FMN-ja është optimiste për një periudhë afatshkurtër, por sipas saj, rreziqet strukturore në një periudhë afatgjatë do të vazhdojnë të jenë të pranishme
Ekonomia botërore po përjeton një periudhë rritjeje të fortë ekonomike, edhe pse jo me të njëjtat ritme të shpejta rritje sa në periudhën midis viteve 2003 dhe 2007, shkruan Financial Times. Megjithatë, duke marrë në konsideratë mënyrën sesi përfundoi ajo rritje aq e shpejtë, ne duhet ta shohim pozitivisht këtë fakt. Si rritja e 2017, ashtu edhe parashikimi i FMN-së për rritjen në 2018 dhe 2019 janë më të larta se normat e rritjes së çdo viti që pas krizës, me përjashtim vetëm të viteve 2010 dhe 2011. Prandaj kjo periudhë konsiderohet si një periudhë rimëkëmbjeje e brishtë.
Në parashikimin e saj të fundit të Ekonomisë Botërore, FMN-ja e ka rritur normën e rritjes së ekonomisë botërore si për këtë vit ashtu edhe për vitin e ardhshëm, me 0.2 pikë përqindje më shumë në krahasim me parashikimin në muajin tetor të 2017. Kjo rritje e lartë është për ekonomitë e vendeve të përparuara, të cilat pritet të shënojnë një normë rritjeje me 0.5 dhe 0.4 pikë përqindje në 2018 dhe 2019. Mbretëria e Bashkuar është e vetmja anëtare e grupit prej shtatë vendesh udhëheqëse që nuk ka shënuar asnjë rritje. Mbase ky është një prej çmimeve që ajo duhet të paguajë si pasojë e Brexit. Ndoshta normën më të lartë të rritjes pritet ta ketë vëllimi i tregtisë botërore, me një parashikim rritjeje prej 1.1 pikë për qind më shumë në 2018 dhe 0.8 pikë për qind në 2019.
Dy arsyet kryesore për fuqizimin e ekonomisë botërore dhe optimizmin në rritje për perspektivat afatshkurtra janë se politika vazhdon të mbetet shumë mbështetëse, ndërkohë që bota ka shmangur ndonjë goditje ekonomike të madhe që nga rënia e çmimeve të mallrave në vitet 2014 dhe 2015. Tregjet presin që normat e rritjes të jenë më të madha në SHBA. Ky optimizëm është krijuar kryesisht për shkak se inflacioni, veçanërisht inflacioni i pagave, ka qenë i dobët, pavarësisht papunësisë së ulët. Ekonomitë e tjera me të ardhura të larta janë shumë prapa SHBA-së në ndërmarrjen e masave të tyre shtrënguese.
Për të pasur një politikë monetare edhe më mbështetëse duhet të rritet nxitja e madhe fiskale pro-ciklike që vjen nga shkurtimet e taksave të pafinancuara në SHBA. Zyra e Buxhetit të Kongresit parashikon që deficiti federal i SHBA-së të arrijë në një mesatare prej më pak se 5% të PBB-së në një periudhë kohore midis viteve 2019 dhe 2027. Modeli i famshëm që shpjegon marrëdhënien ndërmjet dy të mirave që janë të rëndësishme për rritjen ekonomike të një kombi, i njohur si modeli “armë dhe gjalpë” (produkte ushqimore) në një ekonomi me punësim të plotë të sjell ndër mend periudhën në fund të viteve 1960 dhe atë të fillimit të viteve 1970, e cila përfundoi shumë keq. Por pikëpamja e FMN-së në këtë drejtim nuk është aq kataklizmike. Ajo thjesht argumenton se politika fiskale e SHBA-së e ka huazuar rritjen nga e ardhmja.
Por cilat janë rreziqet e një pikëpamje kaq pozitive për të ardhmen?
