Ajo që vihet re është shtimi i programeve argëtuese në oraret e mbrëmjes, kryesisht në orën 21:00. “Ne kemi vënë re se shikuesit kërkojnë të shohin programe 100 për qind shqiptare dhe prandaj kemi investuar edhe shumë, që këtë sezon të sjellim një numër më të madh show, kryesisht argëtues”, shprehet drejtorja e programacionit në “Top Channel”, Vjollca Dedei.
Një mori programesh argëtuese, informativë dhe artistiko-kulturorë do të shfaqen për shikuesit këtë sezon të ri, me qëllimin unik, për të tërhequr sa më shumë audiencë. Një audiencë e lartë do të thotë jo vetëm më shumë reklama, por edhe një çmim më i shtrenjtë për to. E pikërisht këtu, gara bëhet më e ashpër.
Ajo nis që në mëngjes me programe televizive, kryesisht informative. “Vizion Plus” e fillon ditën me “Zip”, që nis transmetimin në orën 7:00, nga e hëna në të premte, me një çmim reklamimi 9,000-15,600 lekë/30 sekonda. Ndërsa në orën 10:00 fillon emisioni “Dita Ime”, ku një spot 30 sekonda kushton 11,400-21,000 lekë.
Gara bëhet “kokë më kokë” ndërmjet “Top Channel” me “Wake Up” dhe “Tv Klan” me “Aldo Morning Show”, që nisin emisionet e mëngjesit rreth orës 7.00.
Në këtë konkurrim duket se fitues në tarifa është “TV Klan”, me çmim më të shtrenjtë reklamimi, 24,300 lekë/30 sekonda, ndërsa në “Top Channel”, çmimi është 22,000-22,500 lekë/30 sekonda.
Konkurrenca duket se është shtuar edhe për “rrëmbimin” e orareve të pasdites, përmes programeve informativo-argëtues, pak a shumë me të njëjtin format. Në “Klan” transmetohet “Takimi i Pasdites”, ndërsa në “Top Channel” transmetohet “Pasdite”. Të dyja këto programe kanë pak a shumë të njëjtin format: një prezantuese, kronika të ndryshme, si dhe të ftuar në studio. Kryesisht në këtë fashë orari synohet audienca femërore.
Starton java, Kutia më e shtrenjtë se Fiks Fare
Ditën e hënë konkurrenca e mbrëmjes ashpërsohet në orën 20:00. Garën e orës 20:00 duket se e fiton “TV Klan”. Ky televizion konkurron në këtë fashë orari me game-show “Kutia”, i drejtuar nga Enkel Demi, ku një spot 30 sekonda kushton 45,000-52,650 lekë.
Ndërkohë në “Top Channel” transmetohet emisioni “Fiks Fare”, që ka në epiqendër identifikimin dhe bërjen publike të rasteve të abuzimeve nga zyrtarë të ndryshëm. Ky emision, që prej vitesh transmetohet në “Top Channel”, ofron një çmim reklamimi prej 48,000-49,500 lekë/30 sekonda spot.
Gara vazhdon edhe më tej. Në orën 21:00, programi më i shtrenjtë është “By Pass Show” i Agim Bajkos, në televizionin “Vizion Plus”, ku një spot 30 sekonda kushton 36,000-57,000 lekë. Ndërkohë “Top Channel” aplikon një çmim prej 46,500-51,000 lekësh për emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës që transmetohet në të njëjtin orar.
Më pas, në orën 22:00, gara duket se është “kokë më kokë” ndërmjet emisionit “Opinion” në “Klan” dhe “Zonë e Ndaluar” në “Vizion Plus”. Më i shtrenjtë vijon të mbetet emisioni i Blendi i Fevziut, me çmim reklamimi 81,000-162,000 lekë, ndërkohë që një spot 30 sekonda në emisionin e Andi Bushatit kushton 39,000-102,000 lekë. Menjëherë pas përfundimit të emisionit “Shqip”, “Top Channel” vijon të transmetojë “Procesi Sportiv”, një emision sportiv që nis në orën 23:00, për të cilin paguhet 18,000-22,500 lekë.
E martë, Opinion kundrejt Inside e Top Show
Mbrëmja e së martës vijon sërish me “Fiks Fare” dhe “Kutia”, emisione që transmetohen nga e hëna në të premte, në orën 20:00, me të njëjtat çmime reklamimi.
Ndërkohë në orën 22:00, në “TV Klan” vazhdon sërish emisioni “Opinion”, që transmetohet nga dita e hënë deri të enjten. Në “Vizion Plus”, në këtë fashë orari, transmetohet emisioni informativo-politik, “Inside”, ku një spot publicitar kushton shumë më lirë se “konkurrenti” në “TV Klan”, 39,000 lekë/30 sekonda.
“Top Channel” vijon transmetimin me “Top Show”, i cili fillon në orën 23:00 dhe ofron një çmim reklame prej 15,000-21,000 lekë/30 sekonda.
E mërkurë, vetëm Vizion-i me show
Për të mërkurën duket se vetëm “Vizion Plus” ofron për teleshikuesit një program show në orën 21:00, “Histori Dashurie”, i cili ka në thelb rrëfimin e historive të ndryshme të dashurisë përmes personazheve të ftuar në studio. çmimi i reklamimit në këtë program kushton 39,000-120,000 lekë/30 sekonda.
