Rregullore e re për sipërmarrjet e investimit kolektiv

21/11/2020 2:13 PM 0 komente

Autoriteti i Mbykëqyrjes Finaniare (AMF) ka hartuar dhe nxjerrë për konsultim publik rregulloren “Për funksionimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive, shoqërive administruese të fondeve dhe depozitarëve në Republikën e Shqipërisë”.

Hartimi i dokumentit u realizua mbështetur në kërkesat ligjore të Ligjit 56/2020, si edhe në disa rregullore ekzistuese që mbulonin disa nga tematikat e përfshira në këtë rregullore.

Qëllimi i kësaj rregulloreje, sipas AMF është të përcaktojë kërkesat për veprimtarinë e sipërmarrjeve të investimeve kolektive që duhet të zbatohen nga shoqëritë administruese të fondeve dhe depozitarët e licencuar, si dhe nga subjektet të cilave shoqëritë administruese të fondeve dhe depozitarët i kanë deleguar aktivitetet përgjegjëse. Kjo rregullore përcakton gjithashtu kërkesat për kategorizimin e klientëve dhe trajtimin e klientëve nga shoqëritë administruese të fondeve dhe agjentët e tyre të shitjes, duke trajtuar kryesisht:

  • Rregullat për transaksionet që kryhen nga shoqëria administruese e fondeve për sipërmarrjen e investimeve kolektive ose nën-fondin, duke përfshirë përkufizimin dhe praktikat e ekzekutimit më të mirë, konfliktet e interesit si pengesë për ekzekutimin më të mirë, transaksionet që përfshijnë subjekte të lidhura, persona fizikë të lidhur dhe ata me lidhje pronësie;
  • Procedurën për vlerësimin, çmimin, shitjen dhe shlyerjen e kuotave të sipërmarrjeve të investimeve kolektive nga shoqëritë administruese të fondeve; duke përfshirë llogaritjen e vlerës neto të aktiveve për kuotë ose aksion; kontabilitetin dhe parimet e vlerësimit; metodologjinë e vlerësimit të kategorive dhe llojeve të ndryshme të aktiveve nga shoqëritë administruese të fondeve, verifikimin dhe kontrollin e çmimeve, llogaritjen e çmimeve të kuotave, procedurën e shitjes dhe shlyerjes;
  • Kategorizimin e klientëve dhe trajtimin e klientëve nga shoqëritë administruese të fondeve dhe agjentëve të tyre të shitjes, përgjegjësinë e agjentëve të shitjes dhe dhënien e informacionit në lidhje me agjentët e shitjes;
  • Rregullat për delegimin e aktiviteteve të shoqërive administruese të fondeve në lidhje me sipërmarrjet e investimeve kolektive;
  • Rregulla për regjistrimin e pronësisë së aksioneve ose kuotave, zbutjen e risqeve kryesore duke theksuar veprimet që duhet të ndërmerren për këtë qëllim;
  • Funksionimin e depozitarit në lidhje me sipërmarrjet e licencuara të investimeve kolektive;

 

Ndryshimet që sjell kjo projektrregullore nga aktet ekzistuese qëndrojnë në:

  • Kërkesa në lidhje me ekzekutimin më të mirë dhe në kohë të transaksioneve me aktivet e fondeve si dhe konfliktet e interesit si pengesë për ekzekutimin më të mirë;
  • Rregulla në lidhje me kontabilizimin dhe parimet e vlerësimit duke përcaktuar vlerësimin e aseteve në monedhë të huaj, kontabilizimin e transaksioneve të portofolit dhe të blerjeve në tregun primar;
  • Përcaktime shtesë në lidhje me metodologjinë e vlerësimit të aktiveve të SIK, të ndara sipas kategorive, llojeve të ndryshme të aktiveve dhe tregjeve ku janë investuar;
  • Rregulla shtesë në lidhje me verifikimin dhe kontrollin e çmimeve nga një palë e pavarur si dhe shpeshtësinë e këtyre kontrolleve;
  • Përcaktime shtesë në lidhje me vlerën neto të aktiveve për kuotë ose aksion, shprehjen e çmimit të kuotave për llojet e ndryshme të fondeve dhe nën-fondeve, rastet e llogaritjeve të gabuara dhe korrigjimi i këtyre gabimeve;
  • Kërkesa shtesë në lidhje me të drejtën për të deleguar aktivitetin e shoqërisë administruese;
  • Rregulla shtesë në lidhje me procedurën e shitjes dhe shlyerjes së kuotave;
  • Rregulla të reja në lidhje me kategorizimin e klientëve dhe trajtimin e tyre nga shoqëritë administruese të fondeve dhe agjentët e tyre të shitjes;
  • Kërkesa në lidhje me përgjegjësinë dhe kompetencat e agjentëve të shitjes si dhe rregulla për monitorimin e tyre nga ana e Autoritetit;
  • Rregulla shtesë në lidhje me regjistrimin dhe transferimin e pronësisë së aksioneve ose kuotave si dhe funksionimin e njësisë së depozitarit.
  • Përdorimin e terminologjisë së Ligjit 56/2020 “Për SIK”;

Vënia në zbatim e kësaj projektrregulloreje krijon kushtet për funksionimin më të mirë të sipërmarrjeve të licencuara të investimeve kolektive të themeluara në Republikën e Shqipërisë nga shoqëritë administruese të fondeve dhe depozitarët, me synim mbrojtjen e interesave të investitorëve, sipas AMF.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of