Përpunuesit e mishit pohojnë se janë gati të zgjerojnë tregun përtej Shqipërinë. Por autoritetet kompetente nuk arrijnë të garantojnë sigurinë ushqimore. Sa rrezikon Shqipëria nga mosplotësimi i standardeve të kërkuara nga BE, në momentin që do të hapen negociatat e anëtarësimit…
Nga Ledina Loga
Megjithëse me një treg në rritje dhe me zgjerim të qëndrueshëm, kompanitë shqiptare të përpunimit të mishit nuk mund të zgjerojnë aktivitetin e tyre në tregjet e vendeve fqinje si Italia apo Greqia. Për më tepër, nëse një ditë do të hapemi ndaj tregjeve europiane, do të merrnin goditje për shkak të mosplotësimit të standardeve që kërkon tregu i Bashkimit Europian. Me një sistem veterinar që nuk njihet nga institucionet e BE-së, Shqipëria cilësohet si vendi i pasigurt, ku produktet me prejardhje shtazore dhe siguria ushqimore e tyre vihet në pikëpyetje, ndërkohë që autoritetet kompetente pranojnë problemet dhe pamundësinë për t’i zgjidhur. Për bizneset vendase, kjo situatë konsiderohet si absurde dhe ata kërkojnë zgjidhje nga shteti.
BE: Siguria ushqimore nuk garantohet nga autoriteti kompetent
Në raport-progresin 2015 të Bashkimit Europian për Shqipërinë konstatohet se nuk janë ndërmarrë ende procedurat e brendshme dhe planet operative të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU). Nuk janë bërë hapa për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe institucional për sistemin e sigurisë ushqimore.
AKU-ja është institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e sigurisë ushqimore në Shqipëri, i cili është i domosdoshëm për të përmbushur kërkesat ligjore, ekonomike dhe sociale që rrjedhin përkatësisht nga zbatimi i MSA-së (Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit).
Mirëpo struktura relativisht e vogël e bën të pamundur inspektimin e plotë të të gjithë subjekteve, të cilat janë të shumta në numër, pohon drejtori i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, Taulant Kalo.
Europa është cilësuar si vend që krijon barriera në lidhje me importin e produkteve ushqimore (sidomos për grupin e ushqimeve me prejardhje shtazore), duke e argumentuar me faktin se mbron konsumatorin vendas.
Luan Leka, drejtues i një prej kompanive më të mëdha në vend për përpunimin dhe tregtimin e mishit dhe nënprodukteve të tij, E.H.W thotë se kjo situatë është absurde, pasi kompanitë shqiptare janë të certifikuara nga certifikues europianë për sigurinë ushqimore. Zgjidhjen e këtij ngërçi, ai ia adreson shtetit.
Departamenti për Sigurinë Shëndetësore dhe Mbrojtjen e Konsumatorit të Komisionit Europian ka publikuar rregullat kyçe për importimin e mishit dhe të nënprodukteve të tij në vendet anëtare.
Rregulli i parë lidhet me pasjen e një autoriteti kompetent, që të ketë në ngarkim certifikimet veterinare dhe kushtet e përgjithshme të higjienës.
Në Shqipëri, ky autoritet, nuk konsiderohet i besueshëm nga institucionet europiane, thotë zoti Leka, i pyetur nga ne për disa nga problematikat e sektorit, në të cilin ai operon për shumë kohë.
Zgjidhje e problemit, unifikimi i ligjeve…
Mënyra e vetme e afrimit është me anë të unifikimit të ligjeve që rregullojnë kontrollin veterinar dhe parametrat e sigurisë së sektorit me ato europiane, në mënyrë që t’ju hapet rruga drejt tregjeve të BE-së.
Edhe sipas zotit Taulant Kalo, drejtor i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare ISUV, e vetmja mënyrë e afrimit me standardet europiane është me anë të legjislacionit. Ky do të jetë një proces i gjatë, duke marrë në konsideratë vitet që kemi në tranzicion,- tha ai.
Në vitet e fundit, BE-ja ka qenë aktive në harmonizimin e masave ndaj shëndetit të kafshëve dhe sistemin e mbikëqyrjes së sëmundjeve, diagnozës dhe kontrollit, si dhe ka zhvilluar kornizën ligjore të tregtimit të kafshëve të gjalla dhe produkteve të tyre. Pjesërisht, kjo ka qenë në përgjigje ndaj shqetësimeve konsumatore ndaj shëndetit publik dhe aspekteve të sigurisë së ushqimit ndaj sëmundjeve të kafshëve.