Opinion “fiton” ndaj Top Story, 2-3 herë më i shtrenjtë
Më e ashpër gara duket se është mbrëmjen e së enjtes, ku në kanalet televizive, në orën 21:00, nis transmetimi i emisioneve politike, kryesisht debate me përfaqësues të politikës apo nga media. Gara fokusohet midis “Top Channel” dhe “TV Klan”, përkatësisht me “Top Story” dhe “Opinion”. Në këtë konkurrencë, emisioni që vlen më tepër para për reklamuesit është “Opinion”, nga Blendi Fevziu, me çmim reklamimi 81,000-162,000 lekë/30 sekonda, ndërkohë që “Top Story” nga Sokol Balla kushton 48,000-69,000 lekë/30 sekonda. Sipas drejtuesve të programacionit, emisionet politike kanë ende shumë interes për pjesën dërrmuese të teleshikuesve. “Megjithëse e ka humbur peshën e mëparshme, politika zë ende një peshë të konsiderueshme tek audienca, prandaj edhe emisionet politike transmetohen në fasha orari të rëndësishme, siç është ora 21:00”, thotë Vjollca Dedei, drejtore programacioni në “Top Channel”.
Por sipas Ana Kekezit, drejtores së marketingut në “Vizion Plus”, njerëzit po kërkojnë gjithnjë e më shumë argëtim në televizione dhe më pak politikë.
“Gjatë transmetimit të show-t ‘Dancing with a star’, i cili transmetohej të enjten në orën 21:00, rezultoi sipas anketimeve që ne kryenim se ishim të parët në audiencë. Kjo vërteton më së miri se shqiptarët tashmë janë të lodhur nga politika dhe kërkojnë zbavitje”, shpjegon Kekezi.
E premtja-e shtunë, tendenca drejt zbavitjes
E premtja mbrëma duket se ka një konkurrencë vërtet të ashpër ndërmjet tre kanaleve më të mëdha televizive në vend. Në “Vizion Plus” transmetohet programi i njohur tashmë “Zonë e Lirë”, i drejtuar nga Arian çani, në “TV Klan” transmetohet emisioni “Njerëz të Humbur”, ndërsa në “Top Channel” do të nisë “Albania´s got talent”.
Por garën duket se e ka fituar programi i “Top Channel”, ku një spot reklamimi 30 sekonda kushton 174,000-186,000 lekë. “Zonë e lirë” ka çmim 93,000-144,000 lekë, ndërsa “Njerëz të Humbur” është më i lirë se konkurrentët e tij, vetëm 60,750 lekë/30 sekonda spot.
Ndërsa darkën e së shtunës dy stacione transmetojnë programe shqiptare, “Vizion Plus” me “Mos e beso po deshe” ku reklamimi kushton 72,000 lekë dhe “Top Channel” me “Me & You”, ku spoti 30 sekonda shitet për 75,000 lekë.
E diela e shtrenjtë, mbizotëron humori
Në listën e programeve televizive, më i shtrenjti vijon të mbetet show argëtues “Portokalli”. Sipas ofertave të publikuara nga “Top Channel”, një spot reklamimi 30 sekonda në këtë program kushton 192,000 lekë. “Portokalli” transmetohet të dielën, në orën 21:00, duke konkurruar me të njëjtin orar me show-n tjetër “Apartamenti 2XL”, i cili transmetohet në “Vizion Plus”. Por ky show duket se kushton më lirë për reklamuesit, të cilët duhet të paguajnë 156,500 lekë për 30 sekonda spot publicitar. Ndërkohë televizioni “Klan” ka zgjedhur të konkurrojë të dielën me një emision të tipit social-historik “Histori me Zhurmues”, ku reklamimi kushton 60,750 lekë/30 sekonda.
Televizionet shtrenjtojnë çmimet
Ajo që vihet re në çmimet e reklamimit përmes programeve të ndryshme televizive është shtrenjtimi i tyre mesatarisht 15%, një normë rritjeje që realisht ndodh çdo vit.
Në shumë raste, mediat kanë preferuar të rrisin fare pak çmimet me synimin për të tërhequr sa më shumë reklamues.
“Nuk ka qenë qëllimi ynë rritja e çmimeve, por shtimi i numrit të reklamave në televizionin tonë”, thotë Vjollca Dedei e “Top Channel”.
Me qëllimin për të shtuar audiencë, televizionet kanë ashpërsuar garën në fasha orari të caktuara. Të tria televizionet do të kenë tashmë programe mbasditeje, ku qëllimi duket seështë i njëjti: audienca femër.
Në orarin e drekës, televizionet i drejtohen të rinjve, ku “TV Klan” dhe “Vizion Plus” do të shfaqin programe të reja rinore, përkatësisht “Promozone” dhe “Next”. Ndërkohë në “Top Channel” do të vijojë të transmetohet “Top Select”.
Edhe në mëngjes televizionet ofrojnë programe të ndryshme 100% shqiptare, që fillojnë në orën 7:00 për të përfunduar në orën 13:00 me “Dita Ime” në “Vizion Plus”.
