Flet Ilir Beqaj, sekretar organizativ i PS: Rritja e borxhit në 2009-n nuk solli të mirat e pritshme
Duket se ka nisur para kohe fushata për sistemin e ri të taksave, por në fakt, a ka ide të qarta se cila mund të jetë shkalla e duhur? Po për TVSH, a nevojitet një diferencim për grupmallra të caktuara?
Nuk do ta quaja fushatë për taksat. Por, për fat të mirë, në vend ka një debat për taksat dhe kjo falë programit të PS-së “Për një Rilindje Shqiptare” dhe ligjërimit politik të kryetarit, ekipit drejtues të PS-së, grupit të saj kuvendor.
Qëllimi i parë i taksave është ai që të mund të garantojnë të ardhurat e mjaftueshme për të mundësuar ruajtjen e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike, për të funksionuar sistemi gjyqësor, për të mbrojtur integritetin territorial të vendit, për të mbrojtur shëndetin e publikut nga kanosja e epidemive dhe, në kohët e sotme, për të mbajtur edhe angazhimet në një kontekst rajonal dhe global.
Qëllimi dytë duhet të jetë realizimi i rishpërndarjes së asaj që krijohet në shoqëri.
Një qëllim i tretë do të duhet të ishte edhe përdorimi i taksave si komponente zhvillimore. Me nxitje dhe shtysa në disa drejtime apo me frenime në drejtime të tjera. Ne në Shqipëri, këtë aspekt të tretë e kemi shumë të virgjër, sidomos si debat publik. Një përdorim efektiv i këtij qëllimi të tretë do të mund të kishte sjellë që qasje krejt tjetër ndaj mjedisit, por edhe mund të kishte sjellë një zhvillim krejt të ndryshëm të patundshmërisë në Shqipëri.
Gjykimi i parë për mendimin tim duhet bërë për raportin midis taksave direkte dhe indirekte. Taksat indirekte, quajtur ndryshe të konsumit, janë regresive që në gjenezën e tyre, për sa kohë kanë të njëjtën peshë por jo të gjithë njerëzit i shpenzojnë për konsum të gjithë ta ardhurat. Regresiviteti në taksimin e konsumit, pra në të ardhurat neto diponibël mund të mënjanohet apo zbutet me taksim progresiv të burimin ku krijohen të ardhurat.
Por duke qenë se të ardhurat më të përhapura janë ato nga puna, taksimi i punës është në njëfarë mënyre i pandershëm dhe duhet mbajtur në nivele sa më optimale. Prandaj duhet të ketë më shumë peshë taksimi tek kapitali pa dalluar asnjë formë të tij.
Tjetër gjykim ka lidhje me taksa të ulëta apo taksa të larta. Dhe taksat e ulëta lidhen me çfarë roli të qeverisë do të pranojmë. Taksa të ulëta do të thotë qeverisje e vogël. Por për mua thelbësore është që qeveria të jetë efektive. Në një vend të pazhvilluar, qeveria duhet të zhvillojë infrastrukturën. Në një shoqëri që u ofron mundësi të gjithëve dhe shërben sipas nevojës, është pranuar që duhet një rrjet i caktuar i mbrojtjes shoqërore dhe një sistem publik arsimor të paktën parauniversitar. Duhet po ashtu që dikush të marrë përsipër të rikuperojë pasojat e fatkeqësive natyrore, mesa duket të pashmangshme me çfarë është shënuar në memorien edhe moderne të historisë së njerëzimit. E djathta në SHBA është e deklaruar për qeverisje të vogël e për pasojë për taksa të ulëta, por një qeveri e tillë nuk e ka të lehtë të përballet me pasojat e ngjashme me Sandy.
Gjithë sa më sipër përzihen me sistemin e administrimit fiskal. Nuk mund të ketë taksa të mira apo të këqija nëse sistemi administrimit fiskal është joefektiv.
Në skicimin e sistemit të sistemit fiskal dhe në atë të administrimit fiskal duhet pasur parasysh qoftë sjellja konsumatore që mund provokojë një taksë e caktuar, qoftë shkalla e zbatimit të ligjit në rregullshmërinë e pagimit të taksave.
Debati aktual në Shqipëri më duket i përqendruar kryesisht tek funksioni rishpërndarës. Në programin e PS “Për një Rilindje Shqiptare” është përcaktuar se “rishpërndarja realizohet sipas parimit të progresivitetit”. Sa më shumë të bazohet fitimi te “fati”, njohjet e lidhjet me pushtetin, pozicionet monoplistike apo dominuese në treg, aq më i qartë duhet të jetë, për mendimin tim, progresiviteti.
Cili është komenti juaj për nivelin e borxhit, ku qeveria ka plan për ta rritur me buxhetin e ri 2013?
Buxheti i vitit 2013 do të jetë temë e nxehtë e debatit të javëve të ardhshme. Për fat të keq do të degjenerojë si vitet e mëparshme ku Sali Berisha do të vazhdojë të mashtrojë publikisht dhe do të miratojë një buxhet që ashtu si në 2–3 vitet e fundit do të ndryshohet disa herë gjatë vitit për t’u realizuar disa qindra dollarë më pak se miratimi fillestar. Paaftësia në hartimin e një buxheti të qëndrueshëm duket që në mosrespektimin e detyrimeve ligjore për ta paraqitur në Kuvend. Me një ligj në qershor 2008, projektbuxheti duhet miratuar në qeveri deri në 25 tetor të çdo viti dhe kryeministri duhet ta prezantojë në Kuvend brenda datës 31 tetor. Asnjë nga datat nuk është respektuar. Një proces i filluar me shkelje të ligjit nuk sa se si të vazhdojë dhe përfundojë me sukses.
A duhet stimuluar ekonomia me më shumë shpenzime? Në parim, pse jo! Por në 2009, në rastin tonë nuk dha ndonjë efekt sepse varet se si i programon shpenzimet, çfarë efektiviteti kërkon prej tyre dhe, sidomos, me çfarë korrektese i zbaton ato. Borxhi publik është rritur në vitet e fundit por nuk është shtuar punësimi, nuk është pakësuar varfëria, nuk është zbutur hendeku midis të pasurve dhe të varfërve. Para disa javësh ne në PS kemi denoncuar shpërdorimin e parave publike me reklama qeveritare. A mund të shpenzohen para sa për dy dërgesa ndërkombëtare postare me DHL për të njoftuar secilin prej 11 mijë personave që shpronësohen për interes publik? A nuk janë zbuluar rreth 150 milionë dollarë dëme me shpërdorime dhe korrupsion në 9 muajt e parë të këtij viti. Sigurisht që qeveria duhet të shlyejë faturat e papaguara të punëve publike “me listë” që po realizon, sepse kështu do të çlirojë shumë sipërmarrje. Nga ana tjetër, situata në tregun e brendshëm energjetik është skandaloze. Prandaj ne e kemi kapërcyer realisht tavanin ligjor të borxhit publik prej 60% e PBB. Për mua duhen pasur parasysh edhe faktorë të tjerë. Me çfarë kostoje e merr borxhin, cili është raporti i të ardhurave tatimore ndaj borxhit publik, a prodhon shtesa e borxhit një ritëm më të mirë të rritjes ekonomike? Kryeministri aktual ka tjetër axhendë, qeveria është e paaftë të përballojë qoftë edhe profesionalisht një ngarkesë të tillë, ndërsa mazhoranca është e pagojë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.