Tregu i sigurimeve vijon të përballet me një sërë problemesh e që besohet se do të zgjidhen deri diku me ndryshimet ligjore që janë duke u përgatitur. Por, në çdo rast, ky do të jetë sërish një vit i vështirë, të paktën kështu shprehen drejtuesit e shoqërive të sigurimit. Masat që duhet të merren për stabilizimin vlerësohen urgjente dhe të shpejta.
Nga Elona Bedalli
Shoqëritë e sigurimit e kishin parashikuar në fillim të këtij viti (referuar artikullit të “Monitor” mbi pritshmërinë e ecurisë së tregut në vitin 2014) se tarifat e TPL-së do të rriteshin. Por, çka nuk u parashikua drejt ishte niveli i rritjes që mendohej i lehtë, por që në fakt u llogarit në rreth 30-40%. Tarifat e sigurimit TPL që kanë nisur të aplikohen (që nga java e kaluar) shënuan një nivel pothuajse historik (18,900-21,000 lekë në varësi të kubikëve të autoveturave) e që duket se kapi në befasi konsumatorët, të cilët deri dje ishin mësuar që t’i siguronin këto polica sigurimi edhe me çmime tepër të ulëta (deri edhe në 5,000 lekë). Nga ana tjetër konfirmuan për të disatën herë se problemet, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me sigurimet e detyrueshme motorike, nuk po kapërcehen.
Gjatë vitit 2013, tarifat e primit mesatar për TPL-në pësuan luhatje të ndjeshme.
Të dhënat vjetore të AMF-së tregojnë se tarifat e primit mesatar TPL në tremujorin e katërt të vitit ishin në nivele pothuajse të njëjta. Kjo ishte rritja e tretë që u bë njëkohësisht nga pothuajse të gjitha shoqëritë e sigurimit. Sot kemi të njëjtën situatë, pak a shumë si një “déjà vu”.
Është një sjellje që ka sjellë “qortime” dhe reagime nga ana e autoriteteve mbikëqyrëse dhe kontrolluese.
Së fundmi, Autoriteti i Konkurrencës deklaroi se do të nisë një hetim në tregun e sigurimeve, pas rritjes së çmimit të sigurimit të makinave më datë 12 shkurt. Fiksimi i çmimit nga kompanitë e sigurimeve në treg konsiderohet shkelje e ligjit të konkurrencës. Lindita Lati, kryetare e AK-së, bëri të ditur se kompanitë do të hetohen në bazë të ligjit. E nëse në fund të këtyre procedurave do të vërtetohet se ka pasur një marrëveshje të fshehtë, garantohet se gjoba do të shkojë në vlerën maksimale.
Sjellim në vëmendje se Autoriteti i Konkurrencës hapi në fillim të janarit të këtij viti një hetim paraprak në tregun e sigurimeve për kufizime të mundshme të konkurrencës në tregtimin e produktit policë sigurimi për mjetet e transportit për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, pas sinjaleve të marra nga operatorët e tregut të sigurimeve. Nga monitorimi rezultoi se nga data 1 nëntor 2013, të gjithë agjentët e shitjes i tregtonin këto polica nëpërmjet një sistemi që quhej MSHM dhe menaxhohej nga një broker. Të dhënat e sistemit të një agjenti në një moment të caktuar nuk të ofronin të gjitha kompanitë e licencuara për tregtimin e produktit përkatës, por një numër më të kufizuar, mesatarisht 4-5 shoqëri. Të gjitha shoqëritë, pa përjashtim deri më datë 13 shkurt 2014 e shisnin produktin TPL nëpërmjet të njëjtit broker që kishte të gjitha të drejtat mbi këtë produkt.
Ky nuk është i vetmi hetim i ndërmarrë për tregun.
Në tetor të vitit 2012, Autoriteti i Konkurrencës shpalli të gjitha kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës fajtore për marrëveshje të ndaluara dhe i gjobiti me një shumë totale prej 89 milionë lekësh. Ndëshkimi rezultoi i padobishëm pasi situata u rëndua dhe u përsërit.
