Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike të Kosovës nuk po arrin assesi të marrë votat e deputetëve të Kuvendit. Miratimi i tij në lexim të parë është bërë në muajin korrik, kurse nga atëherë e deri më tani nuk është votuar në lexim të dytë. Me anë të këtij Projektligji, parashihet zbatimi i Pakos në vlerë prej 365 milionë eurosh dhe tërheqja e 10 përqindëshit nga Trusti
Nga Prishtina, Fatos Shala
Me qëllim që të ndihmonte bizneset e Kosovës, që kanë pësuar humbje nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi, Qeveria kishte miratuar Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Ky projektligj, pas gjashtë dështimesh për miratim në Kuvendin e Kosovës, ka arritur të miratohet në lexim të parë, më 13 korrik.
Mirëpo, nga muaji korrik e deri më tani, projektligji ka mbetur në Kuvend. Përpjekjet që të miratohet edhe në lexim të dytë kanë dështuar shtatë herë. Përpjekja e fundit që ky projektligj të miratohet në Kuvendin e Kosovës ka qenë ditën e mërkurë, më 11 nëntor. Mirëpo, edhe këtë herë deputetët nuk shkuan në sallë.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nuk do të mbahet seanca e paraparë për votimin në shqyrtim të dytë të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike COVID-19. Osmani ka thënë se në mungesë të kuorumit, kjo seancë nuk do të mbahet. Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon te Presidenti për shpallje. Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.
Pozitë e opozitë me qëndrime të ndryshme
Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se janë duke u koordinuar me të gjitha palët që të gjendet një kohë e përshtatshme për mbajtjen e një seance tjetër për Projektligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike.
“Duhet të jemi të kujdesshëm për një mbyllje të dytë. Nuk kemi problem me partitë shqiptare në Kuvend, nuk po vjen Lista Serbe në seancë. Mbetet të koordinohet me të gjitha palët dhe të shohim se kur është më e përshtatshme të mbahet një seancë e suksesshme. Duhet të mbahet një seancë e suksesshme, sepse qytetarët e Kosovës po përballen me krizë ekonomike”, tha Gashi. Ai ka thënë se opozita dhe një pjesë e koalicionit po bëjnë sjellje të paarsyeshme.
“Ne tentuam dhe do të tentojmë që Kuvendi i Kosovës të diskutojë dhe të vendosë që qytetarët janë duke hyrë në stinën e dimrit dhe kjo e bën më delikate situatën dhe të gjithë deputetët duhet të janë më të përgjegjshëm. Opozita dhe një pjesë e koalicionit po bëjnë sjellje të paarsyeshme dhe të palogjikshme. Nëse ata kanë vërejtje, duhet të vijnë në Kuvend që t’i debatojmë”. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitja, u shpreh se Grupi i tyre Parlamentar do të votojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Reshitaj u bëri thirrje edhe deputetëve të tjerë që ta votojnë projektligjin.
“Projektligji ka peshën e vet dhe i atakon të gjithë qytetarët e Kosovës, andaj ne u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve që ta përkrahin këtë ligj, pavarësisht vërejtjeve që mund të kemi. E kuptojmë drejt shqetësimin me rritje të madhe të rasteve me COVID-19, por në të njëjtën kohë kërkojmë që të gjendet një zgjidhje e përshtatshme për menaxhimin e situatës dhe të mos shkohet me mbyllje totale të vendit. Apelojmë tek të gjithë qytetarët e vendit për të bërë kujdes në respektim të masave institucionale”.
Kurse, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se për votimin e Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike do të njoftohet më herët. Tahiri u shpreh se koalicioni aktual qeveritar nuk po arrin të kalojë asnjë nismë.
“Ne për secilin ligj apo secilën nismë që është në këtë Kuvend se do ta votojmë ose jo, do ta njoftojmë më herët. Ju i dini edhe më herët qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës edhe për sa i përket Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, apo nismave të tjera ligjore. Ky koalicion nuk po arrin të kalojë asnjë iniciativë të vetme dhe besoj se këtyre u duhet në respektim i thellë mbi angazhimin e tyre”.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se është detyrë e Qeverisë që t’i ketë votat për miratimin e Projektligjit.