Edhe në edicionet informative televizionet janë mjaft konkurrues, sidomos Tv Klan dhe Top-Channel, që transmetojnë lajmet në të njëjtin orar.
Programet “TV KLAN”
“Opinion”
Blendi Fevziu
Nga e hëna deri të enjten, ora 22:00 dhe 21:00
Emision i konceptuar me 4 puntata, në fokus ngjarjet dhe personazhe të ditës ose debate politike
çmimi 30 sek/ spot 90,000 lekë
81,000-162,000 lekë
“E Diela Shqiptare”
Ardit Gjebrea
E diel ora 15:30-16:00 dhe 17:00-19:10.
Do të përmbajë argëtim, informacione, humor, por edhe Këngën Magjike.
çmimi 30 sek/ spot 69,000 lekë
81,000 lekë
“Njerëz të Humbur”
Aida Shtino
E premte, ora 21:00
Emision social, një proces i gjatë hulumtimesh dhe të dhënash investigimi rreth fatit të personit të humbur, që kërkohet.
çmimi 30 sek/ spot 69,000 lekë
60,750 lekë
“Kutia”
Enkel Demi
Nga e hëna në të premte, ora 20:05
Format tv game-show, që dhuron vazhdimisht çmime
çmimi 30 sek/ spot 45,000 lekë
52,650 lekë
“Aldo Morning Show”
Aldo Lipe
Nga e hëna në të premte, ora 06:59
Emision mëngjesi. Përfshin lidhje direkte, muzikë, biseda argëtuese, telefonata.
çmimi 30sek/spot 24,000 lekë
24,300 lekë
“Histori me Zhurmues”
Pandi Laço
Emision me ngjarje nga periudha përpara viteve ‘90
çmimi 30 sek/spot 69,000 lekë
60,750 lekë
“Promozone“
24,300 lekë
“Takimi i Pasdites”
28,350 lekë
“Uefa Champions League”
162,000 lekë
Programet e “Top Channel”
“E Diell”
Adi Krasta
E diel, ora 14:00-19:30
Një spektakël maratonë, personazhe, argëtim, informacion
çmimi 30 sek/spot 18,000 -63,000 lekë
18,000-69,000 lekë
“Portokalli”
Nga data 4 tetor, ora 20:50
Shfaqje humoristike me personazhe të shumtë
çmimi 30 sek/spot 96,000-180,000 lekë
96,000-192,000 lekë
“Fiks Fare”
Saimiri dhe Doktori
Nga e hëna në të premte, ora 20:10
Kritikon dhe ngre probleme, duke përdorur humorin dhe satirën, për të denoncuar dukuritë negative.
çmimi 30 sek/spot 45,000 lekë
48,000-49,500 lekë
“Top Story”
Sokol Balla
E enjte, ora 21:00
Një “talk show” politik. Sjell ngjarjen kryesore të javës dhe protagonistët kryesorë të saj
çmimi 30 sek/spot 57,000 lekë
48,000-69,000 lekë
“Shqip”
Rudina Xhunga
E hënë, ora 21:00
Intervista, kërkime të hollësishme dhe investigimeve në thellësi
çmimi 30 sek/spot 45,000 lekë
46,500-51,000 lekë
“Top Show”
Alban Dudushi
E martë – e premte, ora 23:00
Është një “talk show” i pasuruar me elementë të ndryshëm argëtues
çmimi 30 sek/spot 12,000 lekë-21,000 lekë
15,000-21,000 lekë
“Procesi Sportiv”
E hënë, ora 23:00
Edi Manushi dhe Marina Vjollca
Një emision mbi ngjarjet kryesore sportive nga vendi dhe bota
çmimi 30 sek/spot 15,000 lekë-21,000 lekë
18,000-22,500 lekë
“Wake Up”
Nga e hëna në të premten, ora 07:05
Eno Popi, Ledion Liço
Emision mëngjesi. Tema të ndryshme për diskutim, informacion, si dhe muzikë
çmimi 30 sek/spot 21,000 lekë
22,000-22,500 lekë
“Formula 1″
Garat e makinave në pista të ndryshme
çmimi 30 sek/spot 210,000-255,000 lekë
“Exclusive”
45,000
48,000-49,500 lekë
“Albania´s Got Talent”
E premte
174,000-186,000 lekë
Programet e “Vizion Plus”
“Zonë e Lirë”
Arian çani
E premte, ora 21:00
Një emision me karakter gjeneralist, i cili mbështetet mbi aktualitete të ndryshme
çmimi 30 sek/spot 48,600 103,275 lekë
93,000-144,000 lekë
“Dita Ime”
Nga e hëna në të premte, ora 10:10
Emision mëngjesi, i konceptuar në formën e një maratone programore
çmimi 30 sek/spot 11,340 -21,060
11,400-21,000
“Zip”
Rezear Xhaxhiu dhe Jonida Shehu
Nga e hëna në të premte, ora 07:00
Një prodhim i departamentit të informacionit
çmimi 30 sek/spot 8,910 -14,985 lekë
9,000-15,600
“By Pass Show”
Agim Bajko
E hënë, ora 21:00
Nën një optikë satirike, përmes së cilës mund të shohësh gjithçka dhe të komentosh lajme, fenomene, personazhe
çmimi 30 sek/spot 34,830 -51,435 lekë
36,000- 57,000 lekë
“Histori Dashurie”
E mërkurë, ora 21:00
Ermira çausholli
Histori dashurie me personazhe të ndryshëm të famshëm
çmimi 30 sek/spot 39,000-120,000 lekë
“Apartamenti 2XL“
E diel, ora 21:00
Improvizim, humor show nga Julian Deda, Gentian Zenelaj, Ermal
çmimi 30 sek/spot 63,000- 156,500 lekë
“Inside”
E martë, ora 22:00
Emision social-politik nga Mimoza Picari
çmimi 30 sek/spot 39,000 lekë
“Zonë e Ndaluar”
E hënë, ora 22:00
Dokumentar-analizë nga Andi Bushati
çmimi 30 sek/spot 39,000- 102,000 lekë
“Mos e beso po deshe”
E shtunë, ora 20:10
Program argëtues
çmimi 30 sek/spot 72,000 lekë
“Chic Plus”
E diel, ora 18:10
Emision art-kulturë
çmimi 30 sek/spot 22,500-25,500
“Top Channel”, shumë programe të reja
Televizioni kombëtar “Top Channel” do të sjellë për teleshikuesit një mori programesh të reja, me qëllimin për t´i ofruar atyre prodhime 100% shqiptare.
