Në fund të vitit 2016, entet publike numërojnë 230 milionë euro detyrime, sipas statistikave zyrtare, nga të cilat 58 milionë euro nga vendimet e gjykatave të brendshme, 58 mln euro të tjera fatura të papaguara ndaj CEZ, 20 milionë euro fatura të papaguara ndaj punimeve në rrugë, 65 milionë euro borxhe të bashkive, etj.
Blerina Hoxha
Detyrimet e reja të akumuluara të institucioneve shtetërore ndaj njëra-tjetrës, bizneseve dhe çështjeve të humbura gjyqësore dhe pagesat ndaj punonjësve të larguar, tashmë kanë arritur vlerën e rreth 32 miliardë lekëve, ose 230 milionë eurove. Nga kjo shumë vetëm ndaj bizneseve (rimbursim TVSH-je dhe punimet e papaguara të rrugëve) janë 5.8 miliardë lekë.
Rikthimi i detyrimeve të prapambetura të qeverisë për punë dhe shërbime, është krijuar gati për të njëjtat arsye si edhe në ish-qeverinë “Berisha” dhe sipas zyrtarëve, ky borxh ka shumë gjasa të akumulohet më tej në këtë vit elektoral. Nga detyrimet e reja, 8 miliardë lekë, apo 25%, janë fatura të papaguara të energjinë nga entet publike, kryesisht njësitë e pushtetit vendor me ndërmarrjet e ujësjellësit.
Një pjesë tjetër prej 3.3 miliardë lekësh është akumuluar si detyrim i pashlyer për rimbursimin e TVSH-së. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e ka njohur këtë shumë për t’u paguar ndaj biznesit gjatë vitit të kaluar, por vlera nuk është dhënë.
Detyrimet e tjera me vlerë 8,9 miliardë lekë (65 mln euro) rezultojnë si detyrim që pushteti lokal ka ndaj të tretëve për mallra dhe shërbime. Borxhi si i tillë u zbardh nga një kontroll që u ushtrua në njësitë e reja vendore nga njësia ndërkombëtare e auditit, Grant Thornton.
Mbi 8 miliardë lekë detyrime të tjera janë fatura që vijnë nga humbja e gjyqeve të shtetit shqiptar me të tretët. Avokati i Shtetit, në bilancin e punës që ka bërë për vitin 2016, njoftoi se çështjet e humbura në gjykatat shqiptare në dëm të shtetit janë mbi 8 miliardë lekë, ose 58 milionë euro.
Një borxh tjetër prej 3.3 miliardë lekësh është identifikuar nga një monitorim i Ministrisë Financave deri më 1 tetor 2016. Në këtë shumë, 70% e detyrimit u takon punimeve në rrugë me rreth 2.5 miliardë lekë dhe pjesa tjetër janë detyrime që institucione të tjera nuk kanë mundur të shlyejnë ndaj punonjësve të shkarkuar nga puna, të cilat kanë fituar gjyqet për dëmshpërblim. Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Gjika, që administron një pjesë të këtij detyrimi pohon se, punimet në rrugë kanë një specifikë. Proceset e punës, në disa raste, nuk mund të lihen përgjysmë, nëse financimi buxhetor nuk është i plotë. Fjala bie, nëse rruga shtrohet me çakëll nuk mund të lihet pa u hedhur asfalti, pasi reshjet e radhës mund të çojnë dëm të gjithë investimin. Gjika tha se nevojat për financimin e fronteve të hapura të punimeve janë shumë më të mëdha në krahasim me fondet buxhetore në dispozicion. Ai pohoi se fondet e këtij viti janë konsumuar në 80% të tyre, edhe pse buxheti i 2017-s është në fazën e parë të implementimit.
