Të punësuarit, sidomos ata në sektorin privat kanë shfaqur interes të lartë për të verifikuar online nëse u janë paguar sigurimet nga punëdhënsi, apo për të marrë vërtetimin se i paguajnë sigurimet.
Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit, bëri të ditur se përmes E-Albania janë mbi 182,033 aplikime online për të verifikuar pagesat e sigurimeve shoqërore në kohë reale dhe me vulë elektronike.
Sipas AKSHI, disa nga shërbimet më të përdorura në e-Albania mbeten ato të Sigurimeve Shoqërore, që u mundësojnë qytetarëve të verifikojnë në kohë reale kontributet e paguara, për llogari të ligjit të Sigurimeve.
“Në e-Albania, si të punësuarit edhe ata që paguajnë kontribute vullnetare apo të vetëpunësuarit në bujqësi kanë akses të menjëhershëm për të kontrolluar kontributet e paguara nga vetë ata ose nga punëdhënësi i tyre. Falë mundësisë që e-Albania u ofron qytetarëve për të verifikuar në kohë reale kontributet e deklaruara dhe të paguara, sot në platformë regjistrohen mbi 182,033 aplikime online vetëm për të marrë vërtetimet e sigurimeve shoqërore”, shkruan drejtoresha e AKSHI-t, Linda Karçanaj.
“Rreth 95 mijë aplikime online regjistrohen vetëm në 2020-n, vitin më të vështirë ndonjëherë, kur megjithatë qytetarët u shërbyen shumë normalisht nga e-Albania, e cila mundësoi ofrimin e shërbimeve publike në çdo orë të ditës, 24 orë gjatë 7 ditëve të javës, duke i ofruar qytetarëve, mundësi për të aplikuar online nga zyra, shtëpia, smartfoni apo kompjuteri”, përfundon Drejtoresha Karçanaj.
Disa nga vërtetimet që mund të merren janë:
Vërtetimi për pagimin e kontributeve për individin dhe të sigurimeve shoqërore; Vërtetimi i pagesës së kontributeve vullnetare dhe vërtetimi i pagesës së kontributeve të të vetëpunësuarve në bujqësi gjenerohet në e-Albania në moment, me vulë elektronike, për çdo të punësuar apo të vetëpunësuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.