Në këtë drejtim, Komisioni Europian vendosi një kornizë për masat ndaj shëndetit të kafshëve dhe mirëqenies. Në vitin 2004, rishikimi i legjislacionit për higjienën e ushqimit, e njohur si paketa e higjienës, është zbatuar në Eurozonë, me qëllim sigurimin e higjienës së ushqimeve gjatë gjithë procesit të përpunimit të tyre deri në shitje. Organizata e Tregut të Vetëm të Përbashkët (SCMO) për sektorin e mishit ka vendosur rregulla dhe përdor të njëjtat instrumente politike për të gjitha vendet, për të menaxhuar tregun dhe për të rregulluar nivelin e konsumit të produkteve shtazore, si dhe për t’i bërë produktet shtazore më konkurruese në të gjithë botën.
Pse Shqipëria listohet si vend i pasigurt
Edi Ferro, drejtor i Veterinarisë në Ministrinë e Bujqësisë, tha për ‘Monitor’ se Shqipëria cilësohet si vend i pasigurt, duke listuar arsyet. Një prej tyre është kontrolli i lëvizjes së kafshëve dhe gjurmueshmëria. Në Shqipëri ka rreth 40 tregje të tregtimit të mishit, të cilët nuk i plotësojnë standardet. Gjithashtu, arsye tjetër është dhe procesi i monitorimit të sëmundjeve zoonoze, të cilat transmetohen nga kafsha te njeriu, si p.sh., antraksi.
Problem tjetër që ngriti zoti Ferro për këtë shërbim është dhe numri i pakët i veterinerëve dhe pagat e ulëta, duke konsideruar vështirësitë në punë, që nuk stimulojnë aspak veterinerët.
Në vitin 2015, u ndërmor Reforma e Shërbimit Kombëtar Veterinar, e cila mbështetet në katër shtylla kryesore, ku do të kryhen ndërhyrje në strukturat shtetërore dhe ato private: Reforma e Administratës Qendrore, Reforma në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit dhe Reforma në Institutin e Sigurisë Veterinare. Sipas z. Ferro, një prej problemeve kyçe ka qenë fragmentarizimi i shërbimit veterinar në Shqipëri. Me anë të kësaj reforme, i gjithë ky shërbim do të kalojë në varësi të Ministrisë.
Gjithashtu, me anë të ligjit të veterinarisë, neni 116, është rregulluar shërbimi veterinar privat.
Në Shqipëri, institucioni përgjegjës për sigurinë është Instituti për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV), i cili varet nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimi Rural dhe Administrimit të Ujërave. Duke qenë se sistemi i kontrollit veterinar shqiptar nuk njihet nga BE-ja, do të jetë problemi kryesor nëse ne do të integrohemi në bashkësinë europiane.
“Sëmundje të kafshëve ka plot, ne si Institut bëjmë planifikimin se çfarë do të parandalojmë dhe Ministria merr masa”, – shpjegoi drejtori i Institutit, Taulant Kalo.
Në Shqipëri, karakteristikat e tregtimit të mishit lidhen me traditën që ka vendi. Në traditën shqiptare preferohen të konsumohen viçat e qumështit, pra më të vegjël se 1 vjeç, gjë që në Europë është kategorikisht e ndaluar. Viçat e qumështit kanë një peshë mesatare 70-80 kg, kurse ata të rritur peshojnë 300 apo 400 kg, është e kuptueshme që kjo gjë rrit kostot e tij.
Kushtet e therjes, ka vijuar zoti Kalo, janë komplekse në Shqipëri dhe interesi për të krijuar ferma është inekzistent.
Por, megjithatë, mund të thuhet se në Shqipëri ka cilësi dhe standarde në treg, duke marrë parasysh vitet që kemi në tranzicion, ka thënë drejtori i ISUV.