Qeveria shqiptare e ka krijuar borxhin i ri, i cili nuk është kontabilizuar në treguesin zyrtar të borxhit, edhe pse ishte nën një monitorim të rreptë të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Marrëveshja e fundit që përfundoi në fund të shkurtit të këtij viti, pati në fokus shlyerjen e të gjitha faturave të ish- qeverisë “Berisha”. Në shërbim të këtij qëllimi, FMN shoqëroi marrëveshjen me një mbështetje buxhetore prej 300 milionë eurosh. Mirëpo edhe pse qeveria shqiptare është angazhuar fort të mos mbartë fatura, nuk ka mundur të parandalojë krijimin e tyre.
Por, mjetet me të cilat mund të shlyhet ky detyrim i ri kanë shterur. Mundësia për të marrë borxh, siç bëri qeveria “Rama” në vitin 2014 për të shlyer detyrimet e qeverisë “Berisha” nuk është më. Aktualisht totali i detyrimeve publike, edhe pa borxhet e reja, është 71% e PBB-së. Ky nivel është më i larti në rajon dhe shumë më i lartë se kufiri prej 60% që duhet të kenë vendet me kushte zhvillimi si Shqipëria. Gjithashtu burimet e brendshme kanë shteruar, pasi qeveria ka konsumuar rritjen e taksave. Vendi ka barrën fiskale më të lartë në rajon dhe një rritje e mëtejshme e taksave nuk mund të aplikohet në vijim.
Faturat e papaguara në thesarin e financave në fund të 2016-s kanë arritur së paku në 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Konfliktet në gjykata, shteti akumulon 58 mln euro fatura më 2016
Largimet masive nga puna gjatë rotacionit të pushteteve, kanë çuar qindra ankime në gjykata kundër shtetit shqiptar. Këto konflikte bashkë me të tjera që individë dhe biznese kanë pasur me shtetin kanë çuar një faturë për të shlyer nga buxheti në vitin 2016, në mbi 8 miliardë lekë, vlerë kjo e barabartë me 58 milionë euro. Shifra është bërë publike nga Avokati i Shtetit, në kuadër të një analize që ka zhvilluar për aktivitetin e vitit 2016. Mirëpo Avokati nuk e ka zbardhur vlerën e detyrimeve që vijnë nga çështjet ndërkombëtare, qoftë të humbura apo të fituara.
Sipas të dhënave zyrtare nga Avokati i Shtetit, vlera totale e çështjeve që janë diskutuar në gjykime brenda vendit në vitin 2016 është afërsisht 120 miliardë lekë, ose afërsisht 1 miliard $ amerikanë, nga të cilat 93% janë fituar nga shteti shqiptar në gjyqe të përfaqësuara nga Avokatët e Shtetit në Gjykatat Kombëtare.
Mirëpo e keqja është se çështjet e pafituara, ndonëse janë vetëm 7% e totalit ato kanë një vlerë prej 8 miliardë lekësh, që qeveria shqiptare duhet të shlyejë ndaj palëve të treta nga taksat e shqiptarëve.
Teksa vlerat e detyrimeve për gjykatat ndërkombëtare mungojnë, ish-pronarët që u janë drejtuar atyre kanë lajmëruar se, zhvillimet janë në favor të tyre. Ky vit, nëse përfundon siç ka nisur, do të jetë një katastrofë për financat kombëtare.
Myrshit Vorpsi, nga Shoqata Pronësi me Drejtësi pohoi se, Qeveria shqiptare rrezikon të paguajë një faturë të kripur për kompensimin e 82 dosjeve për kompensim prone në Gjykatën Strasburgut. Ai thotë se Gjykata e të Drejtave të Njeriut nuk e ka pranuar kërkesën e qeverisë shqiptare për të kompensuar dosjet në proces, në bazë të zërit kadastral 1944, ku toka truall kompensohet si tokë bujqësore.
Gjykata ka kthyer kërkesën e qeverisë shqiptare për të paktën pesë dosje dhe nuk ka pranuar versionin e saj për kompensimin, duke sjellë shumë pranë një kolaps fiskal. Vlera e 82 dosjeve që po trajtohen është mbi 550 milionë euro, një faturë kjo e papërballueshme për arkën e shtetit.
