Kredia konsumatore pati efektet më të ndjeshme nga mbyllja e ekonomisë, me rënie drastike të huadhënies së re dhe tkurrje të portofolit. Por, gjallërimi i ekonomisë në tremujorin e tretë duket se e ka përmirësuar më shpejt nga sa pritej. Kredia e re në tremujorin e tretë u rrit me 50%, ndërsa bankierët shprehen se kërkesa ka njohur rritje graduale dhe huadhënia po i afrohet vlerave të vitit të kaluar
Ersuin Shehu
Kriza ekonomike që pasoi pandeminë e COVID-19 dhe masat kufizuese për përhapjen i dhanë një goditje të fortë prodhimit kombëtar dhe sidomos konsumit privat. Konsumi regjistroi rënie vjetore 7.6% në tremujorin e dytë të vitit, çka përfaqëson rënien më të fortë të dhjetë viteve të fundit. Kategoritë e konsumit të goditura më rëndë ishin shpenzimet për mallra afatgjatë dhe për shërbime.
Këto të fundit, përveç rritjes së pasigurisë, u ndikuan dhe nga mbyllja e detyruar e aktiviteteve. Të dhënat e tregtisë me pakicë për tremujorin e dytë treguan për rënie vjetore me 8.7% për mallrat joushqimore. Rënia e shpenzimeve për shërbime dëshmohet në rënien me pothuajse 39% të vlerës së shtuar në degën hotele, restorante, bare, transport dhe telekomunikacion. Kriza që shkaktoi pandemia u reflektua në rënien e besimit konsumator, që në tremujorin e dytë ra në pikën më të ulët historike të tij.
Në tremujorin e mbylljes, ekonomia shqiptare humbi rreth 50 mijë vende pune, çka solli rënie të të ardhurave të disponueshme për familjet. Ky efekt u zbut vetëm pjesërisht nga subvencionet e qeverisë shqiptare dhe masat e tjera mbështetëse, përfshi moratoriumin e pagesave të kësteve të kredisë. Goditja e rëndë që pësoi konsumi sigurisht që krijoi efekte edhe në ecurinë e kredisë konsumatore, një produkt që në vitet e fundit ka ndjekur dhe mbështetur rritjen e konsumit në ekonomi.
BSH: Kredia konsumatore u godit menjëherë nga kriza, do të vazhdojë të ketë ecuri të dobët
Një analizë e Bankës së Shqipërisë evidenton se tkurrja e kredisë konsumatore menjëherë pas goditjes në ekonomi të shkaktuar prej pandemisë, reflekton natyrën prociklike, duke qenë se është një kredi që mbështet konsumin dhe ndjek rritjen e tij. Ulja e konsumit u reflektua menjëherë në ecurinë e kredisë konsumatore.
Një rënie drastike në flukset e kredisë së re konsumatore ndodhi që në muajin e parë pas shpërthimit të krizës së shkaktuar nga COVID-19. Fluksi i kredisë së re konsumatore pësoi rënie vjetore me rreth 34% në mars. Në fund të tremujorit të dytë 2020, vëllimi i kredisë së re konsumatore u tkurr edhe më tej me pothuajse 40%. Kontributin kryesor në ecurinë e kredisë së re konsumatore e dha tkurrja e kredisë së re për konsumin e mallrave jo të qëndrueshme, e cila pësoi rënie vjetore me 49% në fund të muajit qershor. Rënie regjistruan njëherazi dhe kredia për konsumin e mallrave të qëndrueshme, me 31% dhe overdraftet me 22.5%.
Jo vetëm bankat, por edhe pjesa tjetër e sistemit financiar (kryesisht shoqëritë e kursim-kreditit) ka lëvruar më pak kredi konsumatore menjëherë pas shpërthimit të krizës COVID-19. Kredia e re konsumatore e dhënë nga kjo pjesë e sistemit financiar ka njohur rritje dyshifrore vitet e fundit, megjithatë ajo pësoi një tkurrje prej 12% në mars 2020. Teprica e kredisë konsumatore dhënë nga kjo pjesë e sistemit financiar në total përbën rreth 10% të kredisë konsumatore të dhënë nga sektori bankar.
Ekonomia, jo aq keq sa pritej
Në vitin më të vështirë për ekonominë që prej vitit 1997, megjithatë, ka disa të dhëna inkurajuese. Pas rihapjes nga karantina, ekonomia shqiptare ka reaguar disi më mirë nga sa pritej. Banka e Shqipërisë vlerëson se deri tani, ndikimi negativ i pandemisë në ekonominë shqiptare ka qenë më i ulët se parashikimet.
Në parashikimin e mëparshëm, Banka e Shqipërisë priste që Prodhimi i Brendshëm Bruto të ulej me 7.6% për vitin 2020, por pritshmëritë e fundit, pas publikimit të raportit të fundit të politikës monetare, janë për një rënie disi më të ulët se niveli i mësipërm. Duket se ekonomia ka reaguar më mirë se mendohej pas hapjes, falë stimujve paralelë monetarë dhe fiskalë, por, edhe falë soliditetit të sektorit bankar, që ka vijuar kreditimin.
Të dhënat e tërthorta sugjerojnë një