Ai ishte në ishte në “timonin” e qeverisë në periudhë delikate pas ndryshimit të sistemit. Nga liberalizimi i çmimeve e kursit të këmbimit, fillimi i privatizimeve te zhvendosja e popullsisë urbane…
I pari Kryeministër i erës pluraliste, Aleksandër Meksi, bëri betimin më 19 prill 1992. Qeveria që u kryesua prej tij doli nga zgjedhjet e 22 marsit. Ai qëndroi në këtë post për pesë vjet.
U hartua një program qeveritar (nga ai dhe të gjithë ministrat) që u paraqit në Parlament për të marrë votëbesimin. Në këto momente ishte ndihma dhe asistenca e Fondit Monetar Ndërkombëtar, që disa muaj më parë kishte nënshkruar një marrëveshje me qeverinë e stabilitetit të Ylli Bufit. Edhe Banka Botërore asistonte. Në atë kohë, e gjithë qeveria pati një mbledhje të përbashkët me të dërguarin e FMN-së Sing, i cili mbajti një leksion mbi reformat që duhet të ndiqeshin.
Do të hiqej 80 përqindëshi i pagës që merrej duke qëndruar në shtëpi, një gangrenë që rrëzoi përfundimisht ekonomikisht Shqipërinë, duhej bërë liberalizimi i çmimeve, përfshi edhe çmimet e shportës, liberalizimi i bukës, i energjisë elektrike. Gjatë dy viteve të para çmimi i energjisë elektrike ndryshoi pesë herë, krahasuar me çmimin e vjetër. Por, askush nuk e ndjeu këtë ndryshim, sepse për 250 kw/h konsum mujor, diferenca e çmimit iu kthye njerëzve, plus rrogës, si kompensim. Kjo u bë edhe për çmimet e shportës së ushqimeve dhe njerëzit mbijetuan, e jo vetëm një herë. U bë privatizimi i ndërtimit dhe i transportit, liberalizimi i kursit të këmbimit, liberalizimi i tregtisë në përgjithësi.
Disa nga industritë mbijetuan e të tjera ishin në vështirësi të mëdha. Uzina, si ajo e Traktorit, Mekanike e të tjera, ishin jorentabël. Këtë e tha edhe Ramiz Alia në fjalimin e tij para studentëve.
Me privatizimin që u ndërmor eci përpara industria ushqimore, e fragmetarizuar në fillim. Industria minerale funksiononte për aq sa ishte e mundur të funksiononte, për teknologjinë që kishte dhe mbi bazën e çmimit në tregun botëror.
Në atë kohë, shpërtheu edhe një problem tjetër i natyrës urbane, pra ndodhi një zhvendosje popullsie mjaft e rëndësishme brenda vendit. Një masë e madhe popullate rurale u zhvendos drejt qyteteve. Ky ishte një fenomen që filloi në ‘91, kur u lejuan njerëzit të bënin çfarë të donin, ashtu sikundër edhe sot.
Deri nga mesi i ‘94 mund të quhet periudha e parë e mbijetesës dhe e transformimit, kur ndodhi një përmbysje e vërtetë, si në rritjen e prodhimit, rritjen e të ardhurave për frymë, si në uljen e inflacionit, që nga 250% shkoi në 20-30%, e me radhë. Pasi u kalua kjo periudhë, kur me ndihmën e huaj për mallrat që vinin, shiteshin nën kontrollin e të huajve, me çmime të caktuara bashkërisht me të huajt dhe futeshin në buxhetin e shtetit, filloi një periudhë në të cilën prodhimi vendas jepte mundësi, një buxhet të ri. U strukturuan doganat që nisën të funksiononin, u fut TVSH-ja, taksa e qarkullimit, taksa e vlerës së shtuar, u ngrit dhe filloi të funksiononte sistemi i tatimeve, ku shkallë-shkallë pesha e tyre fillonte e rritej me nga 1-2% çdo vit. Investimet e privatëve gjithashtu u rritën, filloi ndërtimi dhe privatizimi i shtëpive. Kjo ishte periudha e parë. Në periudhën e dytë, pas ‘94-s, filloi të investohej direkt në industri, kryesisht industritë që ende ishin të shtetit, si energjetika apo minierat. Në këtë kohë energjetika u ndodh përpara një të papriture, në rritjen e konsumit nga familjarët, jo nga industria, çka solli rinovimin disa herë rresht të rrjeteve kryesore të furnizimit në qytetet e madha të Shqipërisë, të cilat patën një “bum” demografik.
