Riorganizimi i pakicës

27/04/2015 12:52 PM 0 komente

Biznesmeni që revolucionarizoi tregtinë me pakicë në Shqipëri, kur në vitin 2005 krijoi hipermarketin Euromax, i rikthehet sërish pasionit të vjetër. Grupi Balfin është në diskutime për të marrë rrjetin problematik të supermarketeve Carrefour. Detajet e marrëveshjes pritet të bëhen publike këtë javë

 

Almark shpk është emri i kompanisë që të shfaqet në krye të faturës gjatë një blerjeje në rrjetin e supermarketeve Carrefour. Kompania është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) në datën 3 prill 2015 dhe është 100% në pronësi të grupit të njohur shqiptar Balfin. Almark po menaxhon aktualisht Carrefour, teksa CMB Albania, që deri deri tani kishte në pronësi rrjetin e shitjes me pakicë, ka pohuar zyrtarisht se aktiviteti i shitjeve me pakicë nuk do të jetë më pjesë e portofolit të biznesit të saj në Shqipëri. Burime të afërta me çështjen bënë të ditura se CMB Albania ka kontratë ekskulzive me Greqinë për të importuar tashmë mallra me shumicë. Gjithsesi, marrëveshja pritet të finalizohet me detaje këtë javë.

Grupi Balfin po e merr Carrefour në një moment tepër të vështirë të aktivitetit të saj. Kompania ka akumuluar borxhe të mëdha ndaj furnitorëve, duke i acaruar ndjeshëm ata së fundmi, çka detyroi dy sipërmarrjeve Euronuovo dhe Luku të kërkonin mbledhjen me forcë të detyrimit. Në fillim të prillit 2015, asetet e CMB Albania-Carrefour u vunë në sekuestro konservative nga shoqëria përmbarimore “Studio Permbarimore L.D.C.” Ndaj kompanisë Luku, Carrefour ka një detyrim prej rreth 5.5 milionë lekësh dhe ndaj Euronuovo 3.52 milionë lekë.

Sipas bilancit të rrjetit më të madh në vend për nga xhiroja, Carrefour, (CBM Balkans) për vitin 2013, detyrimet afatshkurtra për vitin 2012 ishin mbi 867 milionë lekë për t’u rritur në vitin 2013 në 892 milionë lekë ose rreth 8 milionë dollarë. Ndonëse shifrat nuk janë bërë zyrtare, detyrimet vlerësohet të jenë rritur në 2014 dhe muajt e parë të 2015-s.

monitor 677.indd

Madje detyrimet nga furnitorët janë më të larta se gjithë detyrimet ndaj bankave për kreditë e mara afatshkurtra dhe afatgjata. Kështu detyrimet afatshkurtra si kredi të marra janë rreth 168 milionë lekë, ndërkohë që kreditë afatgjata janë rreth 304 milionë lekë, duke çuar në një total borxh ndaj bankave në rreth 472 milionë lekë. Ndërkohë vetëm detyrimet afatshkurtra (ndaj furnitorëve) për vitin 2013 janë raportuar 892 milionë pra rreth 2 herë më shumë se kredia. Kompania ka një kapital negativ për shkak të humbjeve të akumuluara në vite, ndërsa ka një raport të totalit të detyrimeve ndaj totalit të pasivit prej gati 120%, çka tregon se zinxhiri i supermarketeve është i zhytur në borxhe. Mjetet e veta të kompanisë (totali i aktiveve) janë më të ulëta se detyrimet ndaj furnitorëve, çka rrit probabilitetin e paaftësisë paguese të kompanisë.

Pikërisht saktësimi i situatës së borxheve është në qendër të diskutimeve mes dy operatorëve. CMB Albania pritet të qëndrojë në Shqipëri si operator me shumicë, për të shlyer një pjesë të madhe të detyrimeve që Almark nuk e ka marrë përsipër. Burimet garantojnë që furnitorët vendas do marrin paratë. Këtë e ka pohuar dhe CMB Albania në një deklaratë për shtyp.

 

Negociatat

Saktësimi i situatës së borxheve është në qendër të diskutimeve mes dy operatorëve. CMB Albania pritet të qëndrojë në Shqipëri si operator me shumicë, për të shlyer një pjesë të madhe të detyrimeve që Almark nuk e ka marrë përsipër. Burimet garantojnë që furnitorët vendas do marrin paratë. Këtë e ka pohuar dhe CMB Albania në një deklaratë për shtyp.