“Ne kemi investuar shumë këtë vit në realizimin e programeve të reja, sepse e kemi vënë re që publiku kërkon të shohë show shqiptarë dhe jo të huaj”, thotë për “Monitor”, drejtorja e programacionit në “Top Channel”, Vjollca Dedei.
Ka nisur tashmë të transmetohet show “Me & You”, që ka në fokus dy këngëtarë të njohur shqiptarë, të cilët sjellin historinë e tyre, këndojnë, bisedojnë etj. Ky show nuk ka prezantues, pasi prezantimi bëhet nga vetë këngëtarët. Transmetimi i tij do të zgjasë për 6 puntata.
Menjëherë pas përfundimit të “Me & You”, televizioni do të nisë transmetimin e një tjetër show me bazë kinemanë shqiptare. “Idenë dhe përmbajtjen e këtij show preferojmë ta mbajmë sekret”, thotë Vjolca Dedei.
Ndërkaq, më 15 tetor, do të nisë transmetimi i formatit shqiptar, show të njohur në shumë vende të botës “Albania´s got talent”, i cili përfshin njerëz të thjeshtë dhe talentin e tyre. Ky show do të zgjasë deri në fund të vitit.
Por nuk përfundon me kaq, më 2 nëntor “Top Channel” do të nisë transmetimin e game-show “The money drop”, i cili do të jetë një quiz me njohuritë e konkurrentëve, ku paratë do të merren cash, çka krijon një adrenalinë të fortë.
Në fund të vitit “Top Channel” do të nisë transmetimin e një seriali shqiptar të realizuar nga Gjergj Xhuvani.
“Por në ‘Top Channel´ nuk do të mungojnë as programet tashmë traditë të tij”, shprehet drejtorja e programacionit, Dedei. Do të vijojnë të transmetohen “Top Show”, “E Diell”, “Pasdite në Top Channel”, “Exclusive”, “Top Select”, “Top Fest” dhe “Big Brother”.
Arena politike dhe çështjet më të mprehta të ditës i janë besuar Sokol Ballës në emisionin e tij “Top Story”, ndërsa “Shqip” nga Rudina Xhunga do të jetë më tepër i fokusuar në çështje që kanë në fokus historinë, aspektet sociale, letërsinë etj.
“Klan”, shtohen investimet
Drejtori i programacionit në “Tv Klan”, Albert Dumani, thotë se sezoni i rregullt televiziv 2010-2011 ka nisur zyrtarisht në “Klan”, më datë 6 shtator, duke rikthyer në ekran emisionet, spektaklet dhe programet strukturë, të cilët përfunduan më 31 korrik.
“Aldo Morning Show” rivjen këtë sezon me një skenografi të re, rubrika të reja dhe korrespondentë të veçantë. Këtë sezon, orari i programit bëhet tri orë transmetim “live” me lidhje direkte nga qytete të Shqipërisë, çdo ditë, nga e hëna në të premte, 06:5910:00.
“Kutia” game-show i vetëm në Shqipëri, format nga “Endemol”, me Enkel Demin, vjen në “Klan”, çdo mbrëmje, nga e hëna deri të premten, ora 20:05. E reja këtë sezon televiziv është çmimi i madh prej 25 mijë eurosh. Emocione, surpriza, humor, show dhe lojtarë, të cilët duan të fitojnë sa më shumë, e sidomos çmimin e madh.
çdo pasdite, publiku i “Klan” informohet dhe argëtohet me programin tjetër të përditshëm nga Rudina Magjistari, në sezonin e dytë të tij në “Klan”. Një show argëtues dhe informativ që shoqëron çdo pasdite familjet shqiptare. Të ftuar në panel, që flasin për tema të ndryshme, inserte filmike të xhiruara më parë, lidhje direkte. Targeti është e gjithë familja, por duke u fokusuar më tepër tek ai femëror.