Periudha tjetër është një periudhë që shkon deri nga ‘96, ishte gjithnjë në rritje dhe në përmirësim të vazhdueshëm të jetesës, me rënie të largimit nga Shqipëria, me rritje të të ardhurave nga emigrantët, me kthim të emigrantëve nga fundi i ‘95–‘96.
Në këtë kohë kemi edhe një nga ngjarjet më negative për popullin shqiptar, piramidat, efekti i të cilave u ndje në periudhën nga korrik-gushti ‘96 deri në janar-shkurt ‘97.
Intervistë me z. Aleksandwr Meksi, ish kryeministër, ’92-97
Cila ishte gjendja ekonomike e Shqipërisë kur ju morët detyrën e Kryeministrit të vendit?
Për ta ilustruar më mirë, më kujtohet një rubrikë e përhershme e gazetave shqiptare ku shanin Perëndimin e fillonin me fjalët e tyre.
Gjendjen e ekonomisë shqiptare në periudhën ‘91-‘92 e tregon më së miri fjala që mban Ramiz Alia, në takimin me studentët, ku në pesë faqe kompjuterike flet për situatën dhe konkluzioni i së cilës është: ekonomia shqiptare është inekzistente dhe e falimentuar.
Në kushtet kur u hoq kleringu, kur duhet të konkurroje, kur u hap vendi dhe kur nuk kishe askënd si dikur Rusia e Kina që të jepte ndihma, ekonomia shqiptare falimentoi në të gjitha aspektet. Për fat të keq mungojnë studime të mirëfillta shkencore, por ekziston një opinion se falimentimi erdhi si rezultat i vendosjes së demokracisë, gjë që nuk është aspak e vërtetë, është marrëzi.
Fabrikat nuk ishin konkurruese, mund të prodhonin, por mallin s’e blinte kush. Asnjë i marrë në kohën që mund të merrte makineri nga Perëndimi, nuk merrte më të përdorte një “Zis” kinez apo rus që shpenzonte 45-50 litra për një kilometër.
Shumica e fabrikave nuk funksionin më për mungesë të teknologjisë, për kostot e papërballueshme.
Një fenomen tjetër kishte të bënte me faktin se ndihmat e huaja krijuan përmbysje në ato fusha ku mund të prodhohej. Megjithatë u krijua Agjencia e Ristrukturimit të Ndërmarrjeve, e cila synonte që të bënte ato ndërmarrje që prodhonin me ndihma të vogla dhe të mbijetonin në kushtet e ekonomisë së tregut.
A ju kujtohet se si e gjetët arkën e shtetit?
Arka e shtetit kishte gjithsej në atë kohë rreth 2.5 milionë dollarë. Ne funksiononim kryesisht me ndihmat që vinin nga jashtë.
Kush ndihmonte më shumë?
Europa ishte ajo që ndihmonte. Po ju them një detaj nga vajtja ime e parë me Gjergj Kondën dhe Genc Rulin, në Bruksel, në maj, një muaj pasi ishte formuar qeveria.
Kur shkova në Komisionin Europian, në atë kohë mbledhjen e kryesonte Zhak Delori, thashë se rroga e një ministri ishte 20 dollarë. Kjo shkaktoi habi të jashtëzakonshme, në atë çast nga 10 milionë dollarë që ishte caktuar ndihma që do të jepej për lëndë të para u bë 20 milionë dollarë, pasi u kuptua se nuk do të mbijetohej dot. Ishin pikërisht këto ndihma që bënë të mundur që të mbijetonin një pjesë e ndërmarrjeve shqiptare.
Ndihmë të tillë patëm edhe nga qeveria e SHBA-së, që dha edhe 10 milionë dollarë pambuk, në kushtet që prodhimet tona nuk i blinte askush. Kështu mbijetoi industria e tekstileve.
Po Kryeministri sa paguhej?
Diku rreth 24,000 lekë të vjetra. Më të vogël edhe se truproja ime.
Cilat kanë qenë kontaktet me institucionet financiare ndërkombëtare?
