Kompania Rio Tinto do të pezullojë projektin e minierës së litiumit në Serbinë Perëndimore, raportoi një agjenci lajmesh, duke cituar shefin ekzekutiv të kompanisë Rio.
Kompania dëshiron të ndërtojë një minierë pranë Loznicës në luginën perëndimore të lumit Jadar, për të nxjerrë litium, i cili përdoret për bateritë e makinave elektrike, dhe për boratet, të përdorura në panelet diellore dhe turbinat e erës.
Protestuesit janë kundër planit të kompanisë Rio Tinto për të nxjerrë litium në Serbi. Në javët e fundit, protestuesit kanë bllokuar rrugët, duke kërkuar që autoritetet t’i japin fund projektit. Ky reagim po shkakton probleme politike për koalicionin qeverisës të presidentit Aleksandër Vuçiç, përpara zgjedhjeve të prillit. Projekti prej 2.4 miliardë dollarësh i kompanisë, është pjesë e përpjekjeve të qeverisë serbe për të tërhequr më shumë investime dhe për të rritur ekonominë.
Kuvendi komunal i Loznicës anuloi të drejtën e përdorimit të tokës për minierën. Vesna Prodanoviç, shefe ekzekutive e Rio Sava Exploration, tha se kompania Rio do të pezullojë punimet. “Ne bëjmë thirrje për një dialog publik, që banorët të njohin të gjitha aspektet e projektit tonë.
Është jashtëzakonisht e vështirë që të ketë një debat të arsyeshëm në një fushatë kaq intensive dhe negative kundër minierave”.
Prodanoviç tha se Rio planifikonte të “rishqyrtonte dhe ndoshta të përmirësonte” zgjidhjet teknike për minierën. Në fillim të këtij viti, kompania Rio tha se projekti do të përmbushte të gjitha standardet mjedisore vendase dhe të Bashkimit Europian. Por kundërshtarët thonë se ky ndërtim do të shkaktonte dëme të pariparueshme.
Vuçiç ka thënë vazhdimisht se hapja e minierës do të varet nga rezultati i një studimi mjedisor dhe një referendumi mbi të.
Shqetësimet për mjedisin
“Teknologjitë e gjelbra, makinat elektrike, ajri i pastër – të gjitha këto varen nga një prej depozitave më të rëndësishme të litiumit në botë, e cila ndodhet pikërisht këtu në Jadar, Serbi”, njofton dikush me zë të ngjirur. “Ne i kuptojmë plotësisht shqetësimet tuaja për mjedisin. Rio Tinto po kryen analiza të hollësishme, në mënyrë që të jemi të sigurt që po e zhvillojmë projektin Jadar në përputhje me standardet më të larta mjedisore, të sigurisë dhe të shëndetit”.
Kjo reklamë e transmetuar në kanalin publik RTS, e shfaqur menjëherë pas lajmeve të mbrëmjes, përfundon me imazhet e disa shkencëtarëve dhe një çifti të ri që ecën drejt perëndimit: “Rio Tinto: Së bashku kemi mundësinë për të shpëtuar planetin”.
Ky imazh si një shpëtimtar ekologjik, është ndoshta i çuditshëm dhe i pabesueshëm për Rio Tinto, korporatën e dytë më të madhe të metaleve dhe minierave në botë.
Gjatë historisë së saj pothuajse 150-vjeçare, kompania anglo-australiane, e cila në vitin 2020, deklaroi fitime pas tatimit me një vlerë prej 10.4 miliardë dollarësh (7.3 miliardë £), është përballur me akuza për korrupsion, degradim mjedisor dhe abuzim me të drejtat e njeriut.
Aktualisht kompania është duke luftuar një padi civile nga Komisioni i Sigurimeve dhe Shkëmbimeve të SHBA-së, që e akuzon për mashtrim në biznesin e saj të qymyrit në Mozambik. Kjo padi pason një gjobë prej 27.4 milion paund në vitin 2017, nga mbikëqyrësi financiar i Mbretërisë së Bashkuar, për shkeljen e rregullave të transparencës.
Shefi ekzekutiv i operacioneve për nxjerrjen e hekurit në kompaninë Rio Tinto, Simon Trott, pranoi në fillim të këtij viti se kompania “nuk ishte krenare për historinë e saj” në minierën Marandoo në Australinë Perëndimore, ku me qindra artefakte të lashta u hodhën në një depo plehrash. Vitin e kaluar, shefi ekzekutiv i atëhershëm dha dorëheqjen, pasi kompania shpërtheu qëllimisht një shpellë antike, një nga vendet më të rëndësishme për kërkim arkeologjik në Australi.
Këtë verë, kompania më në fund ra dakord që të financonte një “vlerësim të ndikimit mjedisor dhe të të drejtave të njeriut” për ish-minierën e saj të bakrit dhe të arit në Panguna, në Papua Guinean e Re, ku pretendohet se 1 miliard ton mbeturina minierash, u hodhën në lumin Kawerong-Jaba dhe vazhdojnë të shkaktojnë dëme katastrofike./The Guardian