Emisioni politik “Opinion”, nga Blendi Fevziu, tashmë në vitin e tij të 14 të transmetimit, do të jetë si gjithmonë nga e hëna në të enjte, gjatë gjithë sezonit. çdo javë në studion e “Tv Klan”, komente, analiza, debate, intervista, personazhe, dëshmi dhe fakte konkrete. Të premteve, stafi i emisionit social “Njerëz të humbur” nga Aida Shtino, vazhdon misionin human të gjetjeve të personave të humbur. Emisioni social më i ndjekur në Shqipëri është kurorëzim i një procesi të gjatë hulumtimesh dhe të dhënash investigimi rreth fatit të personit të humbur që kërkohet. Investigimi nis që nga kontakti i fundit i pohuar nga të afërmit dhe më pas ai vazhdon me një numër të pafund kontaktesh, telefonatash, kërkimesh.
Në fund të shtatorit do të fillojë një program i ri rinor, çdo ditë, nga e hëna deri të premten, nga ora 14:00-15:15 me titull “Promo Zone” nga Bojken Lako. “Promo Zone” është një projekt i ri televiziv, i cili qëllimin e tij e shpreh që në emër, Zona e Promovimit. “Promo Zone” është një program kryesisht rinor, por që ka materiale të cilat nuk janë vetëm për të rinj. Në një studio të vogël televizive, por shumëfunksionale, në 1 orë e 15 minuta, do të ketë disa rubrika dhe të ftuar specialë. Kjo edhe për t´i dhënë larmi emisionit, por edhe për të pasur mundësinë e promovimit të disa kulturave. Promovimi në këtë program konsiston në suportin dhe hapësirën televizive që i jepet artistëve të rinj, të cilët nuk kanë mundësi të promovohen për shkak të natyrës së përcaktuar që kanë programet e tjerë televizivë.
Kanë filluar përgatitjet për një superspektakël: “Këngët e shekullit” është një format origjinal televiziv, por tashmë vjen si projekt i njohur dhe i suksesshëm muzikor me dy edicionet e tij të këngës së lehtë shqiptare.
“Këtë herë ai vjen me një tjetër ide dhe përmbajtje, sepse do të sjellë një krijimtari krejt tjetër nga ajo e edicioneve të kaluara. Ai merr përsipër të sjellë këngët më të bukura popullore e qytetare shqiptare, atë pjesë shumë të ndjeshme e të afërt për të gjithë publikun televiziv. Programe televizive me muzikë popullore janë realizuar mjaft, por në rastin tonë bëhet fjalë për një punë të kujdesshme me krijimtarinë popullore, në një përzgjedhje të kalibruar të gjërave më të dashura e më të njohura, në një qëmtim të perlave të muzikës popullore e qytetare”, thotë Albert Dumani. Sipas tij, për herë të parë merret përsipër të bëhet një sondazh për këngët më të bukura të tabanit, ato që na kanë shoqëruar në jetën tonë në çdo hap. Është një format që ndërthur ritmet dhe emocionet. Janë 100 këngë shumë të suksesshme, të cilat prezantohen në 10 net (10 të shtuna “prime time”) pra 10 këngë në çdo mbrëmje. Këto këngë do t´i nënshtrohen një votimi të publikut përmes mesazheve telefonike, duke përcaktuar një “Superklasifikim”. Presupozohet të ketë shumë sukses, sepse janë këngët më të dashura për publikun, këngët që dihen përmendësh, që këndohen nëpër festat dhe gëzimet familjare. Një tjetër arsye që garanton suksesin e programit është se këngët do të interpretohen nga 10 prej këngëtarëve më të kërkuar dhe më të mirë shqiptarë, versione të reja, me orkestracione moderne, të shoqëruara nga një formacion i madh orkestral, të kënduara “Live”.
Pas suksesit të spektaklit “Gjeniu i vogël”, disa muaj më parë në “TV Klan”, stafi realizues artistik i këtij programi i ka shanset të realizojë një tjetër show me audiencë maksimale, e me parametra europianë, i cili do të transmetohet në “TV Klan”. Këngët do të interpretohen “live” në studio, me pjesëmarrje të publikut në sallë. Një bandë tjetër e karakterit mesdhetar do të përcjellë dhe një tjetër grup këngësh e kolazhesh “live” në studio, me artistë e personazhe të ftuar.
Vijojnë në grilën programore në prime-time, serialet “Dr. House”, “Csi N.Y”, “Anatomia e Greit” dhe “Skuadra e re”, seriali i fundit ku ka interpretuar Pietro Tarricone, mashkulli më i pëlqyer në Itali, rezultat i “Grande Fratello 1”. Si dhe serialet e tjera amerikane si “South Beach”, “Sex, love and secrets”. “Sex and the city”, ekskluzivisht në “Klan”.
“Ndërkohë në tryezat e stafit dhe bordit të ‘Klan´ po diskutohen projektet e reja, që do të zënë vend në programacionin e ‘Klan´ gjatë sezonit të ri 2010-2011, pas muajit janar. Dy projekte gjigante do të jenë një kënaqësi e padiskutueshme për publikun e ‘TV Klan´”, thotë Dumani.