 

Nga Euromax te Carrefour: Një histori e gjatë shitblerjesh

Biznesmeni Samir Mane, aksioneri kryesor i grupit Balfin, njihet si njeriu që revolucionarizoi tregtinë me pakicë në Shqipëri, kur në vitin 2005 krijoi hipermarketin Euromax në Qendrën Tregtare Univers (QTU), që më pas u zgjerua në një zinxhir supermarketesh në rrethet kryesore të vendit.

Në maj të vitit 2008, z. Mane konfirmoi se kishte nënshkruar kontratën për shitjen e operatorit Euromax, ku blerësi ishte një kompani holandeze Weakstead bv dhe kompania shumëkombëshe me qendër në Serbi, Delta, që kanë një aktivitet shumë të madh në rajon. Vlera zyrtare e shitjes ishte 29 milionë euro. Në momentin që Euromax u shit, kishte krijuar një rrjet prej 14 njësish dhe një xhiro prej rreth 24 milionë eurosh në 2007-n.

Në vitin 2001, Euromax kaloi nën pronësinë e grupit belg Delhaize, pasi kjo e fundit bleu shoqërinë Delta. Në vitin 2012, Euromax regjistroi një qarkullim vjetor prej 38 milionë eurosh, sipas deklarimeve në tatime dhe humbje prej rreth 2.2 milionë eurosh.

Në fillim të vitit 2013, grupi Balfin ribleu Euromax nga belgia Delhaize, pasi kjo e fundit vendosi të largohej nga Shqipëria. Presidenti i Balfin, Samir Mane, “paralajmëroi” në atë kohë se kishte në plan ta rishiste Euromax-in, sigurisht me një çmim më të lartë se ai me të cilin e bleu nga belgët.

Dhe vetëm dy muaj më pas (në mars 2013), Balfin finalizoi shitjen e plotë të aksioneve të rrjetit të supermarketeve Euromax (23 supermarkete) te grupi Marinopulos (CMB Balkans), i cili deri atëherë ishte i pranishëm në Shqipëri vetëm nëpërmjet supermarketit Carrefour në qendrën tregtare TEG. Vlera e transaksionit nuk u bë publike.

Përmes blerjes së këtij rrjeti supermarketesh Carrefour synonte të zgjeronte me shpejtësi prezencën e tij në Shqipëri, pasi në atë kohë operonte vetëm me një hipermarket në qendrën tregtare Tirana East Gate.

 

Pakica: Në garë për 1.2 miliardë euro

Tregu i shitjeve me pakicë në Shqipëri vlerësohet nga INSTAT në rreth 850 milionë euro, sipas të dhënave nga Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve, por problemi kryesor vazhdon të mbetet informaliteti, për shkak se dyqanet e vogla nuk lëshojnë kuponë tatimorë dhe nuk deklarojnë xhirot reale. Nëse në treg do të llogariteshin edhe shitjet e dyqaneve të vogla që shesin pa fatura tregu, vlerësohet se ai xhiron rreth 1.2-1.3 milionë euro, ose rreth 40% më shumë se shifrat zyrtare.

Llogaritjet e studiuesve të tregut tregojnë se pjesa e shitjes me pakicë në rrjetet e organizuara mbetet e ulët në rreth 7-10% të totalit të tregut dhe se konkurrencës së fortë mes rrjeteve të supermarketeve të huaja si Conad, Carrefour dhe atyre vendase si Big Market dhe Eco Market i kundërvihet një shkallë e lartë informaliteti e dyqaneve të vogla.

monitor 677.indd

Big Market është aktualisht operatori më i madh i rrjetit të organizuar të supermarketeve, me një qarkullim vjetor prej rreth 2.5 miliardë lekë në 2013-n dhe vlerësohet se ka rreth 2% të tregut në total.

Conad është operatori i dytë, me një qarkullim vjetor prej rreth 2.4 miliardë lekë në 2013-n, me një rritje të lartë vjetore për shkak të hapjes së hipermarketit në City Park, pas ikjes së Mercator në fund të 2012-s.

Carrefour mbetet ndër më të mëdhenjtë në tregun e shitjeve me pakicë, me xhiro 1.63 miliardë lekë.

