Rindërtimi/ Ahmetaj: 21,8 mijë familje përfituan grante për rikonstruksionin e shtëpive; Rama: Janë kryer 60% e punimeve për shkollat

03/11/2020 11:54 AM 0 komente

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, në një komunikim për mediat, tha se për rindërtimin e zonave të dëmtuara nga tërmeti janë planifikuar nga buxheti 33,5 miliardë lekë.

Ahmetaj pohoi se nga totali i fondeve të granteve të rikonstruksionit të pallateve dhe shtëpive kanë përfituar deri tani 21,8 mijë familje. Në total, për rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta në pallate, janë në dispozicion rreth 2 miliardë lekë dhe 10 miliardë lekë për rindërtimin e shtëpive individuale.

“Programi i rindërtimit është program unik i krahasuar edhe me vende të tjera të zhvilluara, është tërësisht social ku shteti ka marrë përsipër të ndërtojë dhe dhurojë shtëpitë e reja për banorët e prekur. Janë 33,5 miliardë lekë të planifikuar në buxhet, sot janë 32 miliardë lekë të alokuara konkretisht për këto shtylla: 10 miliardë për ndërtimin e shtëpive individuale; 9,8 miliardë lekë grante të miratuara për rikonstruksionin e pallateve të dëmtuara. Deri tani janë 6 miliardë lekë të paguara nëpërmjet granteve. Gjithsej janë paguar 21,894 familje për rikonstruksionin. Ndërsa për infrastrukturën janë alokuar 2,48 miliardë lekë fonde.

Për banesat individuale kemi 2,500 të tilla për ndërtim brenda Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ku për disa bashki, si Kavajë, Manzë, Durrës ka nisur puna. Ende nuk ka nisur puna për bashkinë e Kamzës.

176 objekte kolektive janë në Bashkinë e Tiranës dhe në proces tenderimi 9 objekte shumëkatëshe për t’u ndërtuar në Kombinat. Janë tenderuar 11 objekte shumëkatëshe në lagjen “5 Maji””, nënvizoi ministri Ahmetaj.
Kryeministri Edi Rama tha se punimet për shkollat janë në fazë të avancuar dhe janë kryer 60% të punimeve, ndërsa në infrastrukturë 30%. Në total, tha Rama, janë 1,2 milionë m2 ku do të ndërtohet infrastrukturë, rrugë, kanalizime, trotuare dhe të gjitha do të jenë gati brenda 9-mujorit të parë të vitit të ardhshëm.

“Të gjitha familjet të bëjnë edhe pak durim, pasi rindërtimi ka pasur pengesë të madhe të krijuar nga karantina e përgjithshme. Edhe me donatorët kemi ecur ngadalë për shkak të procedurave administrative. Ata nuk japin fonde drejtpërdrejt te buxheti i shtetit dhe t’i lënë në dorë qeverisë menaxhimin. Kjo ndodh në të gjithë botën. Nga cilësia do të ketë standard të garantuar sipas vendeve të Bashkimit Europian, si për shtëpitë, apartamentet edhe shkollat. Nuk do të ketë ndryshim nga një apartament në mes të ish – Bllokut nga ai në Spitallë, Kavajë, Fushë-Krujë etj.”

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of