“Lëvizja Vetëvendosje, pavarësisht faktit që e konsideron këtë qeveri jo të ligjshme, në të kaluarën ka përkrahur nismat ligjore, përkatësisht marrëveshjet ndërkombëtare në shërbim të luftimit të pandemisë COVID-19 dhe jo vetëm, për të cilat mbështetja e opozitës ka qenë e domosdoshme – duke qenë se votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kërkon mbështetjen e 80 e më shumë deputetëve.
Për çdo dështim të nismave të tjera ligjore që kërkojnë shumicën e thjeshtë për miratim, pra pjesëmarrjen në votim të 61 deputetëve, çka përkon me minimumin e shumicës parlamentare të koalicionit qeverisës, para përgjegjësisë duhet të vihet koalicioni qeverisës përkatësisht qeveria, jo opozita përkatësisht LV. Ky është parimi bazë në demokracinë parlamentare dhe raportit të Qeverisë me Kuvendin.
Që nga dita e parë e krijimit të kësaj qeverie, ajo ka qenë e paaftë të dëshmojë shumicën e nevojshme për të plotësuar programin e saj qeverisës, pasi e ka të pamundur që të miratojë nismat e saj ligjore – sikurse kjo për masat ekonomike. Është detyrë e Qeverisë që të ketë minimumin e shumicës parlamentare gjatë gjithë kohës, pra 61 vota, jo vetëm në ditën e formimit të saj”. Sipas VV-së, qeveria e ka bërë jofunksional Kuvendin e Kosovës.
Rimëkëmbja
“Projektligji ka peshën e vet dhe i atakon të gjithë qytetarët e Kosovës, andaj ne u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve që ta përkrahin këtë ligj, pavarësisht vërejtjeve që mund të kemi. E kuptojmë drejt shqetësimin me rritje të madhe të rasteve me COVID-19, por në të njëjtën kohë kërkojmë që të gjendet një zgjidhje e përshtatshme për menaxhimin e situatës dhe të mos shkohet me mbyllje totale të vendit. Apelojmë tek të gjithë qytetarët e vendit për të bërë kujdes në respektim të masave institucionale”.
Qytetarët, në pritje të parave të Trustit
Projektligj parasheh plotësimin e një sërë ligjesh, i cili përfshin edhe tërheqjen e 10 përqindëshit nga vetë qytetarët nga Trusti. Lidhur me këtë, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, me anë të një njoftimi për media, pati sqaruar se kur qytetarët mund të aplikojnë për t’i tërhequr kursimet nga ky institucion.
“Parlamenti duhet të kalojë ligjin edhe në leximin e dytë. Pas leximit të dytë, ligji duhet të dekretohet nga Presidenti. Në momentin që dekretohet ligji nga Presidenti, detajet për aplikim do të bëhen të ditura”, thuhej në njoftimin e Trustit.
Teksa qytetarët janë në pritje që para deputetëve të jetë në rend dite projektligji për rimëkëmbje ekonomike, tërheqja e 10% nga Trusti, është pika që ka marrë vëmendje më së shumti. Zëdhënësi i këtij institucioni, Jeton Demi, ka treguar se kurdo që ligji të miratohet, ata janë gati për të mundësuar aplikimin.
“Besojmë se ne jemi gati, sikurse e kemi deklaruar edhe disa herë, që sapo të jetë kjo e mundur ligjërisht, ne do të mundësojmë aplikimin për tërheqjen e 10 përqindëshin”.
Lajm i mirë është se pas aplikimit nga qytetarët, mjetet në një kohë të shkurtër do të dalin në llogaritë bankare të tyre.
“Kalimi i mjeteve nga llogaria e Fondit Pensional në llogarinë bankare të përfituesit, është çështje e procedurave, por ne mendojmë se do të duhej të kryhej brenda disa ditëve e në skenarin më të keq, mund të jetë çështje javësh”.
Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, tha se, deputetët duhet të reagojnë në përputhje me situatën, duke e miratuar në lexim të dytë këtë Projektligj.