Kur faji (nuk) ka fajtorë
Nuk do të merrnim kurrsesi guximin të shpallnim ne “fajtorin/ët”, aq më tepër kur vetë aktorët e tregut rendin ta pasojnë “topin” vetë sa andej-këndej. Për shkaqet e rritjes së tarifave TPL në javën e dytë të muajit shkurt reagoi Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, që nxitoi të sqaronte se rritja e siguracioneve të makinave erdhi si pasojë e ndryshimeve që kishin të bënin kryesisht me metodologjinë e përllogaritjes. Shoqata artikuloi se rritja e tejskajshme e aksidenteve, shtimi i numrit të mjeteve, shërbimi teknik abuziv, infrastruktura pa standarde, mjetet e pasiguruara në qarkullim, rritja e masës së fondit të kompensimit argumentonin më së miri ngritjen e çmimit të TPL-së në nivelin e sotëm. Rritja u argumentua edhe me faktin se industria shqiptare e sigurimeve ka ende barrën më të lartë fiskale dhe tarifat më të ulëta në rajon.
Reagime pati edhe nga ligjvënësit, të cilët i kërkuan Ministrisë së Financave që të reagonte në lidhje me situatën e krijuar.
Ndërsa burime pranë Ministrisë së Financave, të pyetura nga “Monitor” në lidhje me masat që do të merren për të stabilizuar tregun e sigurimeve deklaruan se aktualisht është duke u përgatitur ligji i ri për AMF-në, që do të ndiqet nga ligji për rregullimin e tregut të TPL-së. Nuk bëhen të ditura më shumë detaje, por sigurohet se këto ndryshime do të bëhen objekt diskutimesh në një spektër të gjerë.
Në lidhje me situatën e krijuar është shprehur edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, që bën një analizë të gjatë të situatës në të cilën është tregu i sigurimeve në Shqipëri dhe pasojat që ka sjellë liberalizimi i tarifave të sigurimit të detyrueshëm motorik. AMF konstaton se në Shqipëri, drejtuesit e automjeteve e shohin sigurimin e detyrueshëm motorik më tepër si taksë, të cilën ata mund ta shmangin sesa si mbrojtje kundrejt përgjegjësive që ata kanë ndaj të tretëve, koncept ky me të cilin publiku i gjerë ende nuk është familjarizuar. Në këtë këndvështrim, ajo vlerëson se primi i sigurimit është një element teknik, i cili përmban disa elemente, si frekuenca e dëmeve, dëmet mesatare të ndodhura, niveli i shpenzimeve, etj. “Duhet theksuar se me përafrimin e legjislacionit të sigurimit të detyrueshëm motorik me direktivat e BE-së, limitet e përgjegjësive që duhet të mbulojë një policë sigurimi motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, shkojnë deri në 5 milionë euro për një ngjarje të vetme, gjë që përsëri mund të ndikojë në nivelin e tarifave të zbatuara. Por, ekspertët e fushës thonë se përafrimi i legjislacionit nuk bëhet vetëm duke rritur limitin e përgjegjësisë deri në 5 milionë euro (që për nivelin e jetesës së Shqipërisë mund të rezultojë një shifër absurde), por edhe në drejtimin e trajtimit të dëmshpërblimeve që janë edhe misioni kryesor i AMF-së.
Liberalizimi
Në Shqipëri, tregu i sigurimit të detyrueshëm motorik, në elementin e përcaktimit të çmimeve për policat e sigurimit, është liberalizuar prej muajit gusht të vitit 2011, me miratimin nga Kuvendi. Ligji parashikon që, “… shoqëria e sigurimit përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut, ….”. Tarifat e sigurimit të detyrueshëm janë të liberalizuara, duke i dhënë të drejtën shoqërive të sigurimit t’i përcaktojnë vetë ato, sipas kushteve të tregut. Pra, tarifat e sigurimit të detyrueshëm janë të liberalizuara, duke u dhënë të drejtën shoqërive të sigurimit t’i përcaktojnë vetë ato, sipas kushteve të tregut, bën të ditur AMF-ja. Sipas saj, Autoriteti se nuk ka kompetencë të ndërhyjë në politikat e tarifimit të shoqërive të sigurimit. “Kjo është një praktikë e pranuar në të gjitha vendet e BE-së. Autoritetet rregullatore kanë për detyrë të përqendrohen te kapitali ose aftësia për të përmbushur përgjegjësitë e kontraktuara”.