Fermat e vogla, pika e dobët në ekonomi
Pavarësisht faktit se fermat blegtorale favorizohen përveçse nga tradita edhe prej faktit se 36% e territorit të Republikës së Shqipërisë janë kullota, ne nuk jemi konkurrues në këtë sektor. Një ndër shkaqet është dhe tranzicioni që po kalon vendi, i cili mund të ndahet në dy periudha, vitet e para pas rënies së regjimit komunist, ku pati një braktisje totale të këtij sektori. Njerëzit nuk kujdeseshin për ushqimin dhe u rrit falsifikimi ushqimor, aktiviteti i dytë më i përhapur kriminal pas atij të trafikimit të lëndëve narkotike, tregoi kryeveterineri, Edi Ferro. Shqiptarët nuk dinin çfarë produktesh importi konsumonin.
Hallka e parë e prodhimit vendas, fermat e vogla, vazhdojnë të mbeten pika e dobët, jo vetëm për këtë industri, por edhe për industritë e tjera të lidhura ngushtë me to.
Problem vazhdon të mbetet matrikulimi, që pavarësisht se ka qarqe të cilat e kanë të plotë atë, si Korça, Saranda apo dhe Gjirokastra, sistemi nuk është përditësuar në 5 vitet e fundit, – pohon drejtoresha e Departamentit të Shëndetit të Kafshës, Liljana Lufo. Matrikulimi është një numër unik, që i vendoset kafshës dhe përmban shkronjat Al që shërbejnë për të treguar origjinën shqiptare dhe dhjetë shifra të tjera për të treguar qarkun, qytetin dhe fshatin. Mirëpo për shkak të tregut të çorientuar dhe ndërgjegjësimit të ulët të fermerëve nuk është bërë heqja nga sistemi i kafshëve të shitura apo të ngordhura, tha Drejtoresha e Shëndetit të Kafshës, Liljana Lufo. Struktura është e pakët në numër dhe fermerët nuk e kanë në kulturë të njoftojnë kur iu ngordh një kafshë apo shesin një të tillë, ka sqaruar ajo. Na ka ndodhur që të gjejmë bagëti të cilat janë matrikuluar në Shkodër, në Qarkun e Gjirokastrës.
Modeli i fermave që duhet të ndjekim
Ka pasur ndryshime të konsiderueshme strukturore në stokun e gjallë të fermave në Europë që nga viti 1980. Fermat e vogla apo të përziera kanë gjetur rrugën për t’u rritur, duke u specializuar dhe duke përfituar nga ekonomitë e shkallës. Ky model suksesi duhet të shërbejë edhe për fermat në Shqipëri.
Edhe për vitin 2015, industria e tregtimit dhe përpunimit të mishit ka njohur rritje. Tregu është i ndarë midis kompanive të mëdha si Kombinati i Mishit Yzberisht me 46% të tregut, e cila ndiqet nga EHW me 38% të tregut, të dyja së bashku zotërojnë 84% të tregut, kjo nga të dhënat e përpunuara sipas pasqyrave financiare të dorëzuar në QKB.
Rritje në treg kanë pasur edhe kompanitë më të vogla FIX dhe Hako, të cilat krahasuar me një vit më parë (2014) i kanë zgjeruar shitjet e tyre përkatësisht me 36 dhe 21%.
Megjithatë, sipas ekspertëve të çështjeve të integrimit, hapja e tregut dhe integrimi në tregun europian vë në vështirësi sipërmarrjet e vogla, siç ka ndodhur edhe në vendet e tjera.
Në kushte jo të barabarta, produktet e importit me taksë doganore zero
Kompanitë vendase shprehen për një raport korrekt midis tyre, ku më të mëdhatë kanë shënuar rritje në xhiron vjetore dhe fitimin neto, sipas pasqyrave financiare të publikuara në QKB. Megjithatë ato deklarojnë se gjenden në kushte jo të barabarta me produktet që hyjnë në tregun vendas me taksë doganore zero, ndërkohë që kompanitë shqiptare paguajnë taksa për lëndën e parë.
Kjo gjë atyre iu duket absurde dhe i dëmton. Fakti është se importet e mishit dhe të nënprodukteve të tij u rritën me 10.9% nga 2014 në 2015.
Luan Leka tregon se kostot për lëndën e parë që sigurojnë nga jashtë rezultojnë të jenë 10-15% më shtrenjtë. Momentalisht, kompanitë shqiptare e sigurojnë lëndën e parë nga vendet europiane, si Holanda, Polonia dhe Gjermania. Më parë, ata furnizoheshin nga vendet e Amerikës Latine, ku kostot ishin rreth 30% më të ulëta.
