“‘Raiffeisen Bank’ ka deklaruar se brenda tremujorit të parë të këtij viti do të ulë kreditimin e saj me 120 milionë euro, e cila sigurisht, nuk është gjë e mirë për ekonominë tonë dhe bankat e tjera”. Ky ishte prononcimi në publik i ministrit kryesor të qeverisë, atij të Financave, Ridvan Bode, dhe e thënë nga ai, kaq drejtpërdrejtë, tregon se punët nuk po shkojnë mirë për ekonominë e vendit. “Për këtë arsye, unë jam këtu, në Uashington, për të negociuar mundësinë e një kredie të drejtpërdrejtë nga Banka Botërore, pikërisht për të plotësuar këtë mungesë që vjen nga banka perëndimore”, plotëson më tej ministri motivin e vizitës së tij katërditore në SHBA, i shoqëruar nga rrethi i ngushtë i teknikëve që menaxhojnë borxhin në qeverinë shqiptare. Më herët, për të paraprirë vizitën e delegacionit shqiptar, drejtoresha e Bankës Botërore në Tiranë, Ksenya Lvovsky, kishte mbërritur në SHBA, në fillim të muajit prill.
“Ishin takime të planifikuara me kohë, të cilat zhvillohen kryesisht në këtë periudhë të vitit, nga ku ministri shqiptar i Financave po shfrytëzon mundësinë e krijimit të kushteve të marrjes së një kredie. Pra, nuk ka asgjë urgjente, apo të realizuar në ‘minutën e fundit’”, thotë për “Monitor”, një burim zyrtar i bankës këtu në Tiranë.
Para udhëtimit, shpresat ishin të mëdha, madje aq sa Financat tona kishin krijuar bindjen se “të paktën në xhep” do të kishin të garantuar 100 milionë dollarë, nga 300 që është kufiri i lejuar. Duke u interesuar për ditë të tëra rreth bisedimeve, ishte tepër e vështirë të siguroje informacion rreth zhvillimeve, megjithatë, ekspertë të fushës, nisur nga deklaratat e ministrit, të bëra në Uashington, krijuan pritshmërinë se palët nuk kanë gjetur zgjidhje. Dhe në fakt kështu rezultoi.
“Nuk u ra dakord për asgjë. Jemi sërish në pikën ku ishim. Nuk ka marrëveshje për kredi të re”, ishte informacioni përfundimtar që vinte me gjysmë zëri përmes telefonit nga SHBA. Por çfarë ndodhi, pse nuk u gjetën pikat e marrëveshjes? “Ishin kushtet e vendosura, të cilat na ndanë në pikëpamje të ndryshme”, është kjo një përgjigje e shkurtër, ndoshta për shkak të linjës së kufizuar të komunikimit nga SHBA-ja, por megjithatë, e qartë mbi atë çfarë palët nuk kishin bindur njëra-tjetrën.
Qeveria shqiptare po kërkon para për të financuar një buxhet të drobitur nga financat e dobëta dhe keqmenaxhim të të ardhurave. Kriza energjetike, me kostot e saj të mbulimit për importet dhe efektet që vijnë nga jashtë, kanë shkaktuar të tjera turbullira për ekonominë e vendit.
Ku u prish “pazari”
Një muaj më parë kishim të sigurt financimin e bankave private në vend dhe të donatorëve dhe në rastin më të keq, 100 milionë dollarë, kredi të garantuara nga Banka Botërore. Sot, rrezikojmë të mos kemi asnjërën. Bankat kanë ulur financimin, me synim përmirësimin e kapitalit, në rrezik ndaj kredive me probleme, donatorët nuk janë më prezentë si më parë (madje me gjermanët e KfW, ndër kryesorët në vend, situata paraqitet e “ngrirë”), kurse Banka Botërore, që na kishte premtuar se do na ndihmonte, nuk pranoi në fund të jepte kredi për arsye të ndryshme.
Nëse për dy burimet e para të financimit, zgjidhja kërkon kohë, me Bankën Botërore, halli që kishim nuk priste shumë, aq më tepër kur fondi ishte gati, mjaftonte që të binin dakord mbi “dy gjëra”. Por çfarë ishin këto kushte që nuk mundësuan marrëveshjen e shumëdëshiuar?
Meraku i Bankës Botërore qëndronte te stabiliteti i kuadrit makroekonomik të vendit, mbi treguesit e borxhit, shërbimet ndaj tij, deficiti etj. Qeveria shqiptare duhet të pranonte disa kushte, si ulja brenda këtij viti e deficitit buxhetor, nga 3 në 2.5 për qind, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe të angazhohej me një plan afatmesëm për reduktim të borxhit, deri në nivelin 55 për qind, nga 59 për qind të PBB-së, që është aktualisht.
Për qeverinë shqiptare, ulja e deficitit brenda këtij viti e detyron të heqë dorë nga investimet në nivele të konsiderueshme, të paktën nga 30 miliardë lekë dhe natyrshëm të reduktosh fondet e mbështetjes ndaj biznesit në kohë krize është veprim që ndikon negativisht në rritjen ekonomike. “Për ne, kushtet janë të forta”, shton një burim i Kryeministrisë, i cili mbikëqyr situatën financiare në vend.
