Sot do të kumtohet vendimi për mbylljen e të gjitha subjekteve tregtare dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafeteritë dhe të ngjashme) në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Në takimin e mbajtur të Institutit të Shëndetit Publik dhe Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës Emergjente me Covid-19 janë propozuar disa masa të reja, ndër to edhe mbyllja e pjesshme vendit në fundjavë.
Në propozim-vendimin parashikohet që të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve dhe subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë t’u ndalohet veprimtaria nga ora 20:00 e ditës së sotme, e deri të hënën në ora 05:00.
1.Ndalohet veprimtaria e te gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafeterite dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës prej orës 20:00 datë: 06/11/2020 (e Premte) deri më datë: 09/11/2020 9 (e Hënë) në orën 05:00, përveç:
1.1 Furrave të bukës, barnatoreve, marketeve të vogla, pompave të derivateve.
1.2 Institucionet shëndetësore publike dhe private për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale.
1.3 Për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhimin e COVID 19 (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë – shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore).
1.4 Operatorët ekonomik dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit.
2.Pezullohen paragrafët 7,8,11,12,13,14,20 e vendimit të qeverisë 01/39 të datës 01.11.2020 deri në kohën e përcaktuar sipas diapozitivit 1 të këtij vendimi.
Lexo edhe këtë: Komiteti i ekspertëve të Covid-19 paralajmëron futjen e Prishtinës në karantinë
E Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, njofton se në 24 orët e fundit, janë regjistruar 661 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Rastet e reja – që përbëjnë shifrën më të lartë të infektimeve brenda një dite në Kosovë që prej fillimit të pandemisë – dalin pas testimit të 1,617 mostrave.
Ndërkaq dje IKSHPK-ja ka njoftuar se edhe gjashtë pacientë me koronavirus kanë vdekur.
“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjakovë 3, Ferizaj 1, Gjilan 1 dhe Malishevë 1 të cilat i përkasin grup-moshës 50-59 vjeç 1 rast, 60-69 vjeç 2 raste, 70-79 vjeç 1 rast me mbi moshën 80 vjeçare janë 2 raste”, u tha në njoftimin e IKSHPK-së.
Sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 në Kosovë ka arritur në 22,206. Prej tyre, 720 pacientë kanë vdekur dhe 15,921 janë shëruar. Ndërkaq, raste aktive janë 5,565.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.