Alarmi i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar, për një rritje të borxhit të fshehure të pafshehur të qeverisë, nuk ka pse na i zgurdullon sytë. Shifra e detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj bizneseve dhe individëve është rritur me shpejtësi, duke arritur në240 milionë euro dhe është më e lartë se viti 2015. Kjo gjë pritej.
Ndaj, sytë duhet të vazhdojmë t’i mbajmë hapur edhe më fort, sepse tani, më shumë se kurrë, duhet të jemi vigjilentë kur trajektorja e modelit të qeverisjes së financave publike po merr tatëpjetën. Ne duhet ta kemi të qartë se drejt cilit fund ky model po na çon dhe a ka mundësi që të njëjtat instrumente dhe qeverisje të mund t’i rregullojnë gjërat?
Përgjigjja, që në fillim, është “Jo”, sepse do të duhet, së pari të garantohet një rritje ekonomike gjithnjë e më e lartë në vijim,nëpërmjet rritjes së shpenzimeve kapitale nga qeveria dhe investimeve nga biznesi dhe, së dyti, që stimujt fiskalë në veçanti dhe krejt sistemi tatimor të jenë të ndershëm e të barabartë.
Duke i marrë në konsideratë të gjithë këta faktorë që nuk premtojnë, pasi pritshmëritë për rritjen ekonomike janë të vogla dhe kur sistemi fiskal nuk ka ndryshuar, por vetëm është arnuar, si dhe disa rreziqe të tjera në sfond,FMN na tregoi fare qartë publikisht se “mjetet kanë shteruar”.
Por, nuk është vetëm çështje e modelit të taksave, por edhe e politikave ekonomike në tërësi. Ato, siç duket, kanë punuar që në fakt të ushqejnë me “para” pikërisht këtë model taksash që po projekton borxhe që sa vijnë e rriten. Modeli, në dukje i majtë, sot po rrezikon pikërisht shtresat më të dobëta financiarisht, sepse ato, edhe pse kanë skajshëm më pak të ardhura se më të pasurit e këtij vendi, borxhin që po mbarset do të duhet ta paguajnë në mënyrë të barabartë.
Duke ju rikthyer edhe njëherë borxhit që Rilindja u ka shqiptarëve e që në të ardhmen po bëhet një rrezik për një krizë që origjinën mund ta ketë te borxhet e fshehura, i cili mund të godasë çdo aspekt, atëherë vërehet edhe një problem i madh politik.
Rilindja erdhi në pushtet, duke iu premtuar qytetarëve dhe biznesit më shumë të ardhura, më shumë punë, më pak borxhe. Borxhi i lartë publik,në atë kohë kur taksat ishin më të ulëta, u propagandua nga Rilindja si e keqja e madhe e vendit që do të marrë fund. Tani, pas një mandati e gjysmë qeverisjeje,por kur edhe taksat janë më të larta, jemi duke ecur mbrapsht drejt asaj pike ku u nisëm.
Jemi në atë moment kur sot emigracioni është stimuli i vetëm për shqiptarët për të rritur të ardhurat, kur kursimet e individëve, që prej 2013 njohin rënie,gati gjysma e familjeve nuk kanë kursime në bankë, kur 49%e bizneseve nuk janë në gjendje të marrin dot një kredi (burimi: BSH) dhe kur papunësia afatgjatë është rritur(INSTAT) dhe Tatimet nuk mbledhin dot detyrimet (Burimi: Ministria e Financave) ashtu siç vetë i kanë planifikuar dhe kur qeveria nuk shton dot investimet, kur kërcënimet për burg dhe gjoba janë të vetmet rregullatore dhe kur kriza e qeverisjes qendrore, e përfaqësuar nga Rilindja, është përhapur si epidemi në çdo pikë të territorit të vendit ku ajo ushtron pushtetin(lexo shkrimin kryesor: falimentimi i bashkive).
Është shumë e dukshme dhe e certifikuar tashmë se burimi i krizës nuk është vetëm te modeli, por te frymëzuesit që po e mbajnë politikisht në këmbë këtë model, i cili prodhon borxhe jo vetëm financiare, por shoqërore,që do të kërcënojnë të ardhmen tonë më shumë se një mandat.
FMN thotë se janë shterur mundësitë… duke kuptuar kështu mundësitë e qeverisë. Por mundësitë e qytetarëve për t’i ndryshuar gjërat nuk janë shterur, madje janë akumuluar, në pritje të një tjetër modeli tjetër që nuk i përjashton, por i kthen në bashkëpërfitues.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Qeveria dhe administrata shteterore,mjerisht,eshte e paafte dhe krejtesisht e korruptuar…..