Fondet dedikuar rimbursimit të TVSH ndaj biznesit shënuan rritje me 15% gjatë 2016, por gjithsesi, shuma është 7.4% më e ulët se vlera e rimbursimeve që u dhanë më 2014.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, vitin e kaluar, biznesit iu rikthyen 8.8 miliardë lekë TVSH, nga 7.6 miliardë lekë që u dhanë në vitin 2015. Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e kanë argumentuar këtë përmirësim me zbatimin rigoroz të ligjit të ri, ku rimbursimi i TVSH bëhet automatikisht.
Mirëpo, pavarësisht përmirësimit të procedurave dhe rritjes së shumave, bizneset sërish kanë shqetësim të madh rimbursimin e TVSH-së. Në një takim të fundit me Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, Dhoma Amerikane e Tregtisë e ngriti sërish si shqetësim.
Këshilli i Investimeve, në një studim të posaçëm për këtë shërbim të tatimeve ndaj biznesit, ka gjetur se ka një rritje të numrit të kërkesave për rimbursim për 10-mujorin e 2016 në krahasim me të gjithë vitin 2015 si për bizneset në regjim të përpunimit aktiv (RPA), ashtu edhe për të gjithë tatimpaguesit e tjerë.
Nga analiza e Sekretariatit, bazuar tek Anketa dhe takimet e zhvilluara rezulton se procedurat e rimbursimit të TVSH-së, si nga ana formale dhe nga ana praktike, janë përmirësuar. Kështu, 54% e të anketuarve konfirmojnë se procedurat e aplikimit për rimbursim të TVSH janë thjeshtuar. Gjithashtu, për 72% të atyre që janë përgjigjur se kanë aplikuar, konfirmojnë se ju është miratuar kërkesa dhe e kanë marrë rimbursimin e TVSH-së.
Rimbursimi i TVSH-së mbetet një tregues i rëndësishëm i klimës së të bërit biznes. Referuar Raportit “Doing Business 2017” të Bankës Botërore në treguesit Paying Taxes (pagimi i taksave) janë përfshirë për herë të parë edhe kërkesat për rimbursimin e TVSH. Në këtë tregues, Shqipëria renditet kënaqshëm (83 pikë) kundrejt modelit më të mirë, Estonisë (98.5 pikë), por mbrapa vendeve të rajonit si Kroacia, Maqedonia dhe Mali i Zi. Duke qenë se ky indikator është përfshirë për herë të parë në metodologjinë e Doing Business, mbetet për t’u parë progresi i Shqipërisë lidhur me këtë tregues në vitet në vijim.
Sipas studimeve të FMN-së, sa më i zhvilluar të jetë një vend, aq më i lartë është niveli i TVSH-së së rimbursuar kundrejt TVSH-së bruto, duke kaluar edhe në 40% të TVSH- bruto21. Nga të dhënat e MF për vitet 2011 – 2015 mbi treguesit fiskalë, rimbursimi i TVSH-së ka një peshë të ulët në totalin e të ardhurave bruto nga TVSH.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.