Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare miratoi në mbledhjen e datës 27 janar 2021 Rregulloren “Për funksionimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive të themeluara në Republikën e Shqipërisë, nga shoqëritë administruese të fondeve dhe depozitarët”.
Rregullorja e re parashikon detyrimin ligjor për të gjitha shoqëritë administruese të cilat tregtojnë instrumenta financiarë për fondet e investimit, të ekzekutojnë urdhëra të cilat japin rezultatin më të mirë të mundshëm në përfitim të investitorit. Rregullat e atij që njihet si “ekzekutimi më i mirë”, një standard i vendosur nga direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian, tashmë do të aplikohen edhe në Shqipëri, në përputhje me kërkesat e ligjit të ri “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”.
Në marrjen e rezultatit më të mirë të mundshëm për një sipërmarrje ose nën-fond, faktori “çmim” ka një rëndësi domethënëse. Megjithatë, në disa rrethana, për disa urdhra, për disa instrumente financiare ose tregje, politika e përshtatshme e ekzekutimit të urdhrave mund të përcaktojë faktorë të tjerë të ekzekutimit që janë më të rëndësishëm sesa çmimi në marrjen e rezultatit më të mirë të ekzekutimit. P.sh shpejtësia, mundësia e ekzekutimit dhe shlyerjes, madhësia dhe natyra e urdhrit, marzhi i tregut dhe çdo kosto tjetër e fshehur e transaksionit, mund të kenë përparësi mbi çmimin dhe koston e atij momenti, vetëm nëse ato japin rezultatin më të mirë të mundshëm në lidhje me sipërmarrjen dhe në fund investitorin.
Rregullorja kërkon që shoqëria administruese e fondeve jo vetëm të krijojë dhe zbatojë një politikë të ekzekutimit të urdhrave që të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm, por edhe të japë informacion të detajuar dhe të qartë në lidhje me të gjitha hapat që ndërmerren.
Rregullorja përcakton gjithashtu kriteret për përcaktimin e konfliktit të interesit, që mund të bëhet pengesë për arritjen e ekzekutimit më të mirë në favor të investitorit. Kjo rregullore është hartuar nga Autoriteti me mbështetjen e ekspertëve të Bankës Botërore, si edhe është konsultuar me të gjithë aktorët e tregut të fondeve të investimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.