Ristrukturimi i administratës, çfarë do ndodhë me tenderët e atyre që shkrihen si institucione

01/11/2017 8:43 AM 0 komente

Procesi i ristrukturimit të institucioneve ka kohë që ka nisur në kuadër të asaj që qeveria e re e deklaroi si reformë. Por një pjesë e mirë e këtyre institucioneve që janë shkrirë apo ristrukturuar kanë projekte në vazhdim ashtu sikurse kanë edhe procedura tenderimi.

Agjencia e Prokurimit Publik përmes një njoftimi sqaroi dje mënyrën sesi do të veprohet për këto raste.

Kështu kur një njësi e qeverisjes qendrore apo institucion në varësi ka pushuar së ekzistuari për shkak të bashkimit apo për shkak se funksionet e tyre janë transferuar administratori i sistemit që në këtë rast është titullari i këtyre autoriteteve kontraktore apo personi i autorizuar prej tij duhet t’I dorëzojë llogarinë administratorit të autoritetit kontraktor tek i cili janë transferuar funksionet e tij.

Personi që merr kontrollin e llogarisë duhet të sigurohet që të përfundoje procedurat e nisura më herët në rast se gjykohet se duhet të vazhdojnë ose t’i anuloje ato në rast të kundërt.

Në sistemin elektronik të APP duhet që të bëhen edhe hapat e nevojshme nga ana e administratorit për të mbyllur llogaritë që nuk ekzistojnë më si institucione.

Në kuadër të ristrukturimit pritet që institucionet të kenë edhe emërtime të reja që do të përfshijnë gjithë funksionet e tyre. Lidhur me këtë Agjencia e Prokurimit Publik ka kërkuar që secila të dërgojë emrin e saktësuar për rifreskim në sistem.

“Të gjitha autoritetet kontraktore, njësi të qeverisjes qendrore dhe institucionet në varësi të tyre që për shkak të ristrukturimit të tyre kanë pësuar ndryshime në emërtimin e institucioneve të tyre por edhe autoritetet e tjera kontraktore të cilët për arsye nga më të ndryshmet kanë pësuar ndryshime të emërtimit njoftohen që të dërgojnë shkresën pranë zyrave të APP me qëllim pasqyrimin e ndryshimit të emërtimit të institucionit të tyre në Sistemin e Prokurimit Elektronik” thuhet në njoftimin e agjencisë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of