Rreth 30 mijë qytetarë të Kosovës e kaluan fundjavën në Shqipëri

03/08/2020 12:00 PM 0 komente

Gjatë fundjavës, ishin rreth 30 mijë qytetarët të Kosovës që zgjodhën të vizitojnë bregdetin në Shqipëri, me 8 mijë vetura dhe mbi 50 autobusë.

Në pikat e kalimit kufitar janë krijuar kolona për të hyrë në Kosovë, dje ishte e gjatë deri në afërsi të fshatit Morinë.

Kjo situatë me kolona të gjata në pikën kufitare të Vermicës përsëritet çdo të diele në mbrëmje që nga fillimi i sezonit.

Një prej shkaqeve që krijohet kolonë e gjatë është matja e temperaturës për çdo pushues kosovarë që ka qenë në bregdetin shqiptar.

Javën e kaluar Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19.

Sipas njoftimit, pas analizës së situatës epidemiologjike në vend, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka pranuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për ndërmarrjen e masave të reja, me qëllim të parandalimit të përhapjes së infeksionit COVID-19.

Në  këtë venim ishte thënë se të gjithë qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës (RKS) duhet të dëshmojnë se janë të shëndoshë nga COVID-19, me testin RT-PCR në Sars COV-2, sipas parimit të reciprocitetit, me përjashtimet.

“Shtetasit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët kanë caktuar termin për mjekim në institucionet shëndetësore të RKS-së, mund të hyjnë, me kusht që të paraqesin vërtetimin për test TR-PCR negativ, të bërë 72 orë para hyrjes në RKS dhe vërtetimin për termin të caktuar të lëshuar nga spitali”, thuhej në këtë vendim.

Gjatë ditës se djeshme ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar Aeroportin e Prishtinës për të siguruar ambient të sigurt për ardhje dhe vajtje të bashkatdhetarëve. Ai ka treguar se inspektorët dhe policia kanë vazhduar inspektimin edhe në pishina, qendra tregtare e kafiteri.

Zemaj ka thënë që janë gjobitur dhe mbyllur, të gjitha bizneset që nuk i kanë respektuar masat kundër Covid-19.

“Për të siguruar ambient të sigurt për ardhje dhe vajtje të bashkatdhetarëve, së bashku me inspektorët dhe drejtues të Policisë së Kosovës, sot kam vizituar Aeroportin e Prishtinës! Ndërkohë, inspektorët dhe policia kanë vazhduar inspektimin edhe në pishina, qendra tregtare e kafeteri. Janë gjobitur dhe mbyllur, të gjitha bizneset që nuk i kanë respektuar masat kundër Covid-19”, thotë ministri i Shëndetësisë.

Ministri Zemaj ka paralajmëruar gjithashtu ashpërsim të masave.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of