Ristrukturimi dhe më pas COVID-19 vështirëson situatën e Albpetrol për licencën e furnizimit

31/07/2020 12:00 PM 0 komente

Kompania publike Albpetrol ka kërkuar që Enti Rregullator i Energjisë t’i japë më shumë kohë për të përgatitur dokumentet e nevojshme që çojnë më pas në licencimin e saj si furnizues i gazit natyror. Në një vendimit të fundit ERE ka sqaruar se kompania fillimisht në mars ka argumentuar se nuk mund të kishte gati dokumentet për shkak të ristrukturimit të kompanisë dhe se një pjesë e personave që merreshin me këtë detyrë ishin prekur nga reforma.

“Në vijim, me shkresën protokolluar në ERE nr. 291/2 prot, datë 02.03.2020, shoqëria “Albpetrol” sh.a., ka paraqitur në ERE kërkesën për shtyrje të afatit të depozitimit të dokumentacionit të munguar në aplikimin për licencim në aktivitetin e furnizimit të gazit natyror (shitje me pakicë), për shkak se shoqëria është në proces ristrukturimin dhe nga ky ristrukturim janë prekur punonjës të cilët e kishin për detyrë të merreshin me plotësimin e këtij dokumentacioni. Shoqëria “Albpetrol” sh.a. thekson se e ka të domosdoshme pajisjen me këtë licencë, duke qenë se në objektin e veprimtarisë së saj ka kryerjen e operacioneve hidrokarbure” thuhet në dokument.

Por teksa tashmë ERE ka nisur prej kohësh mbledhjet normale dhe diskutimin e vendimeve në kushtet edhe kur nga qershori janë hequr plotësisht kufizimet në vendimin për Albpetrol  sërish ka pasur mungesa dokumentacioni dhe ndaj është parë e arsyeshme që të shtyhet afati për përgatitjen e tyre. Sipas ERE Albpetrol me një shkresë të depozituar në fillim të korrikut ka argumentuar se gjatë muajve nga marsi dhe në vijim për shkak të situatës së pandemisë punonjësit kanë punuar nga shtëpia dhe ka pasur probleme me kordinimin.

“Për shkak të situatës së krijuar nga COVID -19, vendimit nr. 243, datë 24.03.2020, “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore” dhe masave që u morën në vijim të udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për parandalimin e përhapjes së COVID-19, shoqëria Albpetrol” sh.a. ka punuar me staf të reduktuar, orar të reduktuar dhe nga shtëpia. Kjo situatë ka çuar në vështirësi në lidhje me koordinimin dhe përgatitjen e dokumentacionit të kërkuar nga ERE në kuadër të licencimit të shoqërisë “Albpetrol” sh.a. në aktivitetin e furnizimit të gazit natyror.

Shoqëria “Albpetrol” sh.a. kërkon nga ERE shtyrjen me 3-6 muaj të afatit për plotësimin e dokumentacionit të munguar, pasi shoqëria e ka të domosdoshme pajisjen me licencën e furnizimit të gazit natyror (shitje me pakicë), duke qenë se në objektin e veprimtarisë së saj ka, kryerjen e operacioneve hidrokarbure në përputhje me Ligjin nr. 7746, datë 20.08.1993 “Për hidrokarburet”, i ndryshuar” thuhet në vendimin e ERE.

Lidhur me këtë Enti bën me dije se dokumentet do  të duhet të dorëzohen deri në 31 dhjetor 2020 teksa zgjatja e afatit të shqyrtimit për licencën të jetë deri në 6 janar 2021.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of