Sipas Fondit, në një periudhë afatshkurtër, ato janë të balancuara. Avantazhet, të tilla si besimi i fortë mund të çojë në një rritje më të lartë sesa parashikimi të investimeve dhe konsumit. Rritja e investimeve gjithashtu mund të çojë në një rritje të produktivitetit dhe rrjedhimisht të ulë edhe inflacionin. Dizavantazhet, ku mund të përmendim një mjedis të politikës së paparashikueshme dhe turbullirat e tregut mund të shkaktojnë reduktim të madh të besimit dhe një kërkesë të dobët. Një vend i prekshëm nga faktorë të tillë mund të jetë Eurozona, ku, sipas Gavyn Davies, rritja tani është ngadalësuar krejt papritur.
Sidoqoftë, në një periudhë afatgjatë, pritshmëritë nuk janë edhe aq pozitive. I vërtetë është edhe fakti që ne jemi në fillim të një periudhe rritjeje të qëndrueshme, por edhe nga një ritëm i vonuar në rritjen e produktivitetit dhe konvergjencës mes vendeve të përparuara dhe atyre në zhvillim, prandaj rreziqet negative janë më të fuqishme në një periudhë afatgjatë. Raporti i borxhit ndaj PBB-së botërore është po aq i lartë në ditët e sotme me atë të një dekade më parë, edhe pse përbërja e tij ka ndryshuar: drejt korporatave qeveritare dhe jo-financiare dhe larg ekonomive familjare dhe sektorit financiar. FMN vë në dukje edhe faktin se çmimet e rëndësishme të aseteve janë gjithashtu të larta. Megjithatë, në qoftë se inflacioni do të rritej papritur, dëmet do të ishin të mëdha.
Politika monetare do të shtrëngohej më shumë se sa mund të parashikohej, bonot afatgjata do të rriteshin, problemet e borxhit do të shfaqeshin përsëri, ndoshta në mënyrën më të keqe. Nëse një situatë e tillë do të ndodhte, mundësia e reagimit të duhur nga bankat qendrore do të ishte e kufizuar. Megjithatë sipas FMN-së, rritja e shpejtë e aseteve “të kriptomonedhave” dhe shkeljet e shumta në sigurinë kibernetike ende mund të jenë shkatërrimtare. Për më tepër, ekziston edhe një tension politik global tejet i lartë. Struktura intelektuale “qesharake” e politikës tregtare amerikane parashikon se, duke qëndruar larg nga tkurrja, deficiti i llogarisë rrjedhëse të SHBA-së do të zgjerohet si rezultat i rritjes fiskale.
Kjo nuk do të ndalonte Donald Trump, Presidentin amerikan, që të fajësonte të huajt e ndershëm. Maurice Obstfeld, Këshilltari Ekonomik i FMN-së, vë në dukje një fakt të pashmangshëm: “Sistemi i tregtisë botërore që u zhvillua pas Luftës së Dytë Botërore dhe që shkaktoi një rritje të paparë në ekonominë botërore ka nevojë që të forcohet më shumë. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu se FMN-ja ishte produkt i një periudhe kohore më të zgjuar, dhe ne kemi plotësisht të drejtë që ta kujtojmë herë pas here një gjë të tillë. Por, në një kohë kur një superfuqi në rritje e sfidon atë dhe kur kjo e fundit është kthyer kundër sistemit global që vetë krijoi, vetëkënaqësia do të ishte absurde. Nëse dikush dëshiron të kuptojë politikën që qëndron pas gjithë kësaj rrëmuje, mund t’i referohet pjesëmarrjes së fuqisë punëtore në vendet e përparuara.
Pjesëmarrja e fuqisë punëtore të burrave ra në pothuajse në çdo vend me të ardhura të larta midis 2008 dhe 2016, ndërsa ajo e grave u rrit pothuajse kudo. Dhe ky nuk është absolutisht një faktor pozitiv në vendosjen e barazisë ndërmjet gjinive. Për më tepër, SHBA-ja as nuk ka qenë në gjendje që ta menaxhojë këtë rritje në pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore. Tregu i saj i punës ka qenë një fatkeqësi. Një dekadë më parë, ne përjetuam një krizë në sistemin global. Por politikëbërësit e penguan atë që të shndërrohej në një krizë të të gjithë sistemit. Por tani, në një kohë të rimëkëmbjes ciklike, ne po përballemi me një krizë të tillë të sistemit. Edhe pse rimëkëmbja ekonomike është e vërtetë, ajo është fatkeqësisht e brishtë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.