Ndërkohë që Eco Market, një tjetër brand me pronësi shqiptare, po rritet shpejt në treg dhe ka marrë disa përqindje të tregut nga dalja e Mercator. Kompania deklaroi një qarkullim vjetor prej 1.12 miliardë lekësh në 2013-n.

monitor 677.indd

 

Pse po “dështojnë” të huajt?!

Në ngritjen e zhvillimit të zinxhirëve të tregtisë me pakicë duket se vendasit po i mundin të huajt, me gjithë emrin dhe strategjitë e zhvilluara ndërkombëtare që ata mund të përdorin. Historia e shkurtër shqiptare e tregtisë me pakicë të organizuar ka shënuar raste të shumta të largimit të kompanive të huaja, nga grupi Delhaize, te Mercator e tani Carrefour. I vetmi që po reziston është rrjeti i supermarketeve Conad, që ka ecur duke segmentuar shtresën e mesme dhe duke shfrytëzuar njohuritë dhe preferencat e shqiptarëve për produktet italiane.

Ndryshe nga zinxhirët e huaj, Big Market dhe Eco Market kanë arritur të rrisin peshën e tyre në treg vitet e fundit, duke shfrytëzuar dhe dobësitë e konkurrentëve të huaj.

Menaxherët e retail thonë se në tregtinë me pakicë po ecin mirë kompanitë që kanë zgjedhur ta menaxhojnë biznesin me shqiptarë. Vendasit e njohin shumë më mirë psikologjinë dhe mënyrën e sjelljes së konsumatorëve, sidomos kur bëhet fjalë për artikuj të konsumit bazë. Këtu ata kanë një avantazh edhe në përzgjedhjen e gamës së produkteve ushqimore, sepse ndryshe është menyja e ngrënies së shqiptarëve, ndryshe e të huajve.

Biznesi i pakicës së organizuar vlerësohet si mjaft i vështirë nga operatorët, që kërkon shumë punë dhe ka marzhe të ulëta fitimi, ndërkohë që konkurrenca si rrjedhojë e informalitetit (dyqanet e vogla që punojnë pa fatura) është e lartë, duke zbehur potencialet e tregut që mbetet ende i nënzhvilluar.

 

Rasti Mercator

Më 31 dhjetor 2012, hipermarketi dhe marketet e tjera ekspres të zinxhir slloven Mercator mbyllën dyert në Shqipëri, pas një eksperimenti që zgjati vetëm tre vjet. Kompania hyri fillimisht në treg me strategjinë e “zgjedhja më e mirë”, me çmime relativisht të larta, por u detyrua më pas të ulë çmimet, për shkak se konsumatorët shqiptarë nuk ishin të gatshëm të paguanin shtrenjtë për produktet e panjohura sllovene, ndryshe nga Conad, i cili ka ecur në tregun shqiptar me çmime të larta, duke shfrytëzuar njohuritë dhe preferencat e shqiptarëve për produktet italiane. Mercator, që prej hyrjes së tij në treg, nuk arriti ta zgjerojë aktivitetin, përballë konkurrencës nga operatorët kryesorë, Euromax, Conad e më pas Carrefour. Sipas të dhënave të siguruara nga “Monitor” (bazuar në raportin vjetor të kompanisë Mercator dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve), xhiroja vjetore e saj për vitin 2011 rezultoi 5.4 milionë euro, nga 5 milionë euro në 2010-n, në krahasim me një qarkullim vjetor prej 21.7 milionë eurosh të Euromax dhe 13.5 milionë euro të Conad.

Ekspertë të afërt me kompaninë, pohojnë se Mercator krijoi detyrime të mëdha, për shkak se të ardhurat nga shitjet u përdorën për investimet e infrastrukturës (raftet, apo brandimi i dyqaneve), duke e lënë kompaninë pa likuiditetin e nevojshëm për të paguar detyrimet e tjera.

Të prirë drejt çmimeve të lira, shqiptarët preferojnë të sakrifikojnë në cilësinë e mallrave dhe shërbimeve, dhe kjo është edhe më fortë në kushtet e krizës ekonomike kur fuqia blerëse është ulur.

Ekspertët e tregut pohojnë se në tregtinë me pakicë, gjithnjë duhet të operohet duke pasur parasysh klientin me të cilin ke të bësh, në rastin e Shqipërisë sipas tij, konsumatori ndjek çmimet e ulëta. Tendenca është të blihen artikuj me çmim të lirë dhe sasi më të madhe, megjithëse cilësia mund të jetë më e ulët.

O.Liperi

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of