Rasti Rista (çështja nr.24468/10) është ilustrimi i asaj që pritet të ndodhë me kompensimin e ish-pronarëve. Duke pasur parasysh faktin se në kohën e konfiskimit, ngastra e tokës kishte qenë bujqësore, qeveria propozoi që çmimi i referencës për tokën bujqësore dhe në bazë të hartave të vlerësimit të vitit 2014 që duhet të zbatohet, vlera e tokës është 230 lekë për metër katror.
Vlerësimi i Gjykatës për sa i përket aplikimit nr. 24468/10 dhe 39495/10, vëren se autoritetet kishin njohur të drejtën e ankuesve për kompensim në lidhje me tokën ndërtimore dhe jo të tokës bujqësore apo kullota si të kontestuara nga qeveria.
Vendimi i njëjtë është marrë edhe për tre dosjet e tjera, si rasti Karagjozi kundër Shqipërisë, Halimi kundër Shqipërisë etj.
Ish-pronarët, nisur nga këto raste, komentojnë se nëse një gjykatë ndërkombëtare konstaton se Republika e Shqipërisë ka shkelur detyrimin që rrjedh nga një marrëveshje ndërkombëtare dhe, si rrjedhojë, janë cenuar të drejtat dhe liritë themelore të një personi fizik ose juridik nëpërmjet një ligji ose akti normativ, Gjykata Kushtetuese, me kërkesë, mund të shfuqizojë ligjin ose aktin normativ, nëse konstaton se nuk ka mjet tjetër efektiv për të vënë në vend të drejtat e cenuara.
Teksa qeveritë shqiptare kanë dështuar në kthimin e kompensimin e pronës, ish-pronarët panë si zgjidhje Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe buxheti i shtetit është para një rreziku serioz.
Sipas Avokaturës së Shtetit, 106 çështje që janë në pritje të shpalljes së vendimit, që i përkasin periudhës pas vitit 2014, kanë një vlerë prej 556.524.809 euro, shumë kjo sa rreth 20% e të ardhurave të pritshme të buxhetit vjetor të shtetit.
Rikthehen borxhet ndaj kompanive të rrugëve
Qeveria e ka mbyllur vitin 2016 me një borxh rreth 20 milionë euro të akumuluar ndaj kompanive që kryejnë punime në rrugë. Kjo shumë është kontabilizuar nga Ministria e Financave, sipas të dhënave deri në fund të muajit tetor 2016. Qeveria ka futur në monitorim një pjesë të institucioneve për detyrime të prapambetura dhe ka gjetur se deri në fund të 10-mujorit 2016, janë akumuluar 3.3 miliardë lekë, kjo shumë në masën 70% i dedikohet punimeve të kryera në rrugë, por që nuk janë paguar. Dashamir Gjika, Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, pohoi se aktualisht, detyrimet janë ndaj të gjitha akseve që po kryhen punime. Ka punë që janë bërë dhe nuk janë paguar për segmentin e Unazës së Re për aksin Kamëz – Fushë-Krujë, për urat në Rrugën e Kombit, në Përmet-Këlcyrë etj. Gjika thotë se punimet në rrugë karakterizohen nga disa specifika, të cilat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me fondet në dispozicion. Teksa qeveria ka programuar një financim të caktuar për një segment, kompanitë përfundojnë procesin e investimit me paratë e tyre, pasi nuk mund të lënë punimet në mes, për shkak të kostove të mëdha që mund të krijohen. Në rast se qeveria ka dhënë para vetëm për hapjen e trasesë dhe shtresave të poshtme të rrugës dhe planifikon të vijojë financimin vitin tjetër, kompanitë vijojnë edhe me hedhjen e asfaltit, pasi reshjet mund të dëmtojnë tërësisht investimin fillestar deri në pritje të fondeve të reja. Kompanitë vendase të ndërtimit, tha Gjika, janë të fuqishme si në aspektin teknik dhe financiar dhe kryejnë punime në avancë në kontratat publike me qeverinë. Gjika tha se një pjesë e detyrimeve që ishin krijuar më 2016 janë planifikuar të shlyhen këtë vit, por është e pamundur të parandalohet krijimi i detyrimeve të reja, pasi në këto momente, kompanitë e rrugëve kanë zhvilluar punime në terren të cilat ezaurojnë 80% të fondeve të planifikuara për këtë vit. Por teksa punimet në rrugë po avancojnë, financimet nga buxheti janë të pamjaftueshme, pohoi zyrtari i lartë i rrugëve.
Sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë së Financave mbi monitorimin e detyrimeve të prapambetura, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës raportoi që detyrimet për periudhën nga janar – 31 tetor 2016 janë në vlerën 2 533.5 milionë lekë, të krijuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve.
Borxhi për kontrata, studime, projektime dhe oponencë është në vlerën 82.2 milionë lekë, që kanë ardhur si pasojë e mosplanifikimit të tyre në buxhetin e vitit 2016.
Borxhi në kontratat e investimeve (ndërtime, rikonstruksione) kapin vlerën 811.8 milionë lekë, që vijnë nga një buxhet i pamjaftueshëm për likuidimin e plotë të faturave, ndërkohë që kontraktorët vazhdojnë me avancimin e punimeve sipas grafikut të tyre.
Borxhi për supervizione punimesh kapi vlerën 23.5 milionë lekë dhe kryesisht ka lidhje me kontratat e ndërtimit.
Në të njëjtën mënyrë akumuloi borxhe edhe ish-qeveria “Berisha” ndaj kompanive të rrugëve. Kur një proces auditi nisi punën në vitin 2014 zbardhi 24.6 miliardë lekë punime ndaj kontratave të investimeve qeveritare. Borxhi ishte akumuluar duke hapur fronte pune më shumë se aftësitë për pagesa.
Shteti, 58 mln euro fatura energjie të papaguara
Edhe pse ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i pati shtrënguar mjaft rregullat ndaj enteve publike për pagesat e energjisë elektrike, përsëri skema nuk ka funksionuar. Pasi Cani vuri në zbatim një plan që shoi të gjitha borxhet që shteti kishte ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë, nëpërmjet një borxhi të ri që mori për këtë qëllim, diktoi me një udhëzim të posaçëm, që institucionet që nuk paguanin faturat e energjisë u mbaheshin nga thesari pagesat e mëvonshme. Mirëpo ky rregull duket se nuk ka zgjatur shumë me ikjen e tij nga Ministria e Financave. Enti Rregullator i Energjisë ka njoftuar se në fund të vitit 2016, detyrimet që entet publike i kanë krijuar OSHEE-së nëpërmjet mospagimit të faturave të energjisë arrijnë një vlerë prej 8 miliardë lekësh, ose 58 milionë eurosh.
Por, përveç faturës së lartë të detyrimit, shteti i ka vënë shkelmin moralit që vetë nxiti nëpërmjet një aksioni që synonte të mblidhte detyrimet e prapambetura të energjisë te konsumatorët familjarë me forcë. Gjatë këtyre tre viteve, dhjetëra qytetarë janë përballur me burgun, pasi nuk kanë paguar energjinë. Teksa sot më shumë se gjysma e konsumatorëve në të gjithë vendin po paguajnë përveç detyrimeve të prapambetura edhe faturat koherente, shteti dhe institucionet e tij nuk po veprojnë në të njëjtën mënyrë. Shuma 58 mln euro për një vit kalendarik është shumë e lartë, po të marrin në konsideratë se vitin e kaluar u mbyll procesi i shlyerjes së detyrimeve të trashëguara pjesë e të cilit ishin edhe faturat e energjisë.
Burimet nga OSHEE pohojnë se pjesën më të madhe të këtyre detyrimeve e kanë ndërmarrjet e ujësjellësit. Duke qenë se ndërmarrjet e ujësjellësit janë me rëndësi strategjike në shërbimet ndaj qytetarëve, OSHEE nuk mund të aplikojë masat ekstreme ndaj tyre, duke shkëputur energjinë elektrike.