Në takimin e parë me FMN-në, kontaktet e para nisën një vit pas formimit të qeverisë së stabilitetit, u hodhën piketat e para të reformës në Shqipëri. Ato ishin: lëkundja e lirë e lekut, rritja e subvencioneve, tregtia e lirë, privatizimet, që dhanë një hov shumë më të madh nga sa ne kishim menduar, falë dëshirës së shqiptarëve që të mund të merreshin me tregti të lirë, prodhim etj. Pati zhvillim në tregti, ndërtim. Inflacioni nisi të ulej që në vitin e parë. Ekonomia dora-dorës nisi rimëkëmbjen.
Sa ishte inflacioni në atë kohë?
Mbi 100%. Por duhet theksuar se ai ra që në vitin e parë. Mund të kujtoj një detaj në lidhje me inflacionin. Në atë kohë vijnë dy senatorë amerikanë, i shoqëronte Rajersoni dhe më nxori një kartëmonedhë jugosllave 1 milion dinarë dhe më tha: dje e kam blerë këtë për 1 dollar. Dhe më pas më pyeti se si arritët ju ta përballoni një inflacion të tillë.
Ose mund të kujtoj fjalën e Mishel Kamdesy në Moskë: kur Shqipëria frenoi inflacionin, nuk mundemi vallë ne ta bëjmë një gjë të tillë.
Ndihma e FMN-së dhe Bankës Botërore ishin vendimtare, por edhe dëshira e shqiptarëve për të funksionuar në një ekonomi të lirë, por që atëherë ishte pa rregulla.
Çfarë ndodhi në këtë periudhë?
Mund të them pa frikë: Ishte përmbysja më e madhe që i kishte ndodhur Shqipërisë.
Ekziston ideja se ne po vazhdonim rrugën e lënë nga Enver Hoxha, sipas traditës: kështu e gjetëm, kështu do ta lëmë. Por, nuk është e vërtetë. Ajo ishte një përmbysje tërësore e gjithçkaje, nuk do të thoja katastrofike.
U bë kalimi nga një ekonomi e qendërzuar, e cila caktonte kuota prodhimi, çmime etj., në një ekonomi ku ishte tregu që përcaktonte gjithçka.
Aspekti tjetër i kësaj përmbysje ishte nevoja për ta rinisur nga e para dhe për të rishkruar (sepse shumë ligje mungonin) bazën e ekonomisë së tregut, që fillonte që nga ligji për shoqëritë tregtare, për falimentimin, i cili kur u paraqit në Parlament ishte i domosdoshëm, pasi ishte në programin e FMN-së. Pati shumë diskutime nga opozita në atë kohë, pasi shpreheshin se qeveria dëshironte të falimentonte ndërmarrjet dhe punëtorët. Ky ishte një ligj që rregullonte falimentimin. Të tjera ligje ishin ai i privatizimit që rregullonte ekonominë. Janë bërë mbi 300 ligje kryesore, që kishin si synim funksionimin e ekonomisë së tregut.
Analiza e funksionimit të ekonomisë së asaj kohe duhet të bëhet duke vlerësuar vështirësitë e kohës, ndihmat që jepte Bashkimi Europian, FMN-ja etj.
Ne i kishim borxh Klubit të Parisit rreth 500 milionë dollarë, që u likuidua me ndihmën e Bankës Botërore, e cila emetoi bono thesari dhe ne paguam rreth 23% të tij, ku rreth 20-30 milionë dollarë i pagoi ajo vetë. Në këtë mënyrë nuk kishim më detyrime ndaj strukturave të Klubit të Parisit. Ky ishte një borxh shumë i madh, veç atyre që u kishim shteteve dhe privatëve.
Ndihma e Bankës Botërore realizohej në disa drejtime. Jepeshin kredi me përqindje shumë të ulët. Deri në çastin kur një vend ishte me të ardhura për frymën nën 800 dollarë, kushtet ishin lehtësuese. Quhej vend në nevojë. Ne kaluam nga 250 dollarë për frymë në vitin 1992 në 920 dollarë për frymë. Pra, ishte një periudhë shumë e vështirë kur duhet të përballoje nga njëra anë, nevojat e popullsisë dhe nga ana tjetër, transformimin e ekonomisë.
Ndihma e huaj ishte vendimtare, dëshira e shqiptarëve për t’u rimëkëmbur ishte e madhe dhe ana tjetër ishte edhe vullneti i qeverisë dhe i politikës.
Cilat ishin industritë që mbijetonin?