“Vizion Plus”, dy programe të reja
Ashtu si çdo fillim vjeshte, edhe këtë vit, ky ekran do të sjellë programe, që tashmë janë kthyer në traditë, por edhe emisione të reja.
Risitë këtë vit duket se do të jenë dy programe të reja, që do të zënë oraret e pasdites, njëri prej të cilëve është “Ora 5”. Ky program do të nisë në muajin tetor dhe do të jetë një konkurrent tjetër në orarin e pasdites, por i cili zgjat vetëm një orë dhe përfundon para dy programeve të tjera të pasdites në “Top Channel” dhe “Tv Klan”. Sipas Ana Kekezit, drejtoreshë e marketingut në “Vizion Plus”, ky program do të jetë një risi në formën e vet, ku çdo gjë do të organizohet në formë debati, ku do të jenë të ftuar të ndryshëm.
Në muajin tetor do të nisë edhe një tjetër projekt i ri, që është “Next”, edhe ky një program i pasdites, dedikuar të rinjve, i cili do të prezantohet nga dy personazhe të njohur. “Nga ajo që është vënë re vitet e fundit në treg, shihet se gjithnjë e më shumë synohen të tërhiqen moshat e reja 30-50 vjeç, sepse janë pikërisht ato që janë edhe konsumatorët më të shumtë”, shprehet Ana Kekezi.
Për të tretin vit radhazi, Arian çani, me “Zonë e Lirë”, ka nisur transmetimin të premten mbrëma, në orën 21:00. Pa ndryshuar formatin argëtues, ai premton edhe në këtë sezon “emocione të lira”.
Një ndryshim për këtë sezon të ri do të jetë spostimi i emisioneve të darkës me një orë, ku do të përfshihen “Inside” dhe “Zonë e Ndaluar”. “Në fakt të dyja këto emisione i përkasin një audience me formim më të madh, që kryesisht ndjek televizion në orët e vona të mbrëmjes, kur edhe ulet për të pushuar. Kjo vihet re edhe në mediat e huaja”, thotë drejtorja e marketingut në “Vizion Plus”.
“Zonë e ndaluar”, emisioni i Andi Bushatit, do të vijojë të jetë një program që do të hedhë dritë mbi ngjarjet aktuale, në pikat e tyre më të errëta.
As Agim Bajko nuk mund t´i mungojnë sezonit të ri. Por këtë sezon, emisioni “By Pass” nuk do të transmetohet më të dielën, por ditën e hënë, në orën 21:00, “për t´i dhënë më shumë hapësirë”, thotë Kekezi. Humoristi i njohur i ekranit shqiptar premton të sjellë përmes batutës së hollë lajmin e ditës në një tjetër këndvështrim, ku ndërthuren serioziteti, ironia dhe humori.
“Zip”, i Rezear Xhaxhiut dhe Jonida Shehut, do të nisë si zakonisht ditën informative.
Si për hir të konkurrencës, por edhe për t´i dhënë më shumë hapësirë pjesës investiguese, edicioni i lajmeve është parashikuar të jetë sërish në orën 19:00.
Loja “Mos u nxeh” nuk do të rikthehet më për shikuesit e televizionit, kjo sepse drejtuesit kanë “gjykuar” se ky emision e ka përmbushur tashmë misionin e tij. Sipas departamentit të produksionit nuk do të mungojnë as prodhimet e njohura të kinematografisë botërore, si dhe telenovelat e studiove prestigjioze, realizime të viteve të fundit.
“Histori dashurie” do të jetë në edicionin e dytë për këtë vit dhe do të vijojë të transmetohet të martën, në orën 21:00. Aktualisht janë në transmetim pjesët më të bukura të këtij programi, por më pas do të vijnë për shikuesit histori të reja. Komunikimi me publikun shqiptar do të jetë në një tjetër nivel, të panjohur deri më tani, duke nisur nga fokusi i tij kryesor, mënyra gazetareske e trajtimit të tij, si dhe elementët e pasur artistikë të spektaklit si muzika dhe baleti. Përmes trajtimit të historive reale dhe të vërteta të dashurisë, ky produkt jep mesazhe edukuese, paqeje, faljeje, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi.
Show “Të kërcesh me një yll”, që është një blerje me patentë amerikane, që në ekranet e njohura njihet me titullin “Dancing with the stars”, do të vijojë të transmetohet në vitin 2011.
Ky televizion ka nisur tashmë transmetimet me programet si “Dita ime”, që transmetohet nga ora 10:00-13:00, apo me formatin e “Mos e beso po deshe”, që paraqet ngjarje e personazhe të pazakonta nga vendi dhe bota.
Intervistat me kompanitë e marketingut
Matja e audiencës, nevojë emergjente
Sipas të dhënave nga kompanitë e marketingut rreth 60% e tregut total të reklamave i shkon televizioneve, ku përllogaritet që mediat vizive xhirojnë rreth 25 milionë euro/vit vetëm nga reklamat. Reklamuesit më të mëdhenj vijojnë të mbeten kompanitë e telekomunikacionit, më pas bankat dhe tregtuesit e pijeve, ushqimeve, etj.
