Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka përgatitur, për herë të parë, një dokument referencë për modelin e ndërtimit të kostove të operatorëve celularë në tregun shqiptar.
Ky dokument është i rëndësishëm pasi synon rregullimin e tarifave të terminimit ose interkoneksionit të thirrjeve celulare kombëtare në Shqipëri.
Ato përfaqësojnë tarifat që operatorët e shërbimeve celulare i paguajnë njëri-tjetrit për terminimin e thirrjeve në rrjetet përkatëse. Rregullimi i tarifave me shumicë është instrumenti kryesor që përdorin entet rregullatore të komunikimeve elektronike për garantimin e konkurrencës në tregjet e telefonisë celulare.
Deri tani, për llogaritjen e orientimit të tarifave të terminimit të thirrjeve kombëtare drejt kostove, AKEP është mbështetur në metodën benchmarking të mesatarizimit të tarifave të aplikuara në vendet e BEREC (Trupa e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike). Kjo është bërë në mungesë të një metodologjie të mirëfilltë për llogaritjen e kostove të tregut shqiptar. Ndërsa kjo qasje ka provuar të jetë një mënyrë alternative për të përcaktuar tarifat e terminimit në Shqipëri, AKEP tani synon të zhvillojë modelin e tij të kostos, në mënyrë që këto tarifa të pasqyrojnë me saktësi kushtet dhe karakteristikat e tregut shqiptar.
Dokument i Referencës së Modelit, i hartuar me kontraktimin e dy kompanive të konsulencës, përshkruan dhe shpjegon parimet kryesore të modelimit dhe parametrat kryesorë mbi të cilët do të bazohet modeli i ri i kostos, duke marrë parasysh maksimalisht rekomandimin e Komisionit Europian të vitit 2009 dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Ai adreson gjithashtu çështjet dhe funksionalitetin kryesor të modelit, për të bërë të mundur adresimin e sfidave rregullatore aktuale dhe të ardhshme në Shqipëri.
Por, siç thekson AKEP, ky dokument nuk përcakton në një mënyrë të gjerë dhe shteruese përdorimin e ardhshëm të modelit, pasi kjo do të kryhet në kontekstin e vendimeve rregullatore specifike të tregut. Sidoqoftë, ai diskuton qasjet që mund të adresohen, të cilat sigurojnë që modeli i zhvilluar është mjaft fleksibël dhe i shkallëzuar për rregullimin e këtyre tarifave në vendimet e ardhshme rregullatore.
Konkurrenca në tregun e shërbimeve celulare në Shqipëri është bërë një çështje delikate në vitet e fundit. Operatori i katërt, Plus Communication, doli nga tregu në fund të vitit 2017, ndërsa operatori i tretë, Albtelecom Mobile, operon me humbje që nga fillimi i aktivitetit.
Autoriteti i Konkurrencës vlerëson që ekziston rreziku për daljen nga tregu edhe të operatorëve të tjerë dhe, për këtë arsye, i ka kërkuar AKEP marrjen e masave të reja rregullatore, përfshi edhe rregullimin e tregut me pakicë. Megjithatë, deri tani, AKEP ka refuzuar, me argumentin se tregu në fjalë nuk plotëson kriteret për rregullim paraprak (ex ante) dhe se legjislacioni për mbrojtjen e konkurrencës është i mjaftueshëm për të adresuar problemet.
Në fund të vitit të kaluar, Vodafone Albania kishte një dominim të dukshëm në shumicën e treguesve, me mbi 50 % të pjesës së tregut sipas numrit të përdoruesve; mbi 47% të pjesës së tregut për përdoruesit e SIM Card aktivë; mbi 59% të pjesëve të tregut për volumin e SMS dhe trafikut të internetit; mbi 52% të tregut për trafikun e minutave dhe përdoruesve aktivë të internetit; 54% të tregut për të ardhurat totale dhe 55% për shërbimet me pakicë./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.