Ishin shumë të pakta. Pati disa zhvillime në industrinë ushqimore, por që mbijetonin ishin shumë pak. P.sh. minierat e kishin shumë të vështirë që të mbijetonin, pasi siç mund të thuhet ato nuk prodhonin qymyrguri, por gur qymyri. Deri diku mbijetonte energjia, sektori i naftës, kromi. Nëse mund të sjell rastin e kromit. Çmimi i tij në treg atëherë ishte 45 dollarë për ton, kur ne na kushtonte 65 dollarë. Ishte shteti ai që përballonte energjinë dhe investonte për furrat e pasurimit, në mënyrë që të shitej në tregun e jashtëm. Bakri ecte me pakicë, por nuk mund të investohej për shkak të sasive të pakta. Megjithatë, pati përmirësime në ritmet e zhvillimit të ekonomisë, rritjet vjetore të përqindjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto, që sipas shifrave që pranonte edhe FMN-ja, arrinte 9-10%.
Inflacioni u ul, po kështu edhe deficiti buxhetor.
Me lejoni të bëj një parantezë. Duhet të kemi një gjë parasysh, nëse nuk plotësoje objektivat që të vendoste FMN-ja, nuk kishe mundësi që të merrje ndihma. Ata kërkojnë garanci për ndihmat që do të japin ose të paktën duhet të sigurohen se kjo ndihmë që jepet është efektive për vendin. Me FMN-në, ne kishin ato që njihen si “framework papers”. Çdo tre muaj, ne ishim të detyruar të plotësonim kërkesat në legjislacion, si në Kodin Civil, Kodin Penal, atë të Procedurës etj. Gjatë pesë viteve që unë drejtova qeverinë, u shkruan pa përjashtim të gjitha kodet edhe ato që u miratuan më vonë (ai Familjar, Rrugor, i Procedurave Administrative etj.), shumë prej tyre të padëgjuara më parë. U futën nocionet e koncesioneve në shërbimin civil që nuk njiheshin nga terminologjia shqiptare. U hartuan nga shqiptarë me ndihmë të ekspertëve të huaj. Në vitet që pasuan ndodhi fenomeni i përmbysjes, i shkrimit nga e para që vazhdon ende dhe ajo fryma e mendimit të ligjit në mënyrë që të transformohet ecuria.
Ekonomia e tregut tregoi epërsinë në përmirësimin e standardit të jetës. Shqipëria nga një vend i izoluar u kthye në një vend që pati një shpërthim të emigracionit, të lëvizjes së lirë, qoftë edhe në kushte jo normale, pasi filloi në ‘91 e më pas.
Cili ka qenë partneri më i mirë ekonomik i Shqipërisë?
Bashkimi Europian kishte caktuar Italinë, e kur flasim për BE-në duhet të kujtojmë se ky organizëm jepte çdo 6 muaj 35 milionë dollarë për bilancin e pagesave (për rezervën monetare të shtetit), nga programi “Phare”. Në vitin ‘96, kjo shifër arriti në 500 milionë dollarë dhe tani mund të ketë shkuar afërsisht në 2 miliardë.
Kredi jepnin edhe Banka Botërore, BERZH-i, BEI, Shtetet e Bashkuara të Amerikës jepnin më pak vlera monetare, por më shumë sasi në vaj, gurë etj., që vinin në punë edhe industrinë shqiptare e cila ndiente mungesën e lëndëve të para.
Një përmbysje e tillë shoqërohej edhe me vështirësi, pasi një sërë degësh nuk e gjenin dot veten. Kjo ishte më e kuptueshme dhe si e tillë duhet kuptuar edhe sot që themi se jemi në tranzicion.
Periudha më e vështirë për ju?
Ishte periudha e parë kur duhej të merrje masa për bukën dhe energjinë. Edhe në vitin 1996 pati vështirësi të furnizimit me bukë, për shkak të problemeve që pati tregu. Ndikuan jo pak ngricat në Rumani, që ishte tregu kryesor, megjithatë u kapërcye falë edhe sektorit privat.
Energjia ishte gjithmonë problem.
Çfarë mund të na thoni për investimet e para?
Investimet e para u shënuan në infrastrukturë, në rrugë. U financua nga Banka Botërore rruga për në Milot, për në Qafë Thanë, rrugët ushqyese që lehtësonin furnizimin me prodhime bujqësore, në Thumanë, etj. Kishte investime për banesa. Mund të kujtoj se atëherë kemi përfunduar rreth 13,000 banesa, pasi u mor kredi nga Banka Botërore.