Një nga problemet ende të mëdha që pengon edhe zhvillimin e mirëfilltë të tregut është mungesa e matjes së audiencës, që sipas drejtuesve të kompanive të marketingut, është një nevojë emergjente.
Konstantinos Panagiotopoulos, drejtori i përgjithshëm i “Optimum Media”
Kompanitë e mëdha, fuqia drejtuese për zhvillimet e ardhshme
Në kohë të pasigurta marketingu, shpesh trajtohet si një shpenzim i tepërt dhe shkurtohet, me gjithë studimet që tregojnë se kompanitë që ruajnë nivelin e shpenzimeve në marketing, edhe në kohë recesioni bëhen më të forta, ndërsa ato që nuk e bëjnë, jo. Dhe ne jetojmë në kohë të pasigurta… 2009-a ishte një vit i vështirë për median në të gjithë Europën Qendrore dhe Lindore. Sipas burimeve të specializuara, në 2009-n, tregu i reklamave pësoi rënie prej 20%, nga Romania në Republikën çeke dhe nga Estonia në Shqipëri. Duke e parë më nga afër, ekonomia shqiptare dhe tregu i marketingut nuk është reduktuar aq sa në vendet fqinje, pasi ekonomia ende vijon në një rritje pozitive dhe shpenzimet për marketing kanë rritje modeste krahasuar me vitin 2009. Një ndikim të madh në tregun e reklamave e japin investimet e huaja direkte, ku roli më i madh “luhet” nga markat. Si rrjedhojë e kësaj, rreth 60% e shpenzimeve për reklama në media i përket brande-ve të mëdha si “Vodafone”, “AMC”, “Eagle Mobile”, “Raiffeisen Bank”, “Procter & Gamble” etj. Me gjithë mungesën e një tregu të rregulluar mediatik këto kompani të mëdha ndërkombëtare janë fuqia drejtuese për të realizuar ndonjë zhvillim të ardhshëm. Ky zhvillim do të vijë si përgjigje ndaj nevojës për të kuptuar konsumatorin shqiptar, sjelljet dhe zakonet e tij, çka do të nxisë investimet në matjen e audiencës. Këta faktorë do të krijojnë bazat për një konkurrencë të shëndoshë ndërmjet aktorëve kryesorë të këtij tregu, duke krijuar gjithashtu një lidhje me konsumatorin shqiptar.
Thanas Goga, “R & T”
Televizioni, kanali mediatik më i preferuar
Sa për qind e shpenzimeve të reklamave shkojnë në televizion?
Për sa i përket përvojës sonë gjatë 2009-s dhe gjysmës së parë të 2010-s, vihet re që televizioni mbetet ende kanali mediatik më i preferuar për reklamuesit në tregun shqiptar të marketingut, duke rezervuar rreth 60-65% të shpenzimeve publicitare për këtë medium.
Cilat janë programet e preferuara nga audienca?
Programet më të preferuara për audiencën mbeten programet informative të zonës “prime time” për katër kanalet kryesore televizive, të cilat zotërojnë së bashkuar mbi 60% të audiencës totale televizive në vend, ndërkohë që vihet re një shkallë e rritur e preferencës për formatet e tipit “reality-show” dhe natyrisht “talk-show” të zonave orare të mbrëmjes dhe ato të “AM Drive” (të mëngjesit). Gjithashtu, nëse do të flisnim për preferencat përkatëse të dy grupeve kryesore demografike (M-F), do të veçoja transmetimet sportive dhe veçanërisht ndeshjet e futbollit për meshkujt, si dhe telenovelat për femrat dhe moshën e tretë.
Sa varion në vlerë tregu i publicitetit që i drejtohet reklamave?
Ndonëse është e vështirë të thuhet me saktësi se cila është vlera totale e shpenzuar për shfaqjen e reklamave në tregun shqiptar të mediave, ajo që mund të thuhet me siguri është se ka rritje shpërpjesëtimore të shpenzimeve në tregun e reklamave outdoor, krahasuar me TV-në, dhe sidomos me radion dhe median e shkruar, që për mendimin tim personal, këto dy të fundit mbeten ende të pashfrytëzuara si duhet. Ndërkohë që përdorimi i reklamave on-line është mjaft larg kuotave, qoftë edhe të vendeve të rajonit, dhe aq më tepër ndaj atyre me një treg të konsoliduar reklamash. Përllogaritjet e brendshme në agjencinë tonë bëjnë fjalë për një treg mbi 45 milionë euro në total, duke përfshirë median elektronike, atë të shkruar, outdoor dhe transit.
Si ka evoluar ky treg?
Të dhënat tregojnë që ka një stanjacion të theksuar në ritmet e parashikuara të rritjes, si rrjedhojë edhe e ndikimit të krizës financiare globale që preku disi me vonesë tregun e marketingut shqiptar. Duket qartë se ka hezitim për rritjen e buxheteve të shpenzuara për marketingun dhe median nga aktorët e përhershëm të këtij tregu, si p.sh., tregut të telekomunikacioneve, të FMCG-ve dhe sidomos, ata të sektorit bankar dhe të shërbimeve financiare. Prirja kryesore që do të nënvizoja si dukuri e veçantë e zhvillimeve të këtij tregu këto kohët e fundit, është nxitja e përdorimit të mediave alternative me më pak kosto se sa mediave masive, duke synuar për një impakt më të madh me më pak shpenzime.
