Rindërtimi/ Për 2021 do të pakësohet fondi për zhvillimin e zonave të reja në Kombinat dhe te 5 Maji në Tiranë

12/07/2021 3:05 PM 0 komente

Rreth 14,3 miliardë lekë, sipas vendimit të miratuar në gusht të 2020 qeveria vendosi nga buxheti i shtetit për financimin dhe rindërtimin e pallateve dhe ndërtesave publike, në zonat e reja për zhvillim në njësitë administrative nr.4 e 8, zona “5 Maji”, dhe njësinë administrative nr.6, zona Kombinat.

Për vitin 2020 fondi i miratuar në buxhetin e shtetit, i cili i kaloi Bashkisë së Tiranës në formën e transfertës së pakushtëzuar ishte në masën e rreth 2,8 mld lekëve. Komisioni i Shtetëror i Rindërtimit në një vendim të muajit korrik kërkon pakësimin e fondit që do të përdoret për 2021 për zhvillimin e zonave të reja në Tiranë.

Në total për Tiranën është kërkuar pakësim të fondit me 1,5 mld lekë, ku 1 mld lekë i përkasin projektit për zhvillimin e zonave të reja te “5 Maji” dhe në Kombinat dhe 500 mln më pak do të përdoren për përmirësimin e infrastrukturës publike të zonave e reja. Ndryshimet e vendimit për ulje të fondit i janë propozuar për miratim Këshillit të Ministrave.

“Në mbështetje të Aktit Normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, të Vendimit nr.878, datë 24.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, organizimin e veprimtarive dhe rregullat e funksionimit të Komisionit Shtetëror të Rindërtimit”, Komisioni Shtetëror i Rindërtimit vendosi të miratojë ndryshimin e VKM-së Nr. 645, datë 3.8.2020 “Për përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat) dhe ndërtesave publike, në zonat e reja për zhvillim, në njësitë administrative nr.4 e 8, zona “5 Maji”, dhe njësinë administrative nr.6, zona Kombinat, bashkia Tiranë” të ndryshuar”, duke pakësuar përdorimin e fondit të rindërtimit për vitin 2021, në masën 1,000 000 000 lekë”, përcaktohet në vendimin e Komisionit të Rindërtimit.

Për zhvillimin e zonave në Tiranë është miratuar nga Komisioni i Rindërtimit që për 2021 të pakësohet me 500 mln lekë fondi për zhvillimin e infrastrukturës publike të tyre.

Sakaq nga Komisioni Shtetëror për rindërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të dëmtuara, në zonat e shpallura për zhvillim të detyruar në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë është propozuar shtim i fondit me vlerë 1 mld për Fondin Shqiptar të Zhvillimit që është zbatuese e projekteve. Në total për zbatimin e programeve të rindërtimit për këtë zona nga buxheti i shtetit do të përdoren 16,1 mld lekë. Në 2020 u miratua vendimi për përdorimin e 3,2 mld lekëve nga FSHZH për zhvillimin e detyruar të këtyre zonave.

Pas ngjarjes së tërmetit në 2019, në total në vend u shembën 115 pallate të dëmtuara, ku numri më i lartë rezultoi në Shijak në 30 pallate, 22 në Kurbin, 5 në Durrës, 8 në Kamëz, 10 në Kavajë, 19 në Vorë, 16 në Krujë, 4 në Lezhë dhe 1 në Mirditë. Në total për t’u riparuar ishin 242 pallate.

Në 2020 pandemia nga Covid-19 dhe zbatimi i karantinës 3 mujore shtyu në kohë ndërhyrjet nga programet e rindërtimit në Shqipëri. Ministria e Financave  nëpërmjet një akt nënligjor përcaktoi se fondet e akorduara për rindërtimin (korente dhe kapitale), të cilat rezultojnë të pashpenzuara në fund të vitit buxhetor 2020, trashëgohen në vitin 2021 dhe përdoren për të njëjtin qëllim. Nga viti i kaluar u trashëguan për përdorim këtë vit 12.4 miliardë lekë. Gjithsej fondi për rindërtimin më 2021 është 28 miliardë lekë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of