Enti Rregullator i Energjisë shtyu sërish hyjnë në fuqi të Regullores për procedurat e shitjes së tepricave të energjisë elektrike në tregun e parregulluar për shoqërinë publike të furnizimit.
Afati i ri është 1 dhjetori ndërkohë që më herët ishte 15 shtatori. Ndryshimet e fundit që flasin për teprica ironikisht vijnë në një kohë kur i vendi ynë është një importues neto i thuajse shumicës së energjisë që konsumon për shkak të situatës jo të mirë hidrike dhe prej ditësh është përfshirë në debatin e situatës së jashtëzakonshme energjetike.
Por çfarë parashikon në vetvete rregullorja për tepricat. Kjo e fundit autorizon Furnizuesin e Tregut të Lirë (FLT) ashtu si KESH që në rast tepricash t’i shesë ato në treg. Bëhet fjalë për atë sasi energjie që FTL siguron nga prodhuesit me përparësi të energjisë që janë HEC-e me kapacitet të instaluar deri në 15MË.
Furnizuesit i kërkohet që të respektoje kushtet që vendos rregullorja duke garantuar transparencë dhe platformë funksionale. FLT-së i kërkohet që për periudhën tranzitore të zbatojë tëë njëjtat rregulla që ndjek KESH për rastet e ngjashme.
Po kështu sipas ERE FTL sh.a., duhet të marrë masa për implementimin në kohë të ndryshimeve në platformën IT, si dhe të raportojë në ERE çdo 30 ditë për ecurinë e implementimit të platformës.
“FTL sh.a., të përcjellë në ERE një kopje të strategjisë/metodologjinë për mënyrën e realizimit të shitjes së tepricave të prodhuara nga prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike, siç përcaktuar në nenin 13, pika 1, të Rregullores për procedurat e shitjes së tepricave të energjisë elektrike në tregun e parregulluar për shoqërinë publike të furnizimit në tregun e lirë, FTL sh.a., miratuar me vendimin e bordit të ERE nr. 202, datë 02.12.2020, më 1 Dhjetor 2021” thuhet në vendim.
I njëjti nënvizon se Drejtoria Juridike dhe Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, duhet të njoftojë shoqërinë FTL sh.a,. dhe palët e interesit të përfshira në dhënien e opinioneve për draftin e Rregullores për procedurat e shitjes së tepricave të energjisë elektrike në tregun e parregulluar për shoqërinë publike të furnizimit, “Shoqata Shqiptare e Furnizuesve të Energjisë Elektrike (AAES)”, për vendimin e bordit të ERE-s./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.