Për të parandaluar thellimin e mëtejshëm të detyrimeve ndaj OSHEE-së, Ministria e Financave ka nxjerrë një udhëzim së fundmi ndaj institucioneve buxhetore që të prioritizojnë pagesat për energjinë.
“Njësitë shpenzuese, gjatë përdorimit të fondeve buxhetore të planifikuara për ‘mallra dhe shërbime’ me prioritet të urdhërojnë pagesat për shërbimet e furnizimit me energji elektrike në kushtet e mungesës së likuiditetit ose planit të arkës, respektohet renditja e përcaktuar në udhëzimin e posaçëm”, – lajmëron Ministria e Financave.
Më tej, financat kërkojnë që strukturat përgjegjëse për thesarin në degë të verifikojnë listën e debitorëve të dërguar nga OSHEE çdo muaj dhe autorizojnë pagesën e faturave të tjera, vetëm nëse njësia shpenzuese nuk rezulton me detyrime të papaguara në këtë listë.
“Në rast të kundërshtimeve, njësia shpenzuese rakordon me OSHEE dhe vetëm pas sqarimit zyrtar të detyrimit, vijojnë pagesat e tjera. Në rast se detyrimi është objekt i një çështjeje gjyqësore, njësia shpenzuese duhet të paraqesë dokument që vërteton se çështja është në proces gjyqësor. Këto përcaktime janë të vlefshme edhe në rastin kur institucionet përfitojnë fonde buxhetore në formën e subvencioneve”, – sqaron Ministria e Financave.
Në vitin 2014, në kuadër të strategjisë për shlyerjen e borxheve, u bë një proces hetimi ndërmjet institucioneve shtetërore dhe OSHEE, me qëllim që të lehtësoheshin detyrimet që ishin akumuluar në sektorin publik të energjisë. Në fund të vitit 2013, qeveria “Rama” gjeti 8.8 miliardë lekë detyrime të pashlyera në formën e faturave të energjisë nga entet publike, shumë kjo e afërt me detyrimin e ri që është akumuluar në fund të 2016-s.
Borxhi 24 mln euro si TVSH e parimbursuar
Skema e krijimit të borxheve të reja duket se ka shkuar tërësisht në të njëjtën hulli si u krijuan detyrimet e qeverisë së para 2013. Skema e rimbursimit të TVSH numëroi në fund të vitit 2016 mbi 3.3 miliardë lekë detyrime të akumuluara.
Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për vitin 2016 janë paraqitur 769 kërkesa për rimbursim të TVSH-së që i korrespondojnë një shume prej 19 miliardë lekësh. Nga kjo vlerë, janë miratuar për rimbursim 13.7 miliardë lekë. Janë rimbursuar deri në fund të dhjetorit 2016 mbi 10.4 miliardë dhe janë mbartur si detyrime për periudhën në vijim 3.3 miliardë lekë.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije se nga kërkesat e vitit 2016 rreth 133 prej tyre nuk janë verifikuar ende dhe këtyre u korrespondon një shumë prej 5 miliardë lekësh dhe gjithashtu janë refuzuar 21 kërkesa me një vlerë 370 milionë lekë.
Tatimet kanë sqaruar se rimbursimi i TVSH-së vitin e kaluar u bë nëpërmjet një procedure të mirëpërcaktuar, të fokusuar në analizën e riskut për rimbursim, sipas së cilës jo çdo kërkesë për rimbursim i nënshtrohet procedurave të kontrollit tatimor në vend. Në përputhje me Ligjin 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, kërkesat për rimbursim të TVSH-së tashmë trajtohen dhe miratohen nga Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së në DPT (DRTVSH), në bashkëpunim me DRT-të. Në varësi të rezultatit të analizës paraprake nga Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së, bëhet refuzimi ose pranimi i kërkesës për rimbursim.
