Programi i rindërtimit, që lindi fill pas tërmetit të 26 nëntorit dhe la pa banesa me mijëra familje, mbetet i pa detajuar mirë. Por për mazhorancën aktuale të paktën burimet e financimit janë të qarta. Kreu i komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj tha se 7 miliardë lekë do të dedikohen nga buxheti për këtë program porse deri në mes të vitit përmes konferencës së donatorëve do të sigurohen me shumë mundësi edhe 150 milionë euro për këtë program. Në fjalën e tij Ahmetaj mbrojti buxhetin e vitit të ardhshëm duke theksuar se pavarësisht situatës nuk preken investimet dhe shërbimet ndërsa deficit qëndron në nivelin 2.2 për qind. Ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë nuk ka kursyer edhe optimizimin duke u shprehur se me shumë gjasa deri në Krishtlindjen e vitit 2020 ndoshta 80 për qind e e familjeve do jene ne shtepine e tyre.
“Ne besojmë se deri në mes të vitit edhe përmes konferencës së donatorëve do të kemi një mbështetje me më shumë se 150 milionë euro ndërkohë 7 miliardë lekë janë angazhuar nga qeveria. Ky është buxheti. Thelbi i buxhetit 2020 është ky : ka një program të rëndësishëm rindërtimi që do fokusohet tek ndërtimi i banesave në Tiranë, Durrës në Thumanë, në Lezhë apo dhe diku tjetër ku janë dëmtuar apartamente apartamente apo banesa. Në të njëjtën kohë paralel do të ketë një politikë të tërë strehimi për ata që kanë nevojë për strehim afatgjatë nga ekobanesat në fshat tek bonusi i qerasë që në buxhet është 1 miliardë lekë. Kosto e akomodimit sot është 2.4 milionë USD në muaj që paguhet nga qeveria Do bëhet kalimi nga hotelet në apartamente që ti jepet frymë turizmit që mos ndikohet ekonomia. Për dy muaj duhet të mbarojmë këtë fazë. Duhet të fokusohemi tek zhdukja e pasojave, moslënia e asnjë qytetari pas, rindërtimi i vendit dhe rritja ekonomike. Pse e theksoj? Ky buxhet që kalojmë ne këtu nuk cënon asgjë, as paga, as pensione, as shërbime asnjë, shërbim publik, asnjë investim, asnjë subvencion. Përkundrazi ndjekin ritmin vjetor të rritjes. E dyta programi i rindërtimit fillon me një shumë dinjitoze. Deri në mes të vitit do të kemi edhe 150 milionë euro nga donatorët. Nuk e rrit borxhin. Deficiti shkon në 2.2 për qind.
Insitucionet e mbledhjes së të ardhurave kanë detyrë patriotike. Të bëjnë detyrën perfekte mos humbasim asnjë të ardhur vitin tjetër që të furnizojmë sa më mirë atë moto të kësaj mazhorance që ne nuk lënë askënd pas.
Mendoj që qeveria është e angazhuar 24/7 ditë të javës dhe me fillimin e rindërtimit me synimin që brenda vitit 2020 do kemi mbyllur një pjesë shumë të madhe të rindëritmit dhe deri në Krishtlindje të 2019 do jenë pastruar gjithë rrënojat. Në Krishtlindje të 2020 me shumë mundësi 80 për qind e qytetarëve do jenë futur brenda në shtëpitë e tyre. Jam i bindur që në një ditë të jashtëzakonshme si kjo ne do ja dalim të fshijmë nga kujtesa dhe terreni gjithë traumën sociale” tha Ahmetaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.