A e ka ndier ky treg krizën dhe cilat janë industritë që kanë reduktuar buxhetet?
Sektorët që kanë reduktuar më së shumti buxhetet, për sa i përket ndikimit që ato kanë pasur në treg janë distributorët e mëdhenj të FMCG-ve dhe ato të sektorit bankar dhe financiar, ku këto të fundit, krijuan përshtypjen se do të ndikonin ndjeshëm në tregun mediatik shqiptar në fund të 2008-s dhe gjatë 2009s. Edhe tregu i automobilave duket se është ende i përgjumur në projektet e veta marketing, ndërkohë për sa i përket tregut të telekomunikacioneve, vihen re përpjekje më intensive, sidomos nga aktorët që kanë përkatësisht pjesët më të vogla në treg.
Sa problematike është mungesa e matjes së audiencës?
Sigurisht që mungesa e një instrumenti të vazhdueshëm të matjes së audiencës ndikon së tepërmi në vazhdimësinë e informalitetit të tregut media-planning dhe buying të mediave, duke krijuar një ofertë jotransparente dhe duke nxitur tendencën për krijimin e situatave monopoliste apo oligopoliste në këtë sektor. Për adaptimin e një sistemi të tillë, ndoshta do të duhej që, përveç vetë grupeve mediatike, të kishte një nismë të përbashkët nga të gjithë aktorët e tjerë të interesuar të këtij tregu, duke përfshirë agjencitë publicitare, media shops dhe, sigurisht, edhe përfaqësuesit e reklamuesve më të mëdhenj. Besoj, se për sa i përket mundësive të brendshme financiare, teknologjike apo njerëzore të këtij tregu, ka ardhur tashmë koha për adaptimin e një sistemi të tillë, dhe përpjekjet e para në këtë drejtim duket se kanë filluar tashmë. Me pak më tepër vullnet nga të tria palët e sipërpërmendura, besoj se nuk do të ishte aq e vështirë që tregu shqiptar të siguronte një shërbim të tillë, duke qenë se mbetemi ende i vetmi vend në Europë dhe në botën e zhvilluar që nuk e kemi një sistem të tillë.
Oliver Petrovski, “New Moment”
Më të preferuara, “reality show”
Sa për qind e shpenzimeve për reklamë i shkon televizioneve?
Në përgjithësi më shumë se gjysma e buxhetit të marketingut shkon në media. Ne jemi ende në një treg tradicional mediatik dhe televizionet zënë pjesën dominante të tij.
Cilat janë programet e preferuara nga kompanitë për të bërë reklamat e tyre?
Programet më të preferuara nga kompanitë janë show kryesorë, në varësi të sezoneve. Zakonisht “reality show” dhe programet “live” siç janë “talk-show” kanë audiencën më të madhe dhe si rrjedhojë edhe sponsorizimet më të mëdha.
Nëse ju mundeni, cila është vlera totale e tregut të reklamave në Shqipëri?
Tregu i reklamave për këtë vit arriti në rreth 40 milionë euro.
Cili ka qenë ndikimi i krizës ekonomike në tregun e reklamave gjatë 2009-s dhe 2010-s?
Kriza ekonomike në tregun e reklamave gjatë 2009-2010 ka pasur një efekt shumë më të ulët në Shqipëri krahasuar me atë në tregjet europiane. Kriza veçse ngadalësoi rritjen e tregut të reklamave, por nuk e uli atë. Vitin e kaluar efektet e para negative u ndien në muajin shtator. Këtë vit gjërat janë sërish pozitive dhe prandaj kompanitë e reklamave nuk po e ndiejnë krizën. Sektorët që i kanë reduktuar më shumë buxhetet e marketingut janë ato financiarë si dhe mallrat e luksit.
Kompanitë që reklamojnë në Shqipëri tani nuk e dinë me saktësi se çfarë marrin për paratë që japin. Është sikur të blesh një paketë me cigare për 200 lekë, por brenda të mos dish me saktësi nëse janë 20, 18 apo 10 cigare. Por edhe më vonë nuk mund ta hapësh paketën dhe të shohësh se sa cigare ka brenda. Dhe është një mrekulli sesi ky proces vijon. Ka pasur, në fakt, disa përpjekje për të realizuar një program enkas për matjen e audiencës, por fatkeqësisht, nuk ka qenë i suksesshëm. Ne, agjencitë e reklamave, së bashku me televizionet më të mëdha, duhet të ulemi dhe të biem dakord për mënyrën se si do ta zgjidhim këtë gjë. Ne duhet të marrim një nga liderët e matjes së audiencës, për të bërë një matje me sistemin PPM, që mat në çast sa njerëz po ndjekin një program të caktuar. Ne do të vendosim rregullat e lojës, por gjithashtu do të detyrojmë vetveten që të realizojmë një projekt financiarisht fitimprurës për kompaninë që realizon shërbimin, me qëllim që ky projekt të vazhdojë
Nga Laura çela
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.