Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare njoftoi se miratoi në mbledhjen e Bordit të datës 23 tetor 2020 Rregulloren “Për administrimin e riskut të shoqërisë administruese të fondeve”, në zbatim të Ligjit nr. 56/2020 “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive”. Kjo rregullore ka si qëllim përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e sistemit të administrimit të riskut për këto sipërmarrje.
Përpara miratimit, dokumenti iu nënshkrua konsultimit publik me tregun dhe grupet e interesit.
Rregullorja që zëvendëson dokumentin ekzistues, është hartuar në mbështetje të kërkesave ligjore të Ligjit nr.56/2020 dhe parashikimet e lëna nga ekspertët e projektit të Bankës Botërore “Për forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: Fokusi tek zhvillimi i tregut të kapitaleve”.
Rregullorja, sipas AMF u hartua duke u bazuar në Direktivat e BE-së, udhëzimet e ESMA-s, si edhe praktikat rregullatore të vendeve si Sllovenia dhe Luksemburgu. Qëllimi i këtij dokumenti është përcaktimi i rregullave për organizimin dhe funksionimin e sistemit të administrimit të riskut, duke trajtuar kryesisht:
- detyrimin e shoqërisë administruese për krijimin dhe zbatimin e sistemit të administrimit të riskut dhe elementët përbërës të këtij sistemi;
- kërkesën për dokumentimin e strategjisë së administrimit të riskut si pjesë të politikës së administrimit të riskut, frekuencën e rishikimit të kësaj politike dhe elementët përbërës të saj;
- organizimin dhe ndarjen e përgjegjësive gjatë administrimit të riskut, duke theksuar se njësia e administrimit të riskut duhet të jetë një njësi e veçantë në strukturën organizative të shoqërisë administruese;
- dhënien e informacionit administratorit dhe personave kyç të shoqërisë, shpeshtësinë dhe elementët përbërës të raportimit nga njësia e administrimit të riskut;
- zbutjen e risqeve kryesore duke theksuar veprimet që duhet të ndërmerren për këtë qëllim;
- detyrimin e shoqërisë administruese për të përshtatur sistemin e auditimit të brendshëm, në përputhje me kërkesat e sistemit të administrimit të riskut;
- raportimin në Autoritet të strategjisë dhe politikave të administrimit të riskut, të të gjitha shkeljeve të kufijve të investimit, si dhe raportit të auditit të brendshëm.
Ndryshimet që sjell rregullorja e re nga ajo ekzistuese, sipas AMF, kanë të bëjnë me detajimin më të mirë të elementëve përbërës të politikës së administrimit të riskut; detajimin e veprimeve për zbutjen e riskut operacional dhe atij të biznesit; përcaktimin e shpeshtësisë maksimale për kryerjen e auditit të brendshëm; limitin kohor të raportimit në Autoritet të shkeljeve të kufijve të investimit, si edhe përshtatjen e terminologjisë së Ligjit nr. 56/2020 “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive”.
Vënia në zbatim e kësaj rregulloreje krijon kushtet për një administrim të mirë të riskut të shoqërive administruese të fondeve, me synim mbrojtjen e interesave të investitorëve, si dhe për të nxitur qëndrueshmërinë e sistemit financiar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.