“Pjesa prej 60 milionë eurosh ka qenë e mirëseardhur, është shumë i vogël krahasuar me nevojat, sepse për herë të parë që nga fillimi i pandemisë mbështeten nga një shumë prej 290 eurosh për punëtorë, ku në shumicën e rasteve nuk është as gjysma e pagës së një punëtori për një muaj. Biznesi ka nevojë që deputetët të na dëgjojnë problemet, të reagojnë në përputhje me situatën”.
Edhe për drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike të Kosovës, Arian Zeka, përgjegjësia për mosmiratimin e Projektligjit për Rimëkëmbje rëndon mbi deputetët e partive politike që drejtojnë ekzekutivin.
“Mungesa e kuorumit për votimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike për herën e pestë tregon mungesën e mirëkuptimit për nevojat e sektorit privat dhe vendimmarrjes më të shpejtë për sa i përket kornizës ligjore për rimëkëmbjen ekonomike, pas shpërthimit të pandemisë COVID-19. Dhe derisa sektori privat do të donte të shihte konsensus më të gjerë politik, duhet theksuar se përgjegjësia për kalimin e Projektligjit rëndon mbi deputetët e partive politike që drejtojnë ekzekutivin”, kishte thënë Zeka
Çfarë parasheh Projektligji për Rimëkëmbje?
Në dispozitat e këtij projektligji është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë së Kosovës, pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
Me anë të këtij, Projektligji parasheh zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë 365 milionë euro. Në këtë Projektligji, thuhet se “Fondi Kreditor Garantues i Kosovës, (FKGK) autorizohet të lëshojë garanci kreditore me përqindje të mbulesës nga 50 deri në 80%”.
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është institucion i pavarur dhe i qëndrueshëm, që u lëshon garanci institucioneve financiare për të mbuluar rrezikun për kreditë e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.
Gjithashtu, kontribut-paguesit mund t’i tërheqin 10% të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Tërheqja e këtyre mjeteve nuk është përkrahur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit, “kjo zvogëlon pensionet e ardhshme”.
Më pas, mjetet e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore mund të përdoren për të gjitha kategoritë e shpenzimeve, me qëllim realizimin e rimëkëmbjes ekonomike, përjashtuar kategorinë e pagave dhe shtesave. Po ashtu, me qëllim rimëkëmbjen ekonomike, Ministria e Financave mund të shtyjë afatin e pagesës së tatimeve deri në dy vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kriteret për shtyrjen e afateve përcaktohen nga Ministria e Financave në Qeverinë e Kosovës.
Për bizneset që nuk arrijnë të bëjnë pagesën e deklaratës tatimore nuk shqiptohet ndonjë ndëshkim, me kusht që pagesa bëhet në tremujorin e parë të vitit 2021. Ky projektligj, nëse votohet në Kuvendin e Kosovës edhe në leximin e dytë dhe shndërrohet në ligj, do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor 2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike. Humbjet e deritashme në ekonominë e Kosovës, sipas Odës Ekonomike të Kosovës, të shkaktuara nga pandemia, vlerësohen të jenë 1 miliard euro.
Përfaqësuesit e gastronomëve, gjatë një proteste kundër masave kufizuese, ia kishin dorëzuar “çelësat” e bizneseve të tyre Qeverisë së Kosovës. Për këtë arsye, të gjitha subjektet ekonomike në Kosovë, disa herë kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që votojnë projektligjin. Pasi sipas tyre, vetëm “veprimi i shpejtë, i përcjellë me masa që adresojnë në mënyrë proporcionale dëmin e shkaktuar në ekonomi, është thelbësor për shpëtimin e ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga pandemia COVID-19”.
Qeveria e Kosovës, në kuadër të Fondit për rimëkëmbje ekonomike deri më tani ka ndihmuar bizneset edhe me 60 milionë euro. Nga kjo shifër, kanë përfituar mbi 90 mijë biznese me mbi 200 mijë punëtorë.
Ndihma e deritanishme
Qeveria e Kosovës, në kuadër të Fondit për rimëkëmbje ekonomike deri më tani ka ndihmuar bizneset edhe me 60 milionë euro. Nga kjo shifër, kanë përfituar mbi 90 mijë biznese me mbi 200 mijë punëtorë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.