Rregullore e re për emetimin e obligacioneve, çfarë duhet të përmbajë akt-oferta

17/11/2020 10:00 AM 0 komente

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar për konsultim publik me aktorët e tregut një tjetër rregullore, të hartuar bazuar mbi ligjin e ri “Për Tregjet e Kapitalit”.

Projektrregullorja “Për formën dhe procedurën e regjistrimit të akt-ofertës për emetimin e obligacioneve​” përcakton llojin e informacionit dhe të dhënat që duhet të përmbajë akt-oferta, si dokument drejtuar një grupi të përcaktuar investitorësh apo më gjerë, duke i ftuar të investojnë në obligacione.

Akt-oferta përgatitet nga emetuesi për të gjithë ato obligacione, që sipas Ligjit nr. 62/2020 “Për tregjet e kapitalit” janë të përjashtuar nga nxjerrja e një prospekti të plotë.

Akt-oferta, sipas projektrregullores, duhet të përmbajë: 

(1) Të dhëna për shoqërinë që emeton obligacionin ku përfshihet përshkrimi mbi veprimtaritë tregtare, gjendjen financiare për 3 vitet e fundit, audituesin ligjor dhe këshilltarët e shoqërisë, arsyeja pse bëhet oferta dhe ku do përdoren fondet, si dhe përshkrim mbi strategjitë dhe perspektivat e shoqërisë;

(2) Të dhëna për obligacionin që do emetohet, ku përfshihet lloji i obligacionit dhe të drejtat që ofron, si bëhet kërkesa për nënshkrim dhe ku regjistrohet obligacioni, kostot dhe detyrimet tatimore për investitorin, si dhe kush i përfaqëson interesat e obligacionmbajtësve;

(3) Kalendari i emetimit, ku përshkruhet fillimi dhe mbyllja e ofertës, datat e pagimit të interesave, etj.

Investimi në obligacione shoqërohet me disa rreziqe që lidhen me rreziqet që shoqërojnë emetuesin dhe biznesin e tij, si dhe me rreziqet që burojnë nga obligacioni si instrument financiar me të ardhura fikse. Për këtë arsye, në akt-ofertë, në një rubrikë të posaçme, kërkohet të dalin qartë, dukshëm dhe me përmbajtje konkrete të gjithë faktorët e rrezikut, si për emetuesin, ashtu edhe për obligacionin. Në hyrje të akt-ofertës, tërhiqet vëmendja e investitorit për të lexuar me kujdes dhe për të mbajtur parasysh faktorët e rrezikut para se të investojë në obligacione.

Projektrregullorja përcakton edhe procedurën e regjistrimit të akt-ofertës nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Autoriteti verifikon nëse akt-oferta përmban të gjithë informacionin e kërkuar sipas Ligjit nr. 62/2020 “Për tregjet e kapitalit” dhe kërkesave rregullatore, por Autoriteti nuk verifikon saktësinë apo vërtetësinë e informacioneve të paraqitura në akt-ofertë.

Emetuesi mban përgjegjësi për të dhënat që përmban akt-oferta, për paraqitjen e plotë dhe të vërtetë të gjendjes financiare, të operacioneve tregtare të emetuesit, të të drejtave që lidhen me obligacionin dhe kërkohet të deklarojë se nuk janë hequr fakte dhe të dhëna të cilat mund të ndikonin në plotësinë dhe vërtetësinë e akt-ofertës.

Mbështetur në informacionet që përmban akt-oferta, çdo investitor merr vendimin për investimin në obligacione dhe mban përgjegjësi për këtë vendim. Nëse investitori nuk është i bindur për investimin, ai mund të konsultohet me një profesionist të fushës.

Për këtë arsye, në akt-ofertë paraqitet rubrika “Paralajmërim për investitorët”, ku tërhiqet vëmendja se obligacioni mund të mos jenë një investim i përshtatshëm për të gjithë investitorët. Veçanërisht, në rastin e obligacioneve komplekse, siç janë obligacionet e nënrenditura (borxhi i varur), obligacionet e konvertueshme, apo obligacionet që përmbajnë elementë derivativë në strukturën e tyre, emetuesi duhet të kryejë përshtatshmërinë e investitorit në lidhje me investimin në obligacione.

Përshtatshmëria e investimit lidhet me njohuritë dhe përvojën e investitorit, kuptueshmërinë e kushteve të obligacionit ku do investohet, gjendjen e tij financiare dhe nevojën për likuiditet, horizontin e rrezikut, si dhe aftësitë analizuese për faktorët ekonomikë dhe socialë që mund të prekin investimin.

Pjesë e dokumentacionit për regjistrimin e akt-ofertës, sipas projektrregullores, është edhe Deklarata-tip, e cila duhet të firmoset nga investitori në momentin e nënshkrimit të obligacioneve. Investitori nënshkruan se ka marrë informacionin mbi obligacionin, merr përsipër të gjitha rreziqet që mund të shkaktohen nga investimi dhe se ka informacion për radhën e shlyerjes së obligacionit, në rast të falimentimit/likuidimit të emetuesit.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of