Kërkesa në rritje për mishin dhe nënproduktet është përkthyer me rritjen e importeve, pasi tregu vendas nuk mund të mbulojë të gjithë nevojën konsumatore.
Përveç prodhimit vendas janë rritur edhe importet e mishit nga jashtë. Astriti, menaxher i cilësisë në një nga kompanitë kryesore dhe me profesion veteriner, u shpreh se kërkesa e madhe për mishin dhe nënproduktet e tij nuk mund të plotësohet e gjitha nga prodhimi vendas, në këtë mënyrë argumentoi edhe rritjen e importeve në vend.
————
Njerëzit “nuk e duan” mishin e kuq
Vitet e fundit është parë një tendencë në rritje e refuzimit të konsumit të mishit të kuq nga njerëzit, duke u mbështetur në hipoteza se është shkaktar i disa sëmundjeve. Në Shqipëri është rritur konsumi i tij ndër vite. Por vihet re dhe një fakt interesant, konsumi i mishit të shpendëve, kryesisht pulave, ka një trend rritjeje më të madh vitet e fundit.
Trendi i rritjes së konsumit të mishit të pulës tregon potencialin që ka ky sektor në vend. Aktualisht, në Shqipëri ka 7 milionë zogj pule, ndërkohë që importojmë nga jashtë 23 milionë zogj pule, tha për “Monitor” drejtori i Veterinarisë.
Të pyetur nga “Monitor”, individë që punojnë në këtë industri kanë thënë se njerëzit tashmë kujdesen më shumë për dietën e tyre ushqimore. Të dhënat e Ministrisë tregojnë për një rritje të sasisë së mishit, ndërsa tregtarët e vegjël ankohen për rënie të shitjeve, kjo më shumë prej ndryshimit të preferencave, si dhe prej krizës ekonomike.
Edhe në Europë, tregu ka të njëjtat tendenca. Ndërkohë që konsumi i mishit të pulës u rrit nga 2013 në 2014 me 3.8%, duke afirmuar tendencat e këtij lloji mishi në vitet e fundit, mishi i deleve, dhisë dhe viçit ka pësuar rënie përkatësisht me vlerat 0.7%, 2.7% dhe 2.7%, të dhëna këto sipas raportit të Eurostatit për Agrikulturën.
“Për disa muaj, frika ndaj konsumit të mishit të kuq pati ndikim negativ në këtë industri. Aktualisht duket se ka kaluar dhe konsumi është kthyer në nivelet e mëparshme. Megjithatë, herë pas here, disa media kanë qejf ta ringjallin frikën edhe në mungesë të argumenteve shkencore”,- ka thënë zoti Leka kur është pyetur për ndryshimin në preferenca të konsumatorëve.
Në Shqipëri, konsumi i mishit për frymë është në nivelin 44 kg në një vit. Renditemi në vendet europiane që konsumojnë më pak mish, madje më pak se vendet e rajonit, më pak se Mali i Zi (57.7 kg) apo Greqia (74.8 kg), duke kaluar në renditje vetëm Maqedoninë (40.8 kg).
Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve në zhvillim dhe kjo është një nga arsyet kryesore që konsumi i mishit është në nivele të ulëta. Kjo shpjegohet me kostot e larta që ka konsumatori fundor për sigurimin e tij. Në Shqipëri, çmimi për 1 kilogram mish viçi shkon deri në 950 lekë, ndërsa mishi i derrit tregtohet deri në 550 lekë/kilogrami.
Mesatarisht, në botë njerëzit konsumojnë 34 kg në vit për person, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Agrikulturën dhe Ushqimin (OECD-FAO). Në vendet e BE-së, konsumi i mishit për frymë e kalon nivelin e 64 kilogramëve në vit për frymë.
Në pjesë të tjera të globit, konsumi është edhe më i lartë. Australianët janë konsumatorët më të mëdhenj të mishit, duke konsumuar mesatarisht 90 kg mish në vit për frymë, duke u ndjekur nga amerikanët me pak diferencë. Në shtetet në zhvillim, konsumi është më i vogël, duke u shpjeguar me kostot e larta të mishit, si dhe me normat kulturore të shumë vendeve.
Një studim i 2014-s tregoi se numri i vegjetarianëve ishte rritur me 12% të popullsisë, dhe se 20% e tyre bënin pjesë në grupmoshën 16 deri në 24 vjeç.
————–
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.