Me ndryshimet e fundit buxhetore, të cilat kanë marrë miratimin e Kuvendit të Shqipërisë borxhi publik i synuar këtë vit është 71.7% të PBB-së nga 78.8.% që ishte planifikuar në fillim të vitit, njoftohet në dokumentet që shoqëruan rishikimin e fundit buxhetor.
Me parashikimet e reja qeveria pritet të shtojë intensitetin e shpenzimeve publike në pjesën e mbetur të vitit, pasi deri në fund të 7 mujorit balanca buxhetore ishte pozitive me suficit mbi 15.3 miliardë lekësh. Sipas rishikimeve të fundit në 5 muajt e mbetura përveç të ardhurave qeveria do të shpenzojë edhe deficitin e planifikuar për këtë vit prej 83 miliardë lekësh dhe suficitin në dispozicion prej 15 miliardë lekësh, gjithsej rreth 99 miliardë lekë
Sipas analizës më të fundit nga Ministria e Financave deficiti buxhetor për periudhën 7-mujore, sipas parashikimit në fillim të vitit, ishte -45.5 miliardë lekë. Në fakt, 7-mujori rezultoi me një suficit buxhetor prej 15.3 miliardë lekësh.
Pritshmëritë për vitin 2022 janë që deficiti buxhetor për vitin 2022 të jetë 4.2 për qind, nga 5.4 për qind i parashikuar në fillim të vitit. “Për rrjedhojë borxhi publik për vitin 2022, sipas parashikimeve, pritet arrijë nivelin 71.7 për qind e PBB, nga 78.8 për qind e PBB i parashikuar në fillim të vitit” ka argumentuar Ministria e Financave.
Sakaq kufiri për rritjen vjetore të totalit ekzistues të stokut të borxhit me 2022, pa përfshirë efektet e mundshme prej ndryshimit të kursit të këmbimit është deri në 48,3 miliardë lekë.
Për huamarrjen totale neto vjetore, përfshirë huamarrjen e brendshme dhe atë të huaj, tavani është 33 480 milionë lekë, ndërsa për rritjen vjetore të garancive të qeverisjes qendrore në dobi të palëve të treta përfituese deri në 14, 9 miliardë lekë.
Stoku i borxhit publik vlerësohet të arrijë në 1,431,703 milionë lëke, ku toku i borxhit te qeverisjes qendrore, 1,361,245 milionë lekë, stoku i borxhit të garantuar nga qeverisja qendrore, 69,8 miliardë lekë dhe stoku i borxhit të qeverisjes vendore, 650 milionë lekë.
Shqipëria është një nga vendet me raportet me të larta të borxhit me PBB. Në rajon renditemi të dytët pas Malit të Zi.
Institucionet financiare ndërkombëtare dhe Komisioni Europian japin shifra të ndryshme për rezultat e borxhit publik shqiptar.
Psh komisioni Europian raportoi se publik në Shqipëri arriti në 82.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në qershor 2022, ndërsa për të njëjtin muaj Ministria e Financave raportoi se treguesi ishte pak me shumë se 69% e PBB-së./B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.