Flet Mehmet Hasalami, Drejtor i Programeve të Zhvillimit në Fushën e Minierave dhe Industrisë
Ndërtimi i banesave të shembura nga tërmeti nëpërmjet procesit të rindërtimit ka zgjuar interesin për prodhimin e materialeve ndërtimore.
Mehmet Hasalami, Drejtor i Programeve të Zhvillimit në Fushën e Minierave dhe Industrisë, bëri të ditur se lejet minerare për këtë kategori, të dhëna subjekteve të ndryshime, kanë vijuar të shfrytëzohen në mënyrë korrekte për të plotësuar kërkesën që mund të vijë si efekt i rindërtimit.
Nga ana tjetër, ai thekson se nga 572 leje minerare aktive në sektor, vetëm 11 prej tyre kanë kërkuar pezullim të përkohshëm, për shkak të vështirësive që kanë ardhur nga pandemia. Të paktën deri në periudhën e fundit të raportimit, planet e investimit ishin zbatuar nga kompanitë. Ndërkohë mbetet të shihet sesi do të vijohet me pjesën tjetër të vitit.
Në fillim të vitit 2020 dhe konkretisht deri në muajin mars, të gjitha subjektet që zotërojnë leje minerare, kanë zhvilluar aktivitetin e tyre në përputhje të plotë me strategjinë e zhvillimit të sektorit minerar dhe projekt-programet e zhvillimit të përcaktuara për vitin 2020, edhe pse çmimi i mineralit të kromit prej më shumë se një viti ka një ulje të konsiderueshme.
Me shfaqjen e pandemisë, si në të gjithë sektorët e tjerë, edhe në këtë sektor pati ulje të prodhimit minerar.
Duhet të theksojmë se nga 572 leje minerare aktive (ku përfshihen metaloret, jometalorët dhe materiale ndërtimore), vetëm 11 prej tyre kanë kërkuar, referuar ligjit minerar, pezullim të përkohshëm të aktivitetit. Gjithashtu nuk ka pasur problem mes punëmarrësve dhe punëdhënëseve gjatë kësaj periudhe, pasi të dyja palët kanë respektuar kontratat kolektive dhe kodin e punës.
Me rëndësi është se asnjë subjekt nuk ka kërkuar mbylljen përfundimtare të aktivitetit minerar, por vazhdon puna normalisht. Me marrjen e masave nga qeveria për ndërtimin e pallateve dhe banesave të shkatërruara nga tërmeti ka pasur një interesim të veçantë dhe natyrisht edhe angazhim për prodhimin e materialeve ndërtimore për të plotësuar në kohë kërkesat për këto materiale të tilla si inerte etj..
Gjithashtu, pavarësisht nga ulja e konsiderueshme e çmimit në tregjet ndërkombëtare dhe bllokimet e përkohshme si rezultat i pandemisë mbi 95% e subjekteve vazhdojnë normalisht aktivitetin minerar dhe prodhimin e mineralit te kromit.
Kompanitë kryesore që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri si “AlbChrome” sh.p.k. ka investuar në teknologjinë e shfrytëzimit dhe përpunimit të mineralit, në objektet të tilla si: Ndërtimi i pusit të thellësisë në Minierën e Kromit Bulqizë, i cili lehtëson prodhimin e mineralit të kromit nga thellësitë e minierës Bulqizë, ul kostot e prodhimit, krijon kushte më të favorshme për punonjësit e minierës.
Njëkohësisht nga kjo kompani është investuar edhe në hapjen e traverbankut Klos Bulqizë, me gjatësi mbi 5 km, i cili do të realizojë shkarkimin e ujërave nga thellësitë e minierës Bulqizë dhe transportin e mineralit nëpërmjet këtij traverbanku. Investimet në këto dy objekte shkojnë rreth 20 milionë euro.
Në sektorin minerar dhe konkretisht në shfrytëzimin dhe përpunimin e mineralit të bakrit operon shoqëria “Tete Albania Mining” me Fabrikën e Pasurimit të Bakrit. Në këtë fabrikë janë investuar rreth 14.000.000 USD, ndërkohë që impakti ekonomik për zonën e Mirditës është rreth 5-6 milionë USD/vit. Impianti është dizenjuar për të prodhuar edhe koncentratin e Zinkut dhe Plumbit. Gjithashtu janë zhvilluar të gjitha punimet përgatitore për shfrytëzimin e vendburimit Vllahne.
Si ka qenë realizimi i planeve të investimit nga ajo që keni konstatuar nga monitorimet e kryera?
Në përgjithësi, gjatë monitorimeve të lejeve minerare është vënë re se, subjektet minerare, pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia, kanë zbatuar planin e investimeve të miratuar nga strukturat përgjegjëse.
Sa leje minerare janë aktualisht aktive në vend dhe çfarë parashikohet të ndodhë me zonat që janë të lira, a do të ketë procedura konkurruese në vazhdim?
Aktualisht janë aktive 9 leje minerare kërkim-zbulimi dhe 572 leje minerare shfrytëzimi. Referuar strategjisë së zhvillimit në sektorin e industrisë minerare, ligjit minerar dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, nga qeveria janë parashikuar zhvillime të rëndësishme në sektorin minerar dhe kryesisht në zhvillimin e vendburimeve të mineralit të kromit, të mineralit të bakrit, të mineralit të ferro – nikelit dhe nikel – silikatit, të vendburimeve me material ndërtimor dhe të gurëve dekorativ.
Natyrisht, edhe nga subjekte të ndryshme ka një interes të veçantë për investime në këto zona të reja minerare dhe për rrjedhojë, do të ketë dhe procedura të reja konkurruese për zhvillimin e këtyre zonave. Një rëndësi e veçantë, pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia, i është kushtuar mbrojtjes së mjedisit gjatë ushtrimit të aktivitetit minerar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.