Rregullimi i profesionit të agjentit të pronave, Ministria e Drejtësisë tërhiqet nga varianti i parë i projektligjit

24/06/2021 11:00 PM 0 komente

Në korrik të vitit të kaluar, Ministria e Drejtësisë hodhi për konsultim publik një projektligj që synonte të rregullonte për herë të parë profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme.

Megjithëse ka kaluar afërsisht një vit, projektligji në fjalë nuk i është propozuar për miratim Kuvendit. Burime nga tregu i pasurive të paluajtshme bëjnë të ditur se Ministria e Drejtësisë është tërhequr nga varianti i propozuar i projektligjit dhe po punon për një variant të ri, që ndoshta mund të hidhet për konsultim gjatë vjeshtës.

Tërheqja e projektligjit erdhi kryesisht për shkak të vërejtjeve dhe kundërshtimeve të shumta nga aktorët e tregut, sipas të cilëve ligji nuk adresonte problematikat reale të ushtrimit të këtij profesioni. Sipas tyre, në formën e paraqitur nga Ministria e Drejtësisë, projektligji nuk parashikonte diferencime në statusin e ndërmjetësve, në varësi të eksperiencës. Një vërejtje tjetër e agjentëve ishte fakti që projektligji vendoste një kontroll të tepërt dhe të pajustifikuar të Ministrisë mbi gjithë këtë kategori profesionistësh.

Projektligji i përgatitur vitin e kaluar u nxit sidomos nga rekomandimet e Moneyval dhe nga nevoja për të vendosur një lloj rregulli në këtë profesion, sidomos për efekt të kontrollit të transaksioneve të dyshmita. Sipas variantit të vitit të kaluar, ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme duhet të licencoheshin nga Ministri i Drejtësisë dhe të regjistroheshin në Regjistrin e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme. Kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme që plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj duhet t’i nënshtrohen një provimi të kualifikimit, që do të organizohej të paktën dy herë në vit nga Ministria e Drejtësisë.

Kërkesë për kandidatë ishte që t’i nënshtroheshin një programi të detyrueshëm trajnimi për aftësimin e tyre me njohuritë e duhura profesionale, por edhe për të raportuar transaksionet e dyshimta me pasuritë e paluajtshme, të cilat mund të kenë si qëllim realizimin e pastrimit të parave. Programi i detyrueshëm i trajnimit do të realizohej nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike ose edhe nga shkolla të tjera që mund të akreditohen për këtë qëllim.

Ministri i Drejtësisë mund të vendoste masa disiplinore ndaj ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme, si paralajmërimet, detyrimin për trajnim shtesë dhe gjobat deri në 50 mijë lekë. Ndërkohë, pezullimi nga detyra deri në pesë vjet si edhe heqja përfundimtare e licencës do të bëhej nga një Komision Disiplinor, që do të drejtohej nga një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë dhe do të kishte në përbërje një përfaqësues të zgjedhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe një përfaqësues të zgjedhur nga Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Tiranës.

Projektligji parashikonte që Ministri i Drejtësisë dhe ai i Financave do të përcaktojnë tarifat referuese të shpërblimit të ndërmjetësve, por nuk vendos limite apo kufij tavan për këto tarifa./ E.Shehu

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of