Politikat fiskale vitet e fundit, krahas rritjes së një sërë taksash për subjektet e mëdha, kanë qenë të çorientuara, me diferenca të mëdha nga njëra kategori te tjetra dhe me shumë përjashtime, duke krijuar shtigje të shumta evazioni.
Në fund të vitit 2015, pas një aksioni të dhunshëm anti-informalitet, që prodhoi pakënaqësi të mëdha tek sipërmarrësit, pasi u orientua kryesisht te të vegjlit, qeveria, në përpjekje për të rregulluar popullaritetin e ulur, vendosi që ta hiqte fare tatimfitimin për bizneset e vogla deri në 5 milionë lekë dhe të ulte tatimfitimin e thjeshtuar për subjektet me qarkullim vjetor nga 5 në 8 milionë lekë.
Por ky përjashtim u konstatua shumë shpejt që u bë burim evazioni. Heqja e taksave dhe vendosja e kufijve të xhiros bëri që prodhuesit të gjendeshin para refuzimit të tregtarëve për të marrë faturë. Kjo do të sillte rritje të xhiros së sipërmarrjeve të vogla, deri në kalimin e tyre në të mesme e të mëdha, pra duke i bërë një biznes objekt taksash.
Pesha që zënë të ardhurat nga tatimi mbi biznesin e vogël në buxhet ishte e papërfillshme, me rreth 2 miliardë lekë, ose 0.5% e totalit në 2015, por shqetësimi kryesor, lidhej me shkëputjen e zinxhirit të deklarimit për shkak të mungesës së interesit të subjekteve të vogla për të marrë faturë. Nga ana tjetër, pushteti lokal, i cili e kishte taksën e biznesit të vogël si burim kryesor të ardhurash, për të kompensuar këtë humbje, rriti një sërë taksash e tarifash të tjera (si të pastrimit, hapësirës, tabelës etj.), duke bërë që bizneset e vogla sërish të paguanin, por në forma të tjera.
Ndërsa bizneseve të vogla iu hoqën fare taksat, për individët me të ardhura të mesme, tatimi mbi të ardhurat u vendos deri në 23%. Kjo bëri që shumë individë të dilnin nga skema e sigurimeve dhe të regjistroheshin si subjekte private dhe të lëshonin faturë, duke paguar vetëm sigurimet dhe taksat bashkiake, pasi diferenca në taksim ishte tepër e madhe. Ndërkohë subjektet e mëdha, që paguanin 15% tatimfitim, filluan të ndanin aktivitetet në mënyrë që të kalonin të vegjël.
Si rrjedhojë, paketa fiskale e vitit 2019 ishte në pjesën më të madhe për të mbyllur shtigjet e krijuara nga legjislacioni me boshllëqe dhe përjashtime, si kufizimi i NIPT-eve për një individ, moskalimi në status pasiv pa paguar detyrimet, si dhe disa ndërhyrje që synonin të limitojnë abuzimet me shmangien fiskale në pagat e larta.
Dy vjet më parë, pragu i TVSH-së për bizneset e vogla u ul nga 5 në 2 milionë lekë. Ky veprim u mor, pavarësisht kundërshtimeve të forta të FMN-së, e cila paralajmëroi se kosto administrative për monitorimin e të vegjëlve që do të hynin në skemë ua kalonte të ardhurave reale që do të mblidheshin nga shtimi i numrit të subjekteve. Shoqatat e biznesit të vogël thanë se kjo do të rriste barrën e bizneseve dhe do të detyronte falimentin e shumë prej tyre.
Qeveria këmbënguli që kjo nismë nuk do të kishte kosto shtesë për subjektet e vogla, ndërsa qëllimi i saj real nuk ishte të rriste barrën për subjektet e vogla, por që të disiplinonte zinxhirin e tregtisë dhe të nxiste lëshimin e faturave. Në fakt, bizneset e vogla filluan të refuzonin masivisht faturat, në mënyrë që të mos kalonin pragun e ri të TVSH-së, duke u kthyer në shqetësim për subjektet e mëdha. Në 2019-n, të ardhurat nga TVSH e brendshme ranë me 18.1% me bazë vjetore, sipas të dhënave zyrtare të financave.
Dy vjet më pas, qeveria po bën një kthesë 180 gradë. Pragu i TVSH-së tashmë pritet të rritet në 14 milionë lekë, ndërsa tatimfitimi zero zgjerohet po deri në këtë prag. Sërish një nismë populiste, që synon rritjen e popullaritetit, me efekte të diskutueshme në buxhet dhe që krijon më shumë shtigje evazioni. Nga ana tjetër, kompensimi i të ardhurave të munguara që pritet të rrisë më shumë presionin te sipërmarrjet e mëdha, që janë punëdhënësit dhe investuesit më të mëdhenj në vend.
Politikat e rrëmujshme fiskale kanë larguar vëmendjen nga thelbi – nxitja e një ekonomie konkurruese, çka në mënyrë të natyrshme do të gjeneronte më shumë të ardhura në buxhet – duke u përqendruar te synimet afatshkurtra elektorale. Si rrjedhojë, të ardhurat në buxhet, pavarësisht se pjesa më e madhe e taksave u rritën në vitin 2013, ishin në fund të 2019-s rreth 27.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 26.9% pothuajse një dekadë më parë, duke e lënë Shqipërinë ndër të fundit në rajon sa i përket performancës buxhetore në raport me PBB-në!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.