Një studim i plotë i fondeve që janë dhënë në atë kohë dhe deri më sot do të lejonte që të kuptonim trendin dhe problematikën.
Çfarë mund të ishte bërë ndryshe?
Duhet të ishte bërë më mirë ajo që është bërë mirë dhe nuk duhej bërë ajo që është bërë keq. Ka pasur probleme që mund të ishin parë më me vëmendje. Ishin kufizimet monetare ato që përcaktonin edhe vështirësitë tona. Duhej bërë më shumë punë në rastin e KESH-it në mbledhjen e parave. Duhej punuar më shumë për orientimin e investimeve të privatëve, që për mendimin tim ka ardhur duke u përkeqësuar.
Edhe pse mungonin studimet e detajuara, kishte një përqendrim të tyre, një strategji për rrugët, për energjinë, për investimet në përgjithësi. Kjo edhe me ndihmën e institucioneve të huaja ndërkombëtare. Nga viti ‘93 nisën investimet e para, si “Coca-Cola” apo edhe “Rogner”. Për periudhën ‘93-‘96 kishte rreth 120,000 punëtorë që punonin në kompanitë e huaja në Shqipëri. Sot e kësaj dite vazhdojmë të kritikohemi për faktin se nuk u përdor industria, por unë me shaka mund të them se kjo është një legjendë urbane. E vetmja gjë që mund të them është se skrapin e kemi shitur lirë.
Si punonte qeveria?
Në qeveri, unë kam pasur 7 këshilltarë. Në total qeveria kishte 77 veta. Kishte vetëm nga një zëvendësministër në shumicën dërrmuese të ministrive, sipas modelit amerikan.
Kryesisht ndiqnim modelet e vendeve të përparuara. Për pagat merreshin koeficientet e klasifikimit të nëpunësve, një përzierje e modelit gjerman me atë amerikan. Në investimet e huaja merreshin modelet që ofronte Europa dhe Banka Botërore, që ishin konsulentët kryesorë në hartimin e legjislacionit, kuptohet krahas FMN-së.
Bisedimet me FMN-në ishin nga më të vështirat sepse ne duhet të përballonim nevojat e brendshme me kufizimet dhe barrierat që viheshin. Por, përgjithësisht kemi ruajtur marrëdhënie të mira me FMN-në. Për të qeshur mund të them se të gjithë ata që vinin në Shqipëri shkonin me ngritje në detyrë, puna ishte quajtur me sukses.
A keni kundërshtuar fort ndonjë nga detyrat që ju kanë lënë institucionet financiare ndërkombëtare?
Kundërshtonim, por kishte një gjë: nëse nga programi tremujor vendosnim se një gjë nuk e bënim dot, për shkak të pamundësisë së gjendjes ekonomike, apo vështirësive sociale që mund të krijonte e zëvendësonim pas debateve dhe dërgoheshin letra në nivele të larta drejtimi.
Ne duhej të jepnim shpjegime për ndryshimet pas “sherreve” me stafin e FMN-së. Zakonisht nuk na ndodhur që të mos na aprovoheshin, pasi ne e plotësonim me një lloj tjetër.
Debate ka pasur që në mbledhjen e parë me FMN-në për kompensimet. Liberalizimi i tregut solli nevojën për të bërë kompensime. Sipas FMN-së duhet të ishte 3% mbi pagën, ndërsa ne vendosëm një mënyrë tjetër, pasi nuk mund të ishte e njëjtë sasia që duhej të përballohej si për pagën e ulët ashtu edhe atë të lartë. U llogarit sa konsumohej, me çfarë çmimi, pamë shportën dhe vendosëm. Të njëjtën gjë kemi bërë edhe me energjinë elektrike, diku rreth vitit ‘93. Ne e kemi rritur çmimin pesë herë në një dorë dhe askush nuk u ankua. Edhe çmimi i bukës u rrit me dy herë.
Rezerva
Arka e shtetit kishte gjithsej në atë kohë rreth 2.5 milionë dollarë
Rritja
Pati përmirësime në ritmet e zhvillimit të ekonomisë, rritjet vjetore të përqindjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto, që sipas shifrave që pranonte edhe FMN-ja, arrinte 9-10%
Rimëkëmbja
Ndihma e huaj ishte vendimtare, dëshira e shqiptarëve për t’u rimëkëmbur ishte e madhe dhe ana tjetër, ishte edhe vullneti i qeverisë dhe i politikës
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.