Një tender i shpallur sipas praktikave të Bankës Botërore, pjesë e kredisë së dhënë për konektivitetin e rrugëve lokale dhe rajonale, tashmë është finalizuar me një kontratë që synon rikonstruktimin e rrugës turistike Tushemisht – Pogradec. Banka Botërore raportoi se kontrata është nënshkruar në muajin gusht, me vlerë 377 milionë lekë, apo rreth 3 milionë euro dhe është fituar nga bashkimi i kompanive JV “4 A-M” SHPK & “GARDEN LINE”.
Procedura, që në shpalljen e saj, ka pasur interes të lartë pjesëmarrje dhe nga të dhënat e publikuara vihet re se nuk kanë munguar kompanitë më të mëdha në vend të cilat janë të angazhuara paralelisht me projekte të tjera. Disa prej emrave që bien në sy janë Gjoka Konstruksion, që ofroi 572 milionë lekë për të ndërtuar rrugën Tushemisht-Pogradec, apo Sallillari sh.p.k. me ofertë 376 milionë lekë apo Gjikuria së bashku me një kompani tjetër me ofertën 448 milionë lekë.
Nga totali prej 9 pjesëmarrësish, në tender është refuzuar vetëm një kompani që sipas sqarimit që jep Banka Botërore nuk përmbushte kriteret e kërkuara.
Projekti për konektivitetin e rrugëve lokale dhe rajonale u miratua vitin e shkuar nga Banka Botërore dhe përfshin një financim prej 50 milionë dollarësh. Ai ka në total katër komponentë, ku kryesori, që ka edhe vlerën 46.88 milionë, parashikon kostot e ndërhyrjeve për të përmirësuar aksesin. Një rast i ngjashëm që përfshin ky komponent është rruga Tushemisht-Pogradec. Komponenti i dytë përfshin ndërtimin e kapaciteteve për bashkitë, me kosto 1 milion dollarë ndërkohë që komponenti i tretë mbështet zbatimin me vlerë 2 milionë dollarë dhe në fund ajo që quhet tarifë finale, me një vlerë 0.12 milionë dollarë.
Projekti parashikon që përveç rrugës së Tushemishtit të bëhen ndërhyrje në rrugën e Thethit apo atë të Semanit në Bashkinë e Fierit. Data e rishikuar e mbylljes së projektit është parashikuar të jetë 31 dhjetori 2022.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.