Rregullorja e re, bankat nuk mund të kreditojnë grupet brenda tyre pa lejen e BSH-së

01/08/2019 11:00 PM 0 komente

Banka e Shqipërisë nuk do të lejojë bankat e sistemit që të kreditojnë grupet e lidhura më ta pa lejen e saj.

Një rregullore që rregullon këtë kufizim është në proces konsultimi dhe synon të përcaktojë kushtet për dhënien e miratimit paraprak për marrëveshjen e mbështetjes financiare brenda grupit bankar.
Rregullorja e re përcakton se, banka mund të ofrojë mbështetje financiare brenda grupit në formën e një kredie, garancie ose si kombinim i tyre, për një ose disa banka apo subjekte të grupit bankar, me qëllim ruajtjen apo rivendosjen e gjendjes financiare të bankës, subjektit dhe të grupit në tërësi.

Por banka nuk mund të ofrojë mbështetje financiare brenda grupit, pa miratimin paraprak të Bankës së Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë jep ose refuzon dhënien e miratimit paraprak për marrëveshjen, mbi bazën e së cilës do të ofrohet mbështetja financiare brenda grupit, bazuar në vlerësimin e:

a) dokumentacionit të paraqitur nga banka pranë Bankës së Shqipërisë;
b) elementëve të marrëveshjes së mbështetjes financiare brenda grupit;
c) ndikimeve të mundshme në gjendjen financiare dhe qëndrueshmërinë e bankës ofruese; si dhe
d) ndikimeve të mundshme në stabilitetin financiar të vendit.

Banka që do të ofrojë mbështetjen financiare, paraqet pranë Bankës së Shqipërisë aplikimin për marrjen e miratimit paraprak të marrëveshjes së mbështetjes financiare brenda grupit dhe dokumentacionin përkatës, siç përcaktohet në nenin 6 të kësaj rregulloreje.

Procedura e shqyrtimit të dokumentacionit, lidhur me dhënien e miratimit paraprak për marrëveshjen e mbështetjes financiare, do të kryhet në dy faza:
a) në fazën e parë, Banka e Shqipërisë shpreh moskundërshtimin e saj për marrëveshjen e propozuar (projekt) të mbështetjes financiare, kur pas shqyrtimit të dokumentacionit të paraqitur krijon bindjen se marrëveshja përfshin të gjithë elementët e përcaktuar në rregullore.
b) në fazën e dytë, kur banka ofruese do të ofrojë mbështetjen konkrete për bankën (subjektin) marrëse, Banka e Shqipërisë jep miratimin paraprak. Ky miratim jepet vetëm pas plotësimit dhe shqyrtimit të dokumentacionit të përcaktuar në rregulloreje, si dhe të vlerësimit të Bankës së Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë, bazuar në shqyrtimin dhe vlerësimin e dokumentacionit të plotë, brenda 2 (dy) muajve, shpreh ose jo moskundërshtimin dhe, brenda 10 (dhjetë) ditë pune, jep ose refuzon miratimin paraprak të mbështetjes financiare. Datë e fillimit të procedurave do të konsiderohet data e regjistrimit të kërkesës apo njoftimit përkatës në Bankën e Shqipërisë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of