Në totalin e shumës së kërkuar për rimbursim gjatë vitit 2016, 53.35% e zë kategoria e eksportuesve dhe fasonistëve, 27.65% kategoria e investimit, 2.01% trupa diplomatike, organizata ndërkombëtare dhe projektet IPA, 16.99% aktivitete të tjera. Në totalin e shumës së miratuar për rimbursim gjatë vitit 2016, 60.09% e zë kategoria e eksportuesve dhe fasonistëve, 17.52% kategoria e investimit, 2.88% trupa diplomatike, organizata ndërkombëtare dhe projektet IPA, 19.52% aktivitete të tjera. Në totalin e shumës së rimbursuar gjatë vitit 2016, 68.2% e zë kategoria e eksportuesve dhe fasonistëve, 10.43% kategoria e investimit, 2.84% trupa diplomatike, organizata ndërkombëtare dhe projektet IPA, 18.54% aktivitete të tjera.
Borxhet e bashkive, 65 milionë euro
Një borxh i ri i panjohur deri në mesin e vitit të kaluar është përplasur në buxhetin e shtetit dhe ka shtuar detyrimet e shtetit shqiptar në të paktën 0,57% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Projekti STAR (Mbështetje për Reformën Administrativo-Territoriale) në përfundim të 384 raporteve të kontrollit në ish-komunat dhe bashkitë e reja ka zbardhur detyrime të prapambetura në vlerën e 65 milionë euro. Shuma si e tillë u dha për “Monitor” nga ekspertët e projektit STAR e konfirmuar edhe nga Ministria e Çështjeve Vendore. Këto borxhe janë në formën e detyrimeve të prapambetura dhe janë të deklaruara pranë çdo bashkie. Ministria e Financave, nga ana tjetër, ka miratuar një plan veprimi që i detyron Bashkitë të shlyejnë detyrimet deri në fund të vitit 2018.
Pjesën më të madhe të këtyre detyrimeve, rreth 75% të tyre, i ka Bashkia e Tiranës, dhe pjesa tjetër dominohet kryesisht nga bashkitë e mëdha të vendit si ajo e Durrësit, Elbasanit, Fierit etj.
Sipas audituesve përgjegjës për detyrimet e akumuluara janë fillimisht bashkitë, e më pas qeveria shqiptare. Altjon Paloka, nga projekti STAR, shpjegoi në një intervistë të posaçme më herët për “Monitor” se gjatë çdo procesi decentralizimi, dhe jo vetëm në rastin e decentralizimit fiskal, kalimi i kompetencave nga qeveria qendrore në qeverisjen vendore duhet të shoqërohet me rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore për të ushtruar funksionet e reja. Në rastin e decentralizimit fiskal, duke pasur parasysh dhe praktikat nga vende të zhvilluara të Europës, qeverisja vendore duhet të ketë një liri veprimi për sa i përket së drejtës buxhetore, përkthyer kjo në një përqindje më të lartë në buxhetin e shtetit (grantet e pakushtëzuara), të drejtën për të vendosur taksa dhe tarifa vendore pa neglizhuar përgjegjësinë ligjore dhe atë morale ndaj qytetarëve dhe bizneseve, si dhe vënien në punë të mekanizmave të tjerë financiare që ndihmojnë zhvillimin e qeverisjes vendore.
Paloka thotë se këto mekanizma përfshijnë forma të ndryshme të huamarrjes përveç linjës së kredive, si bonot, obligacionet e të tjera.
Ai tha se bashkitë duhet të tregojnë kujdes të veçantë dhe eficencë në përdorimin e fondeve publike. Projekti “STAR” ka rekomanduar për secilën bashki një strukturë organizative të përshtatur, sipas një analize të mirëfilltë të historikut të territorit dhe nevojave primare që këto bashki kanë.