100 milionë dollarët e kërkuar te Banka Botërore ishin si një lloj serumi për ekonominë, në pritje të mbylljes së 6-mujorit të parë dhe bërjes së analizës mbi treguesit dhe dështimet. KESH kërkon nga qeveria të paktën 10 miliardë lekë, në rast se bie dakord për të “ndihmuar” CEZ-in, ndërsa nga ana tjetër, mungesa e të ardhurave në buxhet, e detyron ministrin të marrë të tjera veprime drastike me shkurtimet.
Ministri: Shtohen rreziqet
Në kushtet kur edhe bankat në vend nuk japin kredi aq sa duhet, situata duket tejet alarmante. Për qeverinë shqiptare, risqet janë shtuar shumë dhe ngado që të kthejë kokën për zgjidhje, has në vështirësi serioze.
Të dhënat tregojnë se 60 për qind e stokut të borxhit të qeverisë qendrore mbahet nga kreditorë vendas dhe 40 për qind nga kreditorë të huaj. Për të kuptuar rolin e bankës “Raiffeisen” në ekonominë tonë, mjafton të kemi parasysh faktin se mban rreth 33 për qind të borxhit të brendshëm dhe ku natyrshëm çdo lëvizje e saj dikton sjelljen e aktorëve në treg. Jo më kot, ministri e konsideron levën e financimit të buxhetit dhe ndikimin që ka banka austriake te bankat e tjera në vend.
Tjetër rrezik është rritja e borxhit. Kredia që do të merrej te Banka Botërore nuk ndikonte në deficitin buxhetor, pasi ishte planifikuar brenda kufirit të miratuar nga Kuvendi, por sakaq, shërbimet ndaj kredive të marra në vite vijnë duke u rritur. Mjafton të shikojmë raportin tjetër, se sipas monedhës, 59 për qind e stokut është në lekë dhe 41 për qind në monedhë të huaj. Ministri pranon, se goditjen e rritjes së borxhit apo të shërbimeve ndaj tij po na e jep kursi i këmbimit.
“Zhvillimet në krizë ekonomike globale çuan në një rritje të borxhit publik shqiptar, për shkak të mbivlerësimit apo raportit të kursit të këmbimit midis lekut dhe euros, duke qenë se borxhi në euro bën të kemi një borxh më të lartë”, thotë Bode. Për këtë vit, pagesat për shërbimin ndaj borxhit arrijnë deri në 50 miliardë lekë, që sipas shefit të financave janë më të ulëta në raport me PBB-në, krahasuar me disa vite më parë. Por ministri nuk e fsheh faktin se, aktualisht niveli i borxhit publik në Shqipëri është relativisht më i lartë se ai në vendet e rajonit, 58,7 për qind dhe kjo rritje lidhet me krizën e shërbimit të borxhit në vendet e rajonit, përfshi Greqinë.
Pikat e përplasjes
Në programin afatmesëm 2015, borxhi publik synon të jetë nën 55 për qind, duke ulur vit për vit deficitin buxhetor. Bode thotë se, vitin e kaluar, vendi pati një deficit buxhetor 3.5 për qind, në 2012 do të jetë 3 për qind e PBB-së, kurse në 2013-n, pritet të ulet nën 2 për qind. E thënë nga ministri ynë i Financave, duket se qeveria ka pranuar të ulë që vitin tjetër shpenzimet, vetëm të pranojë kushtet me Bankën Botërore për kredinë. Duke pasur parasysh se 2013-a është vit fushate e madhe elektorale, për qeverinë, ulja nën 2 për qind e deficitit konsiderohet hapi dhe njëkohësisht tolerimi më i madh që bëhet ndaj kushteve të vendosura nga një institucion i huaj (kujtojmë se me FMN-në nuk u ra dakord). Por BB kërkon që ulja e deficitit të nisë që këtë vit, si shenjë besimi për stabilitetin makroekonomik të vendit.
Tërheqja e bankave
Në tremujorin e tretë dhe të katërt, bankat kanë ulur investimet në bono thesari, të cilat zinin 9.3% të totalit të aktiveve në fund të 2011-s, nga 11.2% në fillim të po këtij viti. Të dhënat për tremujorin e parë të këtij viti nuk janë bërë publike, por presioni që kanë hasur financat mund të konstatohet nga rritja e vazhdueshme e yield-it të bonove të thesarit, që ka arritur në 7.35 aktualisht nga rreth 7% në fund të vitit të kaluar, pavarësisht se Banka e Shqipërisë ka ulur dy herë normën bazë gjatë periudhës janar-mars 2012, duke e çuar në 4.25%.
Reagimi i bankave në Shqipëri vjen si reflektim i kërkesave nga bankat mëmë për të ulur aktivet që konsiderohen me risk.
Sipas rregullave të reja të Komisionit Europian, bankat e Eurozonës duhet të sigurojnë që norma e kapitalit bazë ndaj aktiveve të ponderuara me rrezik të arrijë në 9% deri në fund të qershorit 2012. Pritshmëritë janë që bankat, më shumë sesa të nxitojnë të rrisin kapitalin, do të përqendrohen në reduktimin e aktiveve të ponderuara me rrezik (ku përfshihen si kreditë ashtu dhe investimet në letra me vlerë të qeverisë), sidomos në degët e tyre në Europën Qendrore e Lindore.