Në analizën e saj, AMF bën të ditur se problematika e shfaqur në Shqipëri është shkaktuar edhe nga një faktor shtesë i lindur si rrjedhojë e liberalizimit të tregut me një proces jo të drejtë dhe të menduar apo të drejtuar mirë. Ajo vlerëson se liberalizimi ka qenë i parakohshëm madje shprehet kundër mënyrës sesi është zhvilluar. “Liberalizimi do të kryhej me bashkëpunimin dhe asistencën e Bankës Botërore dhe pasi të ishte ngritur infrastruktura e duhur për këtë qëllim. Sapo filloi projekti me Bankën Botërore, qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë kryen liberalizimin. Në këtë proces mendimet e AMF nuk u morën parasysh as nga ekzekutivi dhe as nga ligjvënësi, madje duke mos e lejuar AMF-në të ishte e
pranishme në seancën e diskutimeve të Komisionit Kuvendor për Ekonominë dhe Financat. Për rrjedhojë, theksojmë edhe një herë se tregu u liberalizua në një moment delikat dhe mospërgatitjen e të gjithë aktorëve. Ajo që AMF donte të shmangte, duke propozuar një proces gradual liberalizimi që të mbështetej paraprakisht me infrastrukturë rregullatore dhe teknologjike, ishte pikërisht luhatja e shpeshtë e çmimeve dhe sidomos zbatimi i çmimeve të ulëta për marrje tregu. Duke anashkaluar institucionin e AMF-së, ekzekutivi dhe legjislativi vepruan me një proces të shpejtë liberalizimi dhe pasoja e kësaj vendimmarrjeje është pikërisht ajo që ka ndodhur dy vitet e fundit në këtë treg”, bën të ditur AMF. Në lidhje me këtë analizë, ekspertët thonë se është hera e parë që dëgjojnë një gjë të tillë nga AMF-ja, duke qenë se ajo me ligj e ka për detyrë të rregullojë tregun, dhe nëse kjo është kështu atëherë, sipas tyre, situata është tejet serioze.
Ndërsa drejtuesit e shoqërive të sigurimit preferojnë të tregohen të kursyer sa u përket arsyeve që i çuan në rritjen e menjëhershme të tarifave TPL, ata rendisin kushtet ekonomike që po kalon vendi, rritjen e numrit të aksidenteve, por edhe pamundësinë për të mbuluar dëmet e shkaktuara. Sipas tyre, tarifat pritet të qëndrojnë në këto nivele dhe nuk do të ketë ndonjë ndryshim të shpejtë.
AMF orienton me tarifat tregun dhe tregon projektin për kalimin në ato individuale
Ecuria e çmimeve pas momentit të liberalizimit është karakterizuar nga luhatje në rritje ose në rënie, një situatë deri diku e pritshme për një treg të liberalizuar. Kjo tregon që tregut i duhet një periudhë kohe të përshtatet me kushtet e reja të vlerësimit të rrezikut dhe përcaktimit të çmimit të tij. Menjëherë pas liberalizimit, pati një reduktim të ndjeshëm të çmimeve dhe luhatje të tyre, fenomen i cili vazhdon dhe sot.
AMF-ja vlerëson se tregu u gjet i papërgatitur përpara liberalizimit, ndërkohë që konkurrenca e ashpër, pesha dominuese e këtij portofoli në treg dhe ndjeshmëria e lartë e tij ndaj çmimit kanë bërë që kushtet aktuale të tregut të paraqiten të paqëndrueshme në drejtim të tarifimit dhe kanë krijuar një presion të tillë që çon në luhatje të vazhdueshme të çmimeve të sigurimit të detyrueshëm motorik. Kjo paqëndrueshmëri pritet të vazhdojë ende në periudhë afatshkurtër dhe ky është një tipar i zakonshëm për një treg që sapo është liberalizuar.
“Tashmë procesi është i pakthyeshëm dhe rregullatori së bashku me tregun do të duhet të punojnë për ndërtimin e një sistemi eficient tarifimi që pasqyron profilin e riskut, duke individualizuar tarifat. Në projektin me Bankën Botërore sugjerohen katër elemente përbërëse si minimum i zbatimit të këtij sistemi: (i) historiku i dëmeve, (ii) vendbanimi, (iii) gjinia (iv) fuqia motorike.
