Konferenca e donatorëve i tejkaloi pritshmëritë në totalin e shumës së siguruar për financimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit. Por, 74% e kësaj shume është borxh me kushte të buta. Sa efektiv është marrja e këtij borxhi. Flasin ekspertët dhe përfaqësuesja e Bankës Botërore. Zbardhen interesat e kredisë së Italisë, projektet ku do të përdoren fondet e Francës dhe kreditë e Bankës Botërore
Nga Dorina Azo
Qeveria bëri “bingo” në kërkesën e saj për donacione për rindërtimin pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit. Nga 1 miliardë euro që ishin vlerësuar nevojat e rindërtimit bazuar në raportin e Vlerësimit të Nevojave Pas Fatkeqësisë së Tërmetit, ajo arriti të sigurojë 115% të kësaj shume, ose 1.15 miliardë lekë. Por, 74% e tij është borxh me kushte të buta, që nëse do të përdorej përnjëherë do ta rriste borxhin publik me 7 pikë përqindjeje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Ekspertët e ekonomisë arrijnë në konkluzionin se përdorimi i kredive për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti do të ndikojnë në rritjen e borxhit publik dhe deficitit. Azmi Stringa pedagog në Universitetin e Nju Jorkut tha se pavarësisht kohëzgjatjes së disbursimit të kredive ato do të rrisin borxhin publik në nivelin e 72 për qind.
Sipas tij, kjo vjen për shkak të ngushtimit në vite të hapësirave fiskale korrigjuese të vendit dhe mosrealizimit të objektivit për ta mbajtur borxhin nën 60 për qind të PBB-së. “Sot do të kishim më shumë hapësirë për të shpenzuar për rimëkëmbjen nga tërmeti. Madje, me intensitet të lartë. Fatkeqësisht vendi ynë është larg realizimit të objektivave të vendosura për borxhin publik, detyrimeve të prapambetura, reformës në sektorin e energjisë”, u shpreh Stringa. Sipas tij fatura e borxhit do të paguhet nga shoqëria.
Edhe për ekspertin e ekonomisë, Arben Malaj përdorimi i kredive për zonat e tërmetit do të rrisë presionin ndaj borxhit dhe deficitit buxhetor nëse nuk do të ketë rritje ekonomike. Malaj shpjegon se nëse rritja ekonomike vijon nga 2.4 për qind në 4.1 për qind presionet ndaj treguesve si borxhi publik dhe deficiti do të zbuten në planin afatmesëm.
Banka Botërore rekomandon që të bëhet kujdes me përzgjedhjen e projekteve, me qëllim minizimin e efekteve negative në ekonomi. Përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në vendin tonë, Maryam Salim thotë se nëse do të zgjidhet projekti i duhur për zbatim, efekti te rritja ekonomike dhe borxhi publik do të jetë pozitiv.
“Nëse këto projekte zgjidhen me kujdes për të përmirësuar stokun e kapitalit prodhues që përdor ekonomia, këto do të kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe në këtë mënyrë do të përmirësojnë kapacitetin e shërbimit të borxhit të vendit”, vlerësoi ajo.
Sipas raportit për vlerësimin e kostove të hartuar nga banka Botërore, qeveria, Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara, tërmeti vlerësohet të ketë shkaktuar efekte që janë sa 6.4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në dëme dhe në 1.1 për qind të PBB-së në humbje.
Si rezultat i tërmetit, rritja reale e PBB-së gjatë vitit 2019 dhe 2020 vlerësohet të jetë më e ulët me efektet e humbjes së kapacitetit që kufizojnë rritjen gjatë periudhës afatmesme. Ekonomia shqiptare parashikohet të jetë rritur me rreth 2.4 për qind në vitin 2019, dhe 3.2 për qind në vitin 2020 nga një bazë fillestare para tërmetit, që vlerësohej rritje prej 2.9 për qind dhe 3.5 për qind, respektivisht.
