Rindërtimi/ Fondi Shqiptar i Zhvillimit hap garën për mbikëqyrësin e punimeve të pallateve e reja në 8 bashki

28/04/2021 4:10 PM 0 komente

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) hap garën për shërbime kolaudimi për pallatet e reja që do të ndërtohen në kuadër të procesit të rindërtimit.

Sipas dokumenteve të tenderimit shërbimi do të ofrohet për zonat e shpallura për zhvillim të detyruar në bashkitë Durrës, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Shijak, Mirditë dhe Vorë. Objekti i punës të kolaudatorit do të jetë të kontrollojë dosjen e objektit për të gjitha etapat e zbatimit të punimeve, afatin e përfundimit dhe vlerën e kontratës.

Vlera e kontratës të prokurimit për ofrimin e këtij shërbimi është 10,1 mln lekë. Burimi i financimit për shërbimet e kolaudimit është buxheti i shtetit, nga zëri i fondeve të programit të rindërtimit. Fondi në dispozicion për vitin 2021 për këto shërbime në total është në vlerën 17,5 mln lekëve. Afati i pranimit të kërkesave nga operatorët e interesuar është deri më 10 Maj.

Pas ngjarjes të tërmetit të 26 nëntorit 2019 rezultoi se në rang vendi ishin për t’u shembur 115 pallate, ku numri më i lartë rezultoi në Shijak në 30 pallate, 22 në Kurbin, 5 në Durrës, 8 në Kamëz, 10 në Kavajë, 19 në Vorë, 16 në Krujë, 4 në Lezhë dhe 1 në Mirditë. Në total për t’u riparuar ishin 242 pallate.

Numri më i lartë i shembjeve do të jetë për shtëpitë individuale apo siç njihen ndryshe shtëpitë private. Referuar shifrave të Ministrisë së Rindërtimit numri I tyre llogaritet në 1,523 objekte. Numri më i lartë i tyre është në Krujë në 814 dhe në Vorë në 369 shtëpi. Në Shijak do të shemben 99 shtëpi individuale  dhe në Kamëz 81. Për t’u riparuar janë 607 shtëpi individuale

Në total fatura e dëmeve e llogaritur nga qeveria, e cila u prezantua edhe në konferencën ndërkombëtare të donatorëve llogaritet në vlerën e 985,1 milionë lekëve. Kjo shumë planifikohet të financohet deri në vitin 2025 me 300 milionë euro, ose 30% të totalit, nga fondet buxhetore të qeverisë shqiptare, dhe pjesa tjetër prej 700 milionë eurosh nga donatorët dhe OJF-te të ndryshme, që janë angazhuar në këtë proces.

Në 2021 për programet e rindërtimit nga buxheti i shtetit do të përdoren 28 mld lekë, ku 12,4 mld lekë ishin të trashëguara nga vitin 2020.  Fondi i këtij viti prej 28 miliardë lekësh do të përdoret për të përballuar kostot për projektet e miratuara dhe të pafinancuara të vitit 2020 (fonde të mbartura nga viti 2020) si dhe projektet e reja me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of