duhet të gënjemë realitetin si është, kjo ndodh edhe në botë. Me dashurinë që kam për punën, dua që te klientët e mi të mos arrijnë këto produkte. Dua t’i shikoj produktet se si rriten.
Ju keni vendosur që agroturizmin ta ngrini në fshatin e lindjes. Sa të vështirë e keni pasur që ta vini në jetë këtë projekt?
Zona e Shijakut është e vogël, ku të gjithë njohin njëri-tjetrin. Është një zonë e njohur për kulturat bujqësore, pavarësisht dembelizmit të 30 viteve tranzicion. Ka pasur shumë emigracion të cilët kanë sjellë të ardhura. Kjo i ka larguar njerëzit nga puna e vështirë e bujqësisë
Më bëri përshtypje kur një fermer më pyeti nëse mund të bëhesh i pasur duke mbjellë pras, ndërkohë që me një rrugë me hashash apo kokainë mbaroi halli. Këtë e shoh si një problem më vete, pasi fitimet “e lehta” nëpërmjet punëve të jashtëligjshme kanë dekurajuar të rinjtë që të merren me bujqësinë. Shpresojnë që zgjidhjet e jetës të arrijnë me anë të këtij modeli ekonomik që do të ketë pasoja sociale shumë të mëdha. Vij nga një zonë ku kriminaliteti është shumë i lartë. Unë bëra një zgjedhje tjetër jete, ndoqa ëndrrën time.
Njerëzit janë larguar shumë nga punimi i tokës. Në këtë zonë ka me mijëra hektarë që janë bosh, prej 20 vitesh. Shpresojmë që në të ardhmen, bujqësia të ndikojë në mirëqenie dhe në shëndetin e njerëzve. Çdo gjë është e lidhur, është turp që në fshat të vijnë domatet nga Maqedonia. Sa i përket planeve për zgjerim do të përqendrohen më shumë te pjesa e kulturave bujqësore, mbjellja e tokës me perime, e ardhmja do të jetë vegjetarianë. Nuk kam në plan që të ketë zhvillim stallash, nuk është produktive, unë dua të merrem me transformimin e ushqimeve me mirëpritjen e turistëve.
Agroturizëm Gjepali i nisi punën tre muaj më parë. Si ka qenë ecuria deri më tani?
Përllogaritet se 7-8% e të gjithë vizitorëve që kanë ardhur kanë qenë të huaj. Në total, për një muaj, numërohen 1500-2000 vizitorë. Më pëlqen turizmi bujqësor familjar, ku prindërit prezantojnë fëmijët me fshatin, me atmosferën. Unë kam menduar edhe për pjesën e bagëtisë. Një agroturizëm nuk mbahet dot nga tre lopë, pasi prodhimi i tyre nuk arrij ta plotësojë konsumin që ka. Dua të tregohem i sinqertë me konsumatorin, pasi e kam të lehtë të mbaj 100 pula në oborr, por ato 100 pula konsumohen brenda javës.
Shumë njerëz me dy dhi apo pesë kokë dele, kërkojnë të mashtrojnë. Nuk dua të jem pjesë e këtij falsiteti. Dua të bëj një ekonomi të qëndrueshme, me një njësi që do të mbajë vetveten dhe të fuqizojë zonën. Vetëm produktet që kam marrë nga zona për sa kohë kemi filluar operimin u kanë ndryshuar jetën. Fermerët do të motivohen që merren me bujqësi.
Agroturizmi është konceptuar si arratisje nga rutina e përditshme. Për sa i përket strukturës akomoduese kemi pasur kërkesa dhe duhet të them se të huajt janë më të kënaqurit. Ndërsa shqiptarët e ngatërrojnë disi modelin me një strukturë pritëse familjare.
Besoj te diçka familjare dhe mikpritëse, besoj se do të ketë shumë struktura që do të mbyllen gjatë rrugës. Koha do t’i përzgjedhë disa. Segmenti i lokaleve të fshatit është i ngopur. Aty kemi të bëjmë me informalitet, pasi janë hedhur në investim para nga droga, të cilat po prishin punën e njerëzve që punojnë me ndershmëri.
A keni marrë mbështetje AZHBR për të ndërtuar?
Kam marrë një mbështetje nga AZHBR për të realizuar idetë e mia. Plotësova kriteret, por edhe potenciali i emrit.
Sa ju ka ndihmuar qeverisja lokale?
Qeverisja lokale ka qenë e gatshme me mjetet e bashkisë për çdo lloj nevoje që kemi pasur, veçanërisht për sistemimin e rrugëve. Kuptohet, kjo ka qenë brenda mundësive të Bashkisë për të na ndihmuar, pasi nuk mund të pretendojmë që të ketë buxhete për të bërë punë të mëdha. Duhet të them se kanë qenë të gatshëm dhe mosbezdisja me anën burokratike për ne është fitore e madhe.
Zonat rurale kështu janë, të japin ndjesinë e fshatit. E mira nuk ka fund.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.