Kreditë dhe donacionet
Në total nga konferenca ndërkombëtare e donatorëve, “Së bashku për Shqipërinë” u mblodhën 1,15 miliardë euro fonde për rizhvillimin e zonave të shkatëruara. Nga totali i fondeve të mbledhura, sipas raportit zyrtar të dhënë nga Komisioni Europian reth 296 milionë euro janë donacione, ndërsa huatë arrijnë 853 milionë euro.
Nga totali i fondeve 3.4 milionë euro të tjera janë të ashtuquajtura in-kind (ndihma që jepen direkt në mallra-shtëpi ose shërbime). Huaja përbën 74 për qind të angazhimit total të përfituar, 25.6 për qind janë donacion dhe 0.4 për qind është angazhim në produkte konkrete.
Shtetet anëtare të BE-së, Komisioni Europian dhe Banka Europiane e Investimeve kanë dhënë gjithsej 246 milionë euro, nga të cilat 60 milionë euro është dhënë nga Franca, 86 milionë euro nga Italia dhe 100 milionë euro nga Banka e Zhvillimit të Këshillit të Europës.
Si do përdoren kreditë e Italisë, Francës e Bankës Botërore
Përfundimi i konferencës së donatorëve krijoi mjaft paqartësi se cilat janë projektet konkrete ku do të përdoren kreditë në ndihmë të rizhvillimit të zonave të prekura nga tërmeti. Burime nga Ambasada Italiane sqaruan për Monitor se fondi i dhënë me vlerë 65 milionë euro është kredi ndihme. Interesi i kredisë ende nuk është përcaktuar, por parashikohet që të jetë nën 1 për qind. “Kjo kredi është me kushte lehtësuese financiere, sepse përveç se do të ketë një interes të ulët, afër zeros, apo rreth 0,5 për qind, periudha e mospagimit do të jetë 8-10 vjet”,- u shprehën nga ambasada italiane.
Italia në kushtet e kredive të buta përfshin edhe programin e konvertimit të borxhit, të cilën nuk e kanë shtetet e tjera. Aktualisht vendi ynë ka një marrëveshje me shtetin italian për kredi me konvertim borxhi. Kredia e dhënë në konferencën e donatorëve nuk përfshihet në këtë program. Italia vendosi në dispozicion të Shqipërisë në konferencën e donatorëve edhe 21 milionë euro. Këto fonde të Koperacionit Italian do të jenë në dispozicion të qeverisë nëse do t’i nevojiten për përdorim nëpërmjet zbatimit të projekteve.
Përveç kësaj, ministri i jashtëm italian në konferencën e donatorëve, shpjegoi të gjithë ndihmën logjistike të vënë në dispozicion pas tërmetit. “E gjithë kjo është në vlerën e 4 milionë eurove”, shpjegoi ambasada italiane.
Pas ngjarjes së tërmetit, në konferencën e donatorëve, Franca u angazhua me 60 milionë euro kredi. Burime për Monitor nga Ambasada Franceze thanë se kjo kredi do të financojë rindërtimin e rrjetit të brendshëm të ujit të pijshëm të qytetit të Durrësit dhe fshatrave përreth.
“Duke qenë se rrjeti i brendshëm i Durrësit është i amortizuar, ku një pjesë e tij është ndërtuar që në vitin 1958 është i amortizuar. Kjo e bën tepër urgjente situatën për ndërhyrje në rrjetin e ujit të pijshëm. Për qytetin e Durrësit, Banka Botërore sapo përfundoi edhe ndërtimin e ujësjellësit të ri nga Fushë Kuqe deri në Durrës”, sqaruan burimet.
Në konferencën e Brukselit mes qeverisë shqiptare dhe asaj franceze u nënshkrua edhe marrëveshja për “Themelimin dhe ushtrimin e aktivitetit të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, (AFZH) të Proparco dhe të Expertise France në Shqipëri”. Marrëveshja u nënshkrua nga Kryeministri Edi Rama dhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Francës Jean-Vyes Le Drian për realizimin e projekteve me vlerë 100 milionë euro.
Mësohet se zbatimi i këtyre projekteve nuk ka në fokus ngjarjen e tërmetit. Shuma prej 100 milionë euro përfshin dy projekte me mbështetje buxhetore, një prej tyre është 50 milionë euro për barazinë gjinore dhe projekti tjetër me vlerë 50 milionë euro do të zbatohet për reformën e sektorit të energjisë.
