Redukto, Ripërdor, Riciklo dhe Riparo. Me direktivën e re për të reduktuar mbetjet, Bashkimi Europian synon të prezantojë të drejtën e dëmshpërblimit për konsumatorët, duke shtuar një R të katërt në rregullin e qëndrueshmërisë. Qëllimi i propozimit është të reduktojë mbetjet e materialeve dhe ndotjen, duke i angazhuar prodhuesit të garantojnë riparimin e produkteve të blera nga konsumatorët, në një periudhë nga 5 deri në 10 vjet.
Bashkimi Europian dëshiron t’u japë konsumatorëve të drejtën, që produkte të vjetruara si lavatriçe dhe televizorë, të riparohen nga prodhuesit edhe pasi të ketë skaduar garancia e shitjes, për të zvogëluar mbetjet dhe për t’i bërë mallrat të zgjasin më shumë.
Komisioni Europian propozoi rregulla të reja ditën e mërkurë, që do t’i detyrojnë prodhuesit të ofrojnë riparime për një produkt për 5 – 10 pas shitjes – pavarësisht nëse garancia ligjore është ende e vlefshme apo jo.
Rregullat do të zbatohen për frigoriferët, fshesat me korrent, televizorët, lavatriçe dhe mallrat e tjera që konsiderohen “të riparueshme” sipas ligjit të BE-së.
BE-ja po negocion rregulla që do të përfshijnë edhe smartphone dhe tabletët.
Ndryshimi i këtij modeli konsumi, do t’u kursejë të gjithëve 176.5 miliardë euro, 18.5 milionë tonë çlirim të gazrave shkaktarë të efektit serrë, 3 milionë tonë mbetje dhe 1.8 milionë tonë burime, gjatë 15 viteve të ardhshme.
Konsumatorët dhe bizneset europiane hedhin në mënyrë rutinë mallra që mund të riparohen, duke grumbulluar mbeturina dhe duke hedhur tutje pjesë, që mund të rikuperohen dhe të ripërdoren.
Një studim i vitit 2020 në emër të Agjencisë Gjermane të Mjedisit, zbuloi se jetëgjatësia e “përdorimit të parë” për produktet, duke përfshirë televizorët dhe pajisjet e mëdha shtëpiake, është ulur vitet e fundit.
Disa produkte nuk ishin të menduara për t’u riparuar lehtësisht, ndërsa për të tjerët ishte më lirë të blinin një produkt të ri, sesa të riparonin një të vjetër, zbuloi studimi.
Në shumë raste, konsumatorët thjesht zëvendësuan mallrat që ende funksiononin, sepse donin një version më të ri.
Sipas rregullave të BE-së, kompanitë do të duhet të riparojnë falas një produkt me defekt, brenda periudhës së garancisë ligjore dyvjeçare, nëse kostoja e riparimit është më e lirë ose e barabartë me zëvendësimin e produktit.
Pas kësaj date, kompanitë duhet të ofrojnë ende riparime, falas ose me pagesë. BE-ja dëshiron gjithashtu të nisë një shërbim online, për të ndihmuar konsumatorët të gjejnë riparues vendas dhe mendon se konkurrenca me riparues të tjerë do të mbajë nën kontroll kostot.
Organizata Europiane e Konsumatorit (European Consumer Organisation, BEUC) e mirëpriti propozimin, por tha se do të kishte më shumë kuptim zgjatja e periudhës ligjore të garancisë për produkte me jetëgjatësi si frigoriferët.
BE-ja po negocion një sërë politikash të dizajnuara për të nxitur kompanitë drejt prodhimit të produkteve më të qëndrueshme dhe për t’u dhënë konsumatorëve informacion më të qartë në lidhje me ndikimin mjedisor të asaj që ata shkaktojnë.
Një ligj i dytë, i propozuar nga Brukseli të mërkurën, do t’i detyrojë kompanitë të verifikojnë pretendimet se produktet e tyre janë “të gjelbra” ose “miqësore ndaj mjedisit”.
Vendet e BE-së dhe Parlamenti Europian, duhet të negociojnë dhe miratojnë të dyja ligjet, një proces që zakonisht zgjat më shumë se një vit. / Reuters