Në periudhë afatgjatë, individualizimi i tarifave sipas profilit të riskut është e vetmja mënyrë për të ulur kostot e sigurimit. Në lidhje me çmimet që shoqëritë e sigurimit kanë zbatuar së fundmi, bazuar në ecurinë e rezultatet e vitit 2013, në përllogaritjen e tarifave të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, janë shtuar edhe dy faktorë të tjerë përcaktues, që janë data e prodhimit të automjeteve që sigurohen dhe kohëzgjatja e patentës së përdorueseve të këtyre automjeteve. Shtimi i këtyre dy faktorëve të riskut ka ndikuar në ndryshimet që kanë pësuar tarifat aktuale”, bën të ditur AMF. Sipas saj, bazuar në legjislacionin aktual në fuqi, shoqëritë e sigurimit kanë depozituar pranë AMF njoftimin për përllogaritjet e treguesve teknikë në primet e rrezikut. Autoriteti është në proces vlerësimi të bazës teknike për këto përllogaritje, por thekson se bazuar në kuadrin ligjor e rregullativ, nuk miraton çmimet e sigurimit, por rregullat për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm, si nivelin e provigjoneve teknike, që përfaqësojnë përgjegjësitë aktuale dhe të pritshme që rrjedhin nga kontratat e sigurimit.
“Synimi i AMF-së është mbrojtja e konsumatorit, nëpërmjet monitorimit të shoqërive të sigurimit, që ato të respektojnë angazhimet që kanë ndaj konsumatorëve dhe përgjegjësitë për të shlyer dëmet sipas kontratave të lidhura. Në këtë këndvështrim, për të ruajtur ekuilibrat ekonomikë, në përcaktimin e çmimeve shoqëritë e sigurimit marrin parasysh një sërë faktorësh risku dhe përvojën me dëmet e ndodhura”, thotë AMF.
Nga përllogaritjet e Autoritetit, një çmim orientues në nivel tregu, nisur nga situata në treg, do të luhatej në nivelet prej të paktën 14.4 mijë lekë dhe 21 mijë lekë përkatësisht për kategoritë me B1/1 (kubikazhi nën 1,600 ç) dhe B1/2 (kubikazhi mbi 1,600 ç) për automjetet private, që shoqëritë e sigurimit të jenë në gjendje të ruajnë ekuilibrat ekonomikë. Këto nivele çmimesh bazohen në primin orientues për rrezikun dhe janë të mjaftueshme vetëm për mbulimin e pagesës së dëmeve dhe shpenzimeve operative. Nëse do të futej dhe marzhi i fitimit apo elementet fiskale, si për shembull TVSH, është e qartë që çmimi minimal që do të duhej të paguante konsumatori do të ishte edhe më i lartë. Në nenin 99 të Ligjit Nr. 9267, datë 29.07.2004, “Për veprimtarinë e sigurimit, të risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime, i ndryshuar”, sanksionohen qartë elementet që duhet të përmbajë primi i sigurimit, të përmendura më sipër. Për AMF si autoritet mbikëqyrës e rregullator, situatë e rrezikshme do të konsiderohej nëse çmimi do të binte nën këtë nivel.
Por, si do të mund të stabilizohej tregu TPL? Sipas AMF-së, në vlerësimin e sektorit financiar të Shqipërisë (nëntor – dhjetor 2013), nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar është konkluduar se shoqëritë e sigurimit kanë zhvilluar një luftë të ashpër konkurrenciale nëpërmjet mbajtjes së çmimeve të ulëta, gjë që ka rritur ndjeshëm ekspozimin e tyre ndaj risqeve, duke u shoqëruar me humbje teknike. Kjo do të thotë që çmimet e ulëta për një kohë të gjatë pas liberalizimit, kanë ndikuar në:
-çekuilibrimin e parametrave të shoqërive të sigurimit;
-subvencionimin e produktit MTPL nga produktet e tjera të sigurimeve;
-vonesat në pagesën e dëmeve në favor të të siguruarve, duke dëmtuar interesat e konsumatorëve.
Kjo situatë ka qenë edhe arsyeja kryesore e hartimit të masave stabilizuese që AMF do të ndërmarrë gjatë 2014. “Mekanizmi i tarifimit në sigurime është thelbësor për shëndetin financiar të tregut dhe nuk duhet të konceptohet si taksë, por është një çmim që siguruesit i vendosin riskut dhe angazhimeve që ata marrin për të shlyer detyrimet që rrjedhin nga kontrata e sigurimit. Ky mekanizëm duhet të zbatohet pa dallim, nga çdo shoqëri sigurimi në treg, pavarësisht nëse ka kapital privat apo shtetëror. Çdo shmangie nga ky mekanizëm në përcaktimin e tarifave do të çonte në deformime të tregut dhe në paaftësi paguese. Paaftësia paguese në operatorët e tregjeve financiare, ku përfshihet edhe tregu i sigurimeve, krijon rrezikun e transmetimit të paaftësisë paguese në të gjitha segmentet e tregut, si dhe ul besimin e konsumatorëve në këtë treg. Nevoja e zhvillimit ekonomik të vendit kërkon që të kemi tregje financiare të qëndrueshme, të zhvilluara dhe që administrojnë me kujdes risqet. Kjo arrihet duke zbatuar mekanizma të shëndetshëm sipas kushteve të tregut”, thotë AMF-ja. Ekspertët thonë se konstatimet e AMF-së janë të drejta, por duhet të flitet edhe për masat shtrënguese që duhen marrë në rast të mospagimit të dëmeve nga ana e shoqërive të sigurimit. Për aq kohë sa AMF do të kujdeset vetëm për primet dhe tarifimin e tyre dhe të mos thotë asnjë fjalë për pagesën në kohën dhe në masën e duhur të dëmeve, atëherë ekspertët besojnë se do të ketë rregullim të duhur të tregut.
Tarifat orientuese
AMF: Një çmim orientues në nivel tregu, nisur nga situata në treg, do të luhatej në nivelet prej të paktën 14.4 mijë lekë dhe 21 mijë lekë përkatësisht për kategoritë me B1/1 (kubikazhi nën 1,600 ç) dhe B1/2 (kubikazhi mbi 1,600 ç) për automjetet private, që shoqëritë e sigurimit të jenë në gjendje të ruajnë ekuilibrat ekonomikë.
Pasoja
Çdo shmangie nga ky mekanizëm në përcaktimin e tarifave do të çonte në deformime të tregut dhe në paaftësi paguese.
Tregu
Ku jemi…
Sikundër mund të shihet edhe nga grafiku që pas vitit 2010 tregu i sigurimeve ka pasur një performancë të dobët e cila kulmon me vitin e kaluar, ku rënia u llogarit në rreth 4.6%. Nuk ka asnjë dyshim se Shqipëria ka tregun e sigurimeve më të vogël madje edhe në rajon (pa u ndalur në Europë). Sipas statistikave të AMF-së (të dhënat e vitit 2012) primet e sigurimit për frymë në Shqipëri ishin 3,200 lekë (rreth e 23 euro). Në Bashkimin Europian, primi mesatar i sigurimit për frymë është 1,860 euro në vit, në Kosovë rreth 38 euro ose 72% më i lartë se në Shqipëri, në Maqedoni rreth 54 euro ose 145% më shumë se në Shqipëri. Të njëjtën situatë konfirmon edhe agjencia më e madhe në botë e kërkimeve të tregut, “4-Traders, Research and Markets”, e cila i ka kushtuar një vëmendje të veçantë tregut të sigurimeve në Shqipëri, ku përmend trendin dhe mundësitë që ofron ky sektor deri në vitin 2017. Sipas raportit, depërtimi i sigurimeve në vend dhe dendësia janë më të ulëtat midis vendeve të Ballkanit, me një penetrim prej 0.66%. E në fakt, kjo do të duhet të jetë sfida e së ardhmes për AMF-në dhe të gjithë operatorët e tregut të sigurimeve dhe nga kjo pikëpamje duhet të përgatitet një strategji e cila të çojë në rritjen e tregut të sigurimeve me anë të përcaktimit të saktë të të drejtimeve që duhen ndjekur dhe kjo do të sillte automatikisht edhe rënien e peshës së sigurimeve motorike. Fokusimi vetëm tek “lufta” për sigurimin e TPL-së e ka bërë tregun shumë vulnerabël ndaj këtij produkti dhe si pasojë ka sjellë mungesë të vëmendjes nga drejtimet e tjera të këtij tregu.
Për drejtuesit e shoqërive të sigurimit shkaqet e rënies së tregut të sigurimeve gjatë vitit 2013 (4.6%), kur primet e shkruara bruto arritën në rreth 8.5 miliardë lekë janë disa. Sipas tyre, situata ekonomike që ka kaluar dhe po kalon vendi nuk ka favorizuar industrinë, duke qenë se është e pamundur që të “zhvishet” nga konteksti i përgjithshëm. Periudha para dhe pas zgjedhore, gjithashtu renditet nga drejtuesit e shoqërive të sigurimit si një shkak për ecurinë e dobët të këtij tregu.
Në rënien e fortë të tregut të Jo-Jetës që sipas të dhënave të AMF-së për vitin 2013 krahasuar me 2012-n ishte rreth 6.4%, rolin më të madh e luajtën luhatjet e forta të tarifave TPL (që siç thonë disa drejtues, erdhi nga rritja e konkurrencës), primet e së cilës në fund të vitit 2013 u ulën me rreth 18.5%. Ata theksojnë se në performancën e dobët të këtij tregu ndikim pati edhe rënia e ndjeshme e blerjeve të makinave të reja.
Pjesa më e madhe e shoqërive të sigurimit që operojnë në këtë treg llogaritën rënie të primeve të shkruara bruto në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Performancën më të mirë e pati “Eurosig”, primet e së cilës u rritën me rreth 18%, duke u ndjekur nga “Intersig Vienna Insurance Group” me rreth 10.5%. Nga të dhënat bie në sy fakti se kompania më e re në tregun e sigurimeve “Ansig” arriti gjatë vitit 2013 të barazojë kuotat në treg me kompaninë më të vjetër në treg me kapitale shtetërore në vlerën 5.24%. Drejtuesit e kësaj shoqërie tregohen “hermetik” në dhënien e informacioneve në lidhje me strategjinë e rritjes së tyre, por ekspertët thonë se pavarësisht përqindjes që kjo kompani zë në treg në totalin e tregut, nuk ka ndikim.
Ndërsa tregu i Jetës u rrit me rreth 9%, duke arritur në total vlerën rreth 960 milionë lekë. Por, pavarësisht kësaj shifre ekspertët thonë se kjo shifër do të mund të rritej me përmirësimin e kreditimit nga bankat. Sepse rritja e këtij segmenti erdhi kryesisht nga klasa e “Jetë debitori”, primet e së cilës u rritën me bazë vjetore në masën 17%. Në një kohë kur kreditë e dhëna në sistemin bankar patën një “rrudhje” të lehtë, kjo rritje në këtë klasë të sigurimeve nuk shpjegohet me rritjen e kreditimit në ekonomi për vitin 2013, por me ndryshimin e përllogaritjes së këtij primi (metoda statistikore).
Ky segment, gjatë vitit 2013, rriti peshën e tij në rreth 63% nga rreth 59% që zinte në vitin paraardhës. Rritja e tij ka ardhur si rezultat i çlirimit deri diku të kredive bankare, pasi është një produkt i cili vjen si detyrim i përcaktuar nga bankat për disbursimin e kredisë. Sa i përket ecurisë së kompanive që operojnë në këtë treg, vihet re se vetë INSIG ka shënuar rënie të ndjeshme të primeve të shkruara bruto, në masën rreth 28%. Dy shoqëritë e tjera, “Sicred” dhe “Sigal Life Uniqa Group Austria” e mbyllën vitin me rritje të primeve të shkruara bruto, përkatësisht me 6.4% dhe rreth 29%. “Sigal Life Uniqa Group Austria” e mbylli vitin me zotërimin e mbi 60.4% të tregut, një rritje e ndjeshme kjo në krahasim me vitin 2012 që zinte rreth 51%. Ndërsa kompania e vetme me aksione shtetërore, INSIG, zinte në vitin 2013 rreth 16.5% të tregut nga rreth 25% që kishte në vitin paraardhës.
Megjithatë, tregu i sigurimeve në Shqipëri vazhdon të mbetet sërish i orientuar te sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 88.12% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 11.25% dhe veprimtarinë e risigurimit me rreth 0.63%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zunë 54% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 46% të totalit të tregut në krahasim me vitin 2012.
Drejtuesit e shoqërive të sigurimit shohin me pozitivitet sigurimin vullnetar të shëndetit që përbën një nga përjashtimet e pakta të tregut dhe që është në rritje gjatë dy viteve të fundit. Vitin 2013, ky sigurim e mbylli me rreth 8% prime më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Megjithatë, sipas ekspertëve, rritja e kësaj kategorie nuk është në atë nivel sa të mund të kompensojë rënien e sigurimeve motorike me rreth 15.5%.
Nga ana tjetër, ata e shikojnë të pamundur edhe ndikimin që mund të ketë në treg hedhja e produkteve të reja, duke qenë se rreth 60% janë sigurime motorike. Ata thonë se do të mund të kishim një ndikim real të tyre nëse do të kishte edhe rritje ekonomike, gjë që do të çonte në rritjen e fuqisë blerëse. Sipas ekspertëve, në këto kushte, duhet të ketë bashkëpunim edhe nga ana e shtetit për futjen e kategorive të tjera në sigurimet e detyrueshme.
Sa u përket dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimeve, gjatë 2013-s ato u ulën me 3.3%. Rreth 81.5% e dëmeve u shkaktuan nga sigurimet për përgjegjësitë motorike ndaj palëve të treta. Raporti mes dëmeve dhe primeve ishte 31.8%, nivel që ngelet relativisht i ulët krahasuar me vendet e tjera. Në vitin 2012, ky nivel ishte në vlerën 31.5% dhe në 2011-n në 26.5%. Ky është një paradoks i tregut shqiptar, që ndërsa çmimet e sigurimit rriten, dëmet bien.
Ku do të shkojë…
Drejtuesit e shoqërive të sigurimit janë skeptikë kur vjen çështja te parashikimi mbi ecurinë e tregut për këtë vit. Sipas tyre do të jetë një vit i vështirë, sepse do të lidhet me rritjen ekonomike dhe dinamikën e tregut financiar. Sipas tyre, nuk mund të ketë rritje të tregut të sigurimeve nëse nuk do të ketë rritje ekonomike. Ndërkaq, duke qenë se tregu në Shqipëri është kryesisht motorik, një destabilizim i mundshëm çmimeve mund të çojë në një përkeqësim të situatës financiare të kompanive. Nga ana tjetër, numri i makinave të pasiguruara vazhdon të jetë i lartë dhe për këtë shkak, rritja e fondit të kompensimit (për të paguar dëmet që shkaktojnë makinat e pasiguruara) do të ndikojnë në përkeqësimin e tregut. Ndaj, sipas tyre, rritja e fundit e tarifave të TPL-së nuk është përpjekje për të tejkaluar problemet që kanë shoqëritë. Drejtuesit e shoqërive të sigurimit thonë se ka ardhur koha që të gjithë aktorët e tregut: AMF-ja, Ministria e Financave dhe shoqëritë e sigurimit të ulen dhe të diskutojnë për një strategji afatshkurtër dhe afatgjatë për stabilizimin dhe rritjen e tregut. Sipas tyre, tregu i sigurimeve nuk duhet të shihet si diçka që është në pronësi vetëm të kompanive, por
në interes të gjithë publikut. Edhe “4-Traders, Research and Markets” nënvizon faktin se numri i madh i popullsisë së pasiguruar ofron potenciale të mëdha rritje deri në vitin 2017. Gjithashtu “Research and Markets” jep edhe disa arsye për të investuar në tregun e sigurimeve në Shqipëri, duke qenë se është shumë pak i zhvilluar krahasuar me vendet e tjera europiane, por edhe rajonale. Gjithashtu edhe plakja e popullsisë në Shqipëri, pritet të ndryshojë strukturën demografike të vendit gjatë periudhës së parashikimit, ndërsa kujdesi shëndetësor publik është i lirë për të gjithë qytetarët shqiptarë që paguajnë sigurime shoqërore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.