Problemi me Romën është se qyteti ka kaq shumë thesare. Rrënojat historike, shatërvanët madhështorë, pallatet e Rilindjes dhe muzetë e mbushura me kryevepra, mund ta bëjnë udhëtimin në Qytetin e Përjetshëm sa rraskapitës aq edhe emocionues.
Një tjetër gjë për t’u përjetuar në Romë, është ‘il dolce far niente’ – kënaqësia e të bërit asgjë. Dhe nuk ka mënyrë më të mirë për të kaluar kohën e lirë, sesa duke shijuar peizazhe të lavdishme, mbi kaosin e trafikut të kryeqytetit.
Ka shumë pika të favorshme; kryeqyteti i lashtë u themelua mbi shtatë kodra dhe që atëherë, është përhapur në disa të tjera – por më poshtë përmenden pesë më të mirat.
Sigurisht, nëse pelqeni panorama që t’ju lënë pa frymë, mund të ngjitni 551 shkallët deri në Kupolën e Shën Pjetrit.
Kodra Aventine
Duke u ngritur mbi Circus Maximus, vendi i qytetit antik për garat e karrocave, Aventine është kodra më jugore nga shtatë kodrat e Romës.
Kodra u bë shtëpia e aristokracisë, që ndërtoi tempuj paganë dhe pallate luksoze, dhe është ende një lagje rezidenciale e dëshirueshme, jashtëzakonisht e qetë.
Ia vlen të ngjitesh vetëm për të vizituar Kishën Santa Sabina, e cila u ndërtua në shekullin e 5-të, më pas kaloni në hijen e Giardino degli Aranci (Kopshti i Portokalleve), dhe shijoni panoramën e horizontit romak.
Ecni deri në Piazza dei Cavalieri di Malta, projektuar nga Piranesi për urdhrin kalorsiak të Kalorësve të Maltës, dhe shikoni nga vrima e çelësit të derës së Priorit; do të shihni kupolën e largët të Shën Pjetrit.
Belvedere del Gianicolo
Gianicolo (ose Kodra Janiculum) është vendi ku vendasit vijnë për të parë perëndimin e diellit. Edhe pse nuk ishte një nga shtatë kodrat e para ku u ndërtua qyteti, pasi ndodhet në anën tjetër të Tiberit, jashtë kufijve të qytetit antik, është më e lartë se të tjerat.
Duke u ngritur mbi labirintin e rrugëve të ngushta dhe shesheve të bukura, që karakterizojnë Trastevere, lagjen artizanale të Romës, ajo u emërua sipas perëndisë me dy fytyra Janus, i cili dikur adhurohej aty.
Sot ka një statujë kuajsh të Giuseppe Garibaldi, heroit të Rilindjes – revolucionit që çoi në bashkimin e Italisë.
Ndiqni Via Garibaldi për t’u ngjitur në tarracë, duke ndaluar rrugës për të parë veprat e Vasarit në kishën e San Pietro në Montorio, më pas pushoni dhe shijoni pamjen ndërsa dielli ikën.
Piazza di Campidoglio
Ky shesh madhështor i Rilindjes, i projektuar nga Michelangelo, është i famshëm për përmasat elegante dhe është muzeun Capitoline, me koleksionet mahnitëse të artit dhe skulpturës.
Megjithatë, është rruga për në pjesën e pasme të sheshit (pas statujës së Marcus Aurelius), që ofron një pamje të paharrueshme mbi Foro Romano, i cili ishte zemra fetare, politike dhe tregtare e Romës Republikane.
Do të shihni kolonat e Tempullit të Saturnit, i cili dikur strehonte thesarin e shtetit, dhe muret e Koloseut. Campidoglio, ose kodra Capitoline, mund të ketë qenë më e vogla nga shtatë kodrat, por ishte qendra e fuqisë së botës së lashtë.
Tarraca Pincio
Nëse ndjeni nevojën për të vizituar një hapësirë të gjelbër, atëherë ka shumë mundësi që të shkoni në Villa Borghese, ku terreni ofron shtigje, liqene dhe shtretër të bukur lulesh.
Ndërsa jeni atje, shkoni për në kopshtet Pincio, ku tarraca ofron një pamje të mrekullueshme të Piazza del Popolo, me kupolën e Shën Pjetrit përtej.
Sheshi i Popullit (Piazza del Popolo) është ndoshta sheshi më mbresëlënës i Romës dhe ka në qendër të tij një obelisk egjiptian të marrë nga Heliopolis nga Augusti për Circus Maximus.
Vittoriano
Shumë thonë se pamja nga Monumenti Vittorio Emanuele, ose Vittoriano, është më e mira nga të gjitha – pasi është vendi ku nuk mund ta shihni vetë monumentin.
Kjo ndërtesë e madhe e bardhë, e cila dominon Piazza Venezia, u ngrit në fund të shekullit të 19-të për nder të mbretit të parë të një Italie të bashkuar dhe është mbiquajtur në mënyrë nënçmuese “makina e shkrimit” nga vendasit.
Kushton 15 € për të marrë ashensorin në tarracën panoramike, por do të ju shpërbleheni mirë me një pamje të jashtëzakonshme 360 gradë të qytetit dhe kodrave përtej. / Independent