Detyrimet e prapambetura kontraktuale për investime, të identifikuara për institucionet e qeverisë qendrore, duke shtuar edhe pretendime të sipërmarrjeve të cilat kërkojnë kontrolle të mëtejshme, vlerësohen të arrijnë 24.6 miliardë lekë, pohojnë audituesit. Këto vlerësohen të jenë vetëm një kategori e detyrimeve financiare të prapambetura. Detyrime të prapambetura janë identifikuar dhe në ndërmarrjet shtetërore të shërbimeve publike, ndaj subjekteve tatimpaguesve në procesin e rimbursimit të TVSH dhe tatim fitimit, detyrime të krijuara si pasojë e vendimeve gjyqësore.
Hendeku që la Fondi Monetar Ndërkombëtar
Qeveria shqiptare ka përfunduar në shkurt të këtij viti marrëveshjen trevjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Gjatë këtyre viteve, qeveria pati një monitorim intensiv nga Fondi një herë në tre muaj, i cili veç stabilitetit makroekonomik dhe fiskal, pati në fokus ngritjen e një baze solide që nuk do të lejonte krijimin e detyrimeve të prapambetura.
Teksa plani ka funksionuar dy vitet e para pasi qeveria, në vitin e tretë ka nisur rishfaqja e borxheve të reja. Tani që marrëveshja me Fondin ka përfunduar dhe vendi nuk është në monitorim strikt ndërkombëtar, me një krizë politike në sfond dhe në mes të një viti elektoral, ka gjasa që shuma e identifikuar e detyrimeve të rritet edhe më tej. Në përmbyllje të marrëveshjes me Shqipërinë, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi si një nga rreziqet potenciale për arkën e shtetit borxhin në njësitë e reja vendore. Gjithashtu Fondi ka kërkuar që qeveria të zgjerojë bazën e monitorimit të detyrimeve të prapambetura në më shumë institucione, pasi aktualisht janë në mbikëqyrje vetëm 13 të tilla.
Pasojat e detyrimeve të fshehura
Qeveria e zotit Rama, në fillim të vitit 2014, zbardhi detyrime të përgjithshme financiare të prapambetura të qeverisjes qendrore që ishin akumuluar deri në dhjetor 2013, me vlerë 72.6 miliardë lekë ose 5.3% e PBB-së.
Në strategjinë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura që u miratua më 2014, u tha se borxhet i kishin krijuar dëm ekonomisë.
Ndikimet përfshijnë ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe rritjen e papunësisë, për sa kohë bizneset e varura nga kontratat qeveritare pushuan ose shtynë aktivitetin e tyre si rezultat i vonesave në pagesa ose vështirësive në mundësinë e kredive nga bankat tregtare. Shlyerjet e huave kundrejt bankave mund të vuajnë nëse likuiditeti kufizohet si rezultat i rritjes së detyrimeve të prapambetura.
Ndikimet mbi likuiditetin në treg mund të jenë gjithashtu të ashpra. Këta faktorë mund të rezultojnë në një ndikim dëmtues mbi kërkesën e përgjithshme dhe mund të kufizojnë aftësinë e qeverisë në përdorimin e politikës fiskale si një mjet për stabilizimin makroekonomik. Nëse furnitorët e qeverisë marrin parasysh mundësinë e vonesave të gjata në marrjen e pagesave, ata mund të përpiqen të ulin riskun dhe koston shtesë të pagesave të vonuara duke rritur përkatësisht çmimet e tyre, duke detyruar kështu qeverinë të paguajë çmimet mbi tregun për shërbimet e ofruara.
Një pjesë e rritjes së huave të këqija në sektorin bankar në disa prej viteve të fundit mund t’u atribuohet detyrimeve të prapambetura të qeverisë. Para 2013-s, dhënia e shërbimeve publike në disa raste është ndalur plotësisht, pasi furnitorët kanë ndërprerë zbatimin e ndërtimit në projektet e investimeve për shkak të mospagesave, duke rezultuar në degradimin e disa investimeve, veçanërisht në sektorin rrugor. Së fundmi, në rastet e vonesave të pagesave të asistencës sociale ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shtresat më të pambrojtura të shoqërisë, të cilat vuajnë si pasojë e vonesave në pagesat e përfitimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.