Projekti i barazisë gjinore është bashkë financuar me Bankën Botërore, ku ajo financon 9,1 milionë euro, ndërsa AFZH financon 50 milionë euro. Për projektin në sektorin e energjisë AFZH financon 50 milionë euro, ndërsa KfW financon 100 milionë euro. Në formën e donacionit, nga Franca do të jepen 1 milionë euro.
Banka Botërore u angazhua për dhënie kredi me vlerë 106 milion euro. Përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri znj. Maryam Salim në intervistën për Monitor shpjegoi se 85 milionë euro kredi do të përdoren për strehimin. Sipas saj është rënë dakord me qeverinë që 6 milion euro kredi nga projekti aktual i Modernizimit të Sektorit të Shëndetësisë të përdoren për të mbështetur punën për rindërtimin e tre spitaleve.
Nga Banka Botërore do të vendosen 15 milion euro të tjera hua shtesë në dispozicion përmes të njëjtit projekt për të mbështetur nevojat e mëtejshme të rindërtimit në sektorin e shëndetësisë, përfshirë blerjen e pajisjeve dhe mobilieve të nevojshme për spitalet e dëmtuara.
Sot kemi borxh të patërhequr prej 880 milionë euro
Qeveria e Shqipërisë ka marrë premtimin e donatorëve në konferencën e posaçme për financimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit për hua të buta që arrijnë deri në 880 milionë euro, por nga ana tjetër në bilancet e qeverisë janë 930 milionë euro borxhe të nënshkruara dhe të patërhequra.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave borxhi i jashtëm i pasdisbursuar arriti në 930 milionë euro me rënie 40 milionë eurosh në raport me tremujorin e dytë te 2019. Ministria e Financave shpjegon se balanca e patërhequr përfaqëson fondet e angazhuara nga kreditori, por ende të papërdorura nga huamarrësi.
Rreth 341 milionë euro, ose 36 për qind e totalit të borxhit të padisbursuar janë kredi dypalëshe, ndërsa 548 milionë euro ose 59 për qind janë hua shumëpalëshe me banka ndërkombëtare dhe pjesa tjetër janë kreditorë privatë.
Përgjatë dekadës borxhi i nënshkruar, por i padisbursuar arriti kulmin në vitin 2015 me rreth 1,2 miliardë euro.
70 për qind të borxhit dypalësh të nënshkruar, por të patërhequr e ka Gjermania. Aktualisht qeveria shqiptare kanë të nënshkruar me qeverinë gjermane 243 milionë euro kredi të cilat ende nuk janë tërhequr. Kreditori i dytë më i madh është qeveria italiane me 56,8 milionë euro hua të nënshkruara me Shqipërinë, të cilat ende nuk janë disbursuar, e ndjekur nga Japonia dhe Kuvajti përkatësisht me 22 dhe 23 milionë euro.Në borxhin shumëpalësh të nënshkruar dhe të patërhequr, kreditori më i madh është IBRD me 273 milionë euro ose 50 për qind të borxhit shumëpalësh, e ndjekur nga EBRD me 178 milionë euro, IBD me 48 milionë euro dhe EIB me 35,7 milionë euro. Borxhi i nënshkruar dhe i patërhequr i Shqipërisë në fund të tremujorit të tretë të vitit 2019 ishte sa 21 për qind e borxhit neto të vendit.
Borxhi dy palësh jepet për financimin e projekteve të negociuara paraprakisht dhe ka interesa më të ulëta dhe afate me të gjata maturimi se borxhi që merret nga bankat ndërkombëtare. Pavarësisht shumave të mëdha të borxhit të nënshkruar dhe të patërhequr qeveria shqiptare i ka kufizuar disbursimet për shkak përcaktimeve ligjore që kërkojnë uljen e borxhit publik në total. Në konferencën e donatorëve të zhvilluar të Bruksel pak ditë më parë, Shqipëria arriti të angazhojë 1.15 miliardë euro, nga të cilat mbi 850 milionë euro ishin kredi me terma të butë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.