Rreth 45 milionë euro është borxh, Ujësjellësi i çon tepërmbaruesi mijëra qytetarë

14/10/2019 11:02 AM 0 komente

Rreth 45 milionë euro është borxhi që qytetarët i kanë ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Kjo shumë e madhe e borxheve e akumuluar nga mbarimi i luftës e deri më tash e ka shtyrë kompaninë të ndërmerr masa më radikale për gjithë ata që kanë borxhe.

Ujësjellësi përveç aplikimit masiv të shkyçjeve individuale, ka kohë që lëndë të shumta të konsumatorëve borxhlinj i ka proceduar tek përmbaruesit. Në fakt vetëm për gjashtë muajt e fundit janë grumbulluar e proceduar mbi 3 mijë lëndë të individëve të cilët i kanë borxhe.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”  kishte njoftuar  të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit, Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Podujevë, Obiliq, Shtime, Drenas dhe Graçanicë, se nga data 24 prill 2019, ka formuar  komisione të veçanta për verifikimin dhe dërgimin e lëndëve te Përmbaruesit Privat, për konsumatorët që kanë obligime të pashlyera ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.

Lëndë tek përmbaruesi privat, sipas zyrtarëve të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, do të shkojnë edhe për personat që nuk iu janë përmbajtur kontratës së nënshkruar.

“Nëse flasim për numrin e lëndëve të dërguara te Përmbaruesit Privat nga muaji prill deri në muajin shtator, ky numër ndryshon për arsye se lëndët përgatiten çdo ditë nga ne, varësisht nga shuma e borxhit. Por, mund të them se afërsisht për 6 muaj diku rreth 3000 lëndë janë dërguar. Nëse një konsumator ka borxhe mbi 300 euro e lartë , përgatitet lënda nga ne për t’u dërguar te përmbaruesit”.

Përveç aplikimit masiv për shkyçje individuale, edhe në të ardhmen do të shtohen rastet e inicimit të lëndëve tek përmbaruesi për borxhlinjtë e ujit.

“Përveç aplikimit masiv të shkyçjeve individuale, nga muaji prill i këtij viti e duke vazhduar edhe sot e edhe në periudhat vijuese do të dërgohen lëndë të shumta të konsumatorëve borxhlinj  te Përmbaruesit”./Monitor.al/.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of