Ristrukturimi i inspektorateve, zgjatet afati i kartës së inspektorit deri në fund të 2019

31/01/2019 11:00 AM 0 komente

Inspektoratet që prej disa vitesh kanë hyrë në një fazë ristrukturimi, duke funksionuar nën ombrellën e Inspektoratit Qendror do të vijojnë të jenë nën ristrukturim edhe gjatë vitit 2019.

Me një urdhër të fundit të pak ditëve më parë, Inspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari, njoftoi se afati për kartën e inspektorit do të zgjatet deri në fund të vitit 2019, ndërkohë që shpjegon se për emetimet e reja pajisja me kartën e inspektorit do të bëhet nga Inspektorati Qendror.

“Urdhëroj, zgjatjen e vlefshmërisë së kartës së inspektorit, të prodhuar sipas urdhrit nr. 32/1, datë 15.7.2016, me periudhë vlefshmërie deri më 31.12.2018 edhe gjatë vitit kalendarik 2019, deri në ristrukturimin e inspektorateve. Për çdo emërim të ri në detyrë, inspektori do të pajiset me kartën e inspektorit pranë Inspektoratit Qendror. Ngarkohen Inspektorati Qendror dhe inspektoratet shtetërore për zbatimin e këtij urdhri” thuhet në urdhrin e Kryeinspektorit.

Nën Inspektoratin Qendror janë të paktën 12 inspektorate dhe drejtori qendrore por edhe një numër i madh i inspektorateve vendore që funksionojnë pranë Bashkive. Kalimi nën një inspektorat i gjithë këtyre strukturave ka nisur në vitin 2016 me reformën e ndërmarrë në funksion të tregut. Në atë kohë u vlerësua se identifikimi i inspektorëve përmes  kartës u lakua si një mënyrë për të shmangur abuzimet gjatë kontrollit që mund të bëheshin pranë subjekteve specifike, po kështu ishin në funksion të vijimit drejt e-inspektimit. Kjo do të thotë që çdo inspektim që bëhet pranë bizneseve të jetë online dhe i kontrollueshëm.

Kontrollet dixhitale u bënë pjesë e punës së inspektoratit, ndërsa që të gjithë inspektorët që mbajnë kartën e inspektorit janë të identifikueshëm dhe mund të shihen në regjistrin që publikon Inspektorati Qendror.

 

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of