Rindërtimi, shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti do përjashtohen nga llogaritja e eficencës të energjisë

11/03/2021 10:00 AM 0 komente

Apartamentet dhe shtëpitë individuale që po ndërtohen nga programet e rindërtimit do të përjashtohen nga llogaritja e përfomancës të energjisë të ndërtesave.

Vendimi i qeverisë për përjashtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti nga ligji i përfomancës të energjisë u botua në Fletoren Zyrtare. “Përjashtohen nga zbatimi i ligjit nr. 116/2016, “Për performancën e energjisë së ndërtesave”, objektet që do të ndërtohen në zbatim të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, dhe ndërtimi i të cilave miratohet nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit”, thuhet në vendim.

Zbatimi i programeve për rindërtimin e banesave individuale, objekteve arsimore dhe infrastrukturën publike nisi të zbatohet në qershor të 2020. Programet për rindërtimin e banesave kolektive nisën në muajin korrik dhe parashikohet të përfundojnë në pranverën e 2021.

Në total në vend janë shembur 115 pallate, ku numri më i lartë rezulton në Shijak në 30 pallate, 22 në Kurbin, 5 në Durrës, 8 në Kamëz, 10 në Kavajë, 19 në Vorë, 16 në Krujë, 4 në Lezhë dhe 1 në Mirditë. Në total për t’u riparuar janë 242 pallate.

Numri më i lartë i shembjeve është te shtëpitë individuale apo siç njihen ndryshe shtëpitë private. Referuar shifrave të Ministrisë së Rindërtimit numri i tyre llogaritet në 1,523 objekte. Numri më i lartë i tyre është në Krujë në 814 dhe në Vorë në 369 shtëpi. Në Shijak do të shemben 99 shtëpi individuale dhe në Kamëz 81. Për t’u riparuar janë 607 shtëpi individuale.

Sakaq, metodologjia llogaritjes së performancës së energjisë së ndërtesave merr në konsideratë disa elementë, si: izolimin, kpacitetin termik, sistemet e ndriçimit, kondicionimit të ajrit, ngrohja etj. Plotësimi i parametrave shënohen në certifikatën e performancës së energjisë.

Në ligj përfshihen gjashtë kategori përjashtuese nga llogaritja e eficencës të energjisë, si dhe parashikon kategori të tjera ndërtesash shtesë, që do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kategoritë që përjashtohen:

-Ndërtesat që gëzojnë mbrojtje në kuptim të legjislacionit në fuqi “Për trashëgiminë kulturore”, për aq sa përputhja e tyre me kërkesat minimale të performancës së energjisë do ta ndryshojë në mënyrë të papranueshme karakterin ose pamjen e tyre.

-Ndërtesat e përdorura si vende kulti për ushtrimin e veprimtarive fetare.

-Ndërtesat e përkohshme me një kohë shfrytëzimi jo më shumë se 2 vjet, kantieret industriale, punishtet dhe ndërtesat jobanimi, që shfrytëzohen për aktivitete bujqësore, me një kërkesë të vogël energjie dhe ndërtesa të tjera bujqësore jobanimi, që janë të rregulluara me akte të veçanta ligjore për sa i përket performancës së energjisë në ndërtesë.

– Ndërtesat e banimit, të cilat janë përdorur ose janë destinuar për t’u përdorur për më pak se 4 muaj të vitit ose për një kohë të kufizuar përdorimi gjatë vitit dhe me një konsum të parashikuar energjie më pak se 25 për qind të vlerës që presupozon një vit të tërë përdorimi.

-Ndërtesat e veçuara me një sipërfaqe të shfrytëzueshme më pak se 50 m2.

-Kategori të tjera ndërtesash, të cilat do të jenë objekt përjashtimi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave./D.Azo

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of