Rishpikja e zyrave

22/11/2019 10:00 PM 0 komente

Edhe nëse WeWork do të ishte në krizë, zyra do të duhej të shndërrohej gjithsesi. Kjo mund të çojë në një sistem me dy nivele

 

“Mua më duhet të punoj nga ora tetë e mëngjesit deri në pesë të pasdites”, u shpreh Martha, në vitin 1980. “Jam një nëpunëse zyre dhe mund të them që puna ime është shumë e mërzitshme”, shkruan The Economist.

Pjesa më e madhe e qindra miliona njerëzve që punojnë në zyra ndihen njësoj të mërzitur me punën e tyre, po ashtu si edhe Martha. Ambientet e zyrave kanë nevojë për një shndërrim total. Por, kriza te WeWork, një firmë real estate, me zyra moderne dhe hapësira të përbashkëta për startup-et teknologjike dhe që po revolucionon mënyrën sesi kompanitë dhe njerëzit punojnë, nxjerr në pah faktin se bizneset po përpiqen dhe po luftojnë që të dalin me një format të ri.

Zyra me një sipërfaqe të madhe, njësoj si fabrika, është një shpikje e dy shekujve të kaluar. Fabrika u krijua për shkak se makineritë me energji elektrike, kërkonin që punëtorët të mblidheshin në të njëjtin vend. Zyrat e mëdha u krijuan nga nevoja për të përpunuar një numër të madh dokumentesh në të njëjtin mjedis dhe në mënyrë që menaxherët ta kishin më të lehtë për të udhëzuar punonjësit mbi atë që këta të fundit duhet të bënin.

Në ditët e sotme, nëpërmjet internetit dhe pajisjeve të ndryshme kompjuterike, menaxherët mund të komunikojnë me punonjësit kudo ku ata të ndodhen. Nevoja për të pasur punonjës që punojnë në një hapësirë të vetme është reduktuar në mënyrë dramatike. Një modeli të ri mund t’i duhet kohë e gjatë deri sa të finalizohet, ashtu si energjia elektrike, edhe pse u shpik në vitin 1880, u desh që të kalonin shumë vite, dhe vetëm në 1920 fabrikat filluan që ta shfrytëzonin atë plotësisht.

Modeli i ri do të duhet të balancojë tre faktorë: dëshirën e shumë punëtorëve për një orar fleksibël; koston e lartë të mirëmbajtjes për firmat që kanë zyra me hapësira të mëdha dhe dëshirën për të bashkuar në një hapësirë të vetme punëtorët, me shpresën se kjo do të rrisë bashkëpunimin.
Njerëzit që punojnë nga shtëpia apo në ambiente të ndryshme, p.sh., në kafene, ia kursejnë vetes udhëtimin stresues për të shkuar në punë dhe mund të rregullojnë oraret e tyre që ato t’i përshtaten sa më mirë mënyrës së jetesës. Nga ana tjetër, ky fleksibilitet, u mundëson kompanive të ndryshme që të reduktojnë kostot e hapësirës.

Studimi i The Economist, që përfshin 75 firma të mëdha shërbimesh në Amerikë dhe në Britani tregon se kostot vjetore të qirave për punonjës kanë rënë me 15% gjatë 15 viteve të fundit, në 5,000 dollarë amerikanë. Në zyrat e “Deloitte” në Londër, një firmë konsulence, 12.500 njerëz kanë akses në këtë kompani, por vetëm 5,500 tavolina janë në dispozicion për punonjësit.

Hapësirat gjigante të përbashkëta mund të rezultojnë të jenë edhe armiqësore. Çdo pasdite, punonjësit duhet të pastrojnë hapësirën e tyre, njësoj sikur të fshinin të gjitha gjurmët e ekzistencës së tyre, sepse të nesërmen në vendin e tyre të punës mund të jetë ulur dikush tjetër. Kur punojnë të ulur pranë njëri-tjetrit, punonjësit vendosin kufje për të shmangur zhurmat që mund të vijnë nga kolegët ngjitur me ta.
Studimet thonë se një ambient i tillë krijon mundësinë për të hapur sa më shumë vende pune, por duke reduktuar në maksimum komunikimin ndërmjet tyre. Punonjësit me kualifikim të lartë mund të zmbrapsen nga kushte të tilla pune, prandaj për ata që duhet të përqendrohen në punë janë krijuar hapësira, të cilat janë më të qeta se të tjerat.

Ndriçimi më i mirë dhe ajri i kondicionuar synojnë t’i mbajnë punonjësit shëndetshëm. Ambientet e reja të Apple përfshijnë parqe të shumta, një park dhe një auditor që mund të akomodojë deri në 1000 persona. Objektivi kryesor, kur u krijuan ambiente të tilla qetësuese për punonjësit, ishte se ato do të nxisnin më shumë ide të reja tek punonjësit. E gjithë kjo duket si një zhvendosje drejt një stili krejtësisht të ri, i cili është edhe i vështirë për t’u arritur.

WeWork ofron shërbimin e një “ekonomie premium” në të cilin një gamë e gjerë punonjësish mund të përfitojnë disa avantazhe. Por frika se të ardhurat e saj nga qiraja mund të jenë të pamjaftueshme për të kompensuar detyrimet e saj prej 47 miliardë dollarësh ishin një arsye që Oferta Fillestare Publike u vonua. Ambientet e zyrës do të ndryshojnë edhe më tej.

Disa kompani bëjnë pyetjen nëse ia vlen që ato t’i kenë zyrat e tyre në qendrat e qytetit, ku kostoja e qirasë është shumë e lartë. Në një epokë të bashkëpunimit në distancë nëpërmjet programeve kompjuterike, nuk është e nevojshme që zyrat të vazhdojnë të jenë në zona ku qiraja është shumë e lartë, ato mund të zhvendosen në zona më të lira.

Një prej ideve të CEO-s të WeWork është se pa më të voglin dyshim, ambientet e zyrave të mesit të shekullit të 21 do të jenë shumë më ndryshe nga ato që janë sot, në të njëjtën mënyrë siç do të ndryshojë fabrika e teknologjisë së lartë nga mulliri Victorian.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of