Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vinë nga Italia e Veriut, për shkak të koronavirusit. Këtë ai e ka bërë të ditur përmes një statusi në Facebook, ku shkruan se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ka rekomanduar ndalimin e këtyre fluturimeve.
Kosova ka vendosur të anulojë të gjitha fluturimet që vijnë nga zonat e prekura nga koronavirusi në Itali.
Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se këtë rekomandim emergjent e kanë marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, si refleksion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane për Italinë veriore.
“Sot, në ora 12:40 kemi pranuar rekomandim emergjent nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për anulimin e të gjitha fluturimeve që vijnë nga zonat epidemike të Italisë së Veriut – si refleksion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane në betejën kundër Coronavirusit. Si rrjedhojë, kam kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vijnë nga kjo zonë epidemike e cilësuar si zonë me risk të lartë. Fluturimet janë ndërprerë. Ndjejmë keqardhje për masat e marra – por në situatën e tanishme nuk kemi alternativë. Jam në kontakt të ngushtë me Ministrin e Shëndetësisë Vitia dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Konjufca për të koordinuar kontrollin ne Aeroport dhe asistencën eventuale ndaj udhëtarëve në zonat e rrezikshmërisë së lartë”, ka shkruar në Facebook Abdixhiku.
Sot Italia vendosi në karantinë rreth 16 milionë banorë për shkak të koronavirusit.
Italia ka vënë 16 milionë njerëz në karantinë teksa po mundohet të ndalojë shpërndarjen e koronavirusit.
Çdokush që jeton në Lombardi dhe në 14 provincat tjera veriore do t’i duhet të kërkojë leje të veçantë për të udhëtuar. Milano dhe Venecia janë qendrat e mëdha të prekura.
Kryeministri Giuseppe Conte ka njoftuar edhe për mbylljen e shkollave, palestrave, muzeve, klubeve të natës e hapësirave tjera ku grumbullohen njerëzit, në gjithë vendin. Nën masat e reja, njerëzit nuk do të lejohen të dalin nga hapësira e Lombardisë, përveç rasteve emergjente. Masat radikale do të zgjasin deri më 3 prill.
Italia ka shënuar numrin më të madh të rasteve me koronavirus në Evropë. Masat e reja për karantinë ndikojnë çerekun e popullsisë në Italisë dhe qendrën kryesore ekonomike në veri.
Numri i vdekjeve në Itali ka kaluar 230-shin, me zyrtarët që kanë thënë se 36 persona vdiqën vetëm në 24 orët e fundit. Numri i rasteve të konfirmuara të infeksionit me koronavirus është rritur në 5883 të shtunën./ Fatos Shala
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.