Ecuria e borxhit publik gjatë vitit 2011
Në fund të vitit 2011, stoku i borxhit publik arriti në 772.5 miliardë lekë ose 58.75% e PBB. Ky stok përbëhet nga (i) borxhi i Qeverisë Qendrore 58.74% të PBB dhe (ii) borxhi i pushtetit lokal me 0.02% të PBB.
Në krahasim me vitin 2010, borxhi i Qeverisë Qendrore është rritur me rreth 8%, ndërsa borxhi i pushtetit lokal ka shënuar rritje prej 48%.
Struktura e stokut të borxhit të Qeverisë Qendrore
Sipas afatit origjinal të maturimit, struktura e stokut të borxhit përbëhet nga borxhi afatshkurtër 33% dhe afatgjatë 67%.
-Borxhi afatshkurtër është borxh i emetuar në tregun e brendshëm dhe përfaqësohet me instrumente me afat maturimi deri në një vit.
-Borxhi afatgjatë përbëhet nga borxhi i emetuar në tregun e brendshëm dhe nga borxhi i jashtëm. 88% e tij e ka maturitetin e mbetur më të gjatë se një vit. Sipas instrumenteve të borxhit, 65% e stokut përbëhet nga instrumente të emetuara në tregun e brendshëm dhe të jashtëm (bono thesari, obligacione, eurobond), ndërsa kreditë përfaqësojnë 35% të stokut. Sipas rezidencës së kreditorëve, 60% e stokut të borxhit të Qeverisë Qendrore mbahet nga kreditorë vendas dhe 40% nga kreditorë të huaj. Sipas monedhës, 59% e stokut është në lekë dhe 41% në monedhë të huaj. Për sa i përket burimit të financimit, struktura e stokut të borxhit të Qeverisë Qendrore ka mbetur e njëjtë me vitin 2010: borxhi i emetuar në tregun e brendshëm perfaqëson rreth 57% të stokut dhe borxhi i jashtëm 43% të stokut.
Borxhi i brendshëm
Gjatë vitit 2011 Ministria e Financave ka vazhduar politikën e saj të emetimit kryesisht të instrumenteve afatgjatë të borxhit. Për rrjedhojë, struktura e borxhit të brendshëm shtetëror sipas instrumenteve ka ardhur duke u përmirësuar në favor të instrumenteve afatgjatë të cilët përfaqësojnë 43.85% të tij, kundrejt 42.4% në fund të vitit 2010. Sruktura e mbajtësve të borxhit të brendshëm shtetëror ka pësuar ndryshime të vogla. 99.5% e mbajtësve të tij janë rezidentë. Edhe gjatë këtij viti ka vazhduar rritja e pjesëmarrjes së individëve dhe institucioneve jo banka në ankandet e letrave me vlerë të qeverisë, gjë që pasyrohet edhe në peshën që ata zënë në stokun e borxhit të brendshëm. Për sa i përket përbërjes sipas monedhave, borxhi i brendshëm shtetëror përbëhet në masën 99.7% nga borxhi në lekë.
Borxhi i jashtëm
Në fund të vitit 2011 borxhi i jashtëm shtetëror përfaqëson 88% të stokut të borxhit të jashtëm, ndërsa borxhi i jashtëm i garantuar 12%. Struktura e borxhit të jashtëm sipas koncesionalitetit ka vazhduar tendencën e rritjes së stokut të borxhit me terma tregtarë, i cili përfaqëson rreth 49.5% të stokut, kundrejt 48.3% në fund të vitit 2010. Struktura e stokut sipas normës së interesit pothuajse nuk paraqet ndryshime në raport me vitin 2010. Në fund të vitit 2011 borxhi me interes fiks përfaqëson 75.6% të stokut të borxhit të jashtëm. Për sa i përket strukturës së stokut të borxhit të jashtëm sipas monedhave, EUR është monedha kryesore me 69.8% të stokut, e pasuar nga USD me 19.6% (këtu kemi parasysh edhe ndikimin e borxhit në SDR dhe ndarjen e tij sipas monedhave përbërëse të SDR).
Ecuria e kostos së shërbimit të borxhit
Në vitin 2011 raporti shërbimit të borxhit gjithsej me PBB arriti në 3.71%, kundrejt 3.89% në fund të vitit 2010. Shpenzimet për interesat e borxhit të brendshëm rezultuan më të ulëta se ato të një viti më parë, si rezultat i uljes së normave të interesit të huamarrjes së brendshme gjatë vitit 2010. Ndërkaq, shpenzimet për sherbimin e borxhit të jashtëm gjatë vitit 2011 kanë qenë më të larta se gjatë vitit 2010. Veçanërisht me rritje rezultuan shpenzimet për pagesat e principalit të cilat u rritën rreth 17%, si rezultat i rritjes së numrit të kredive që janë futur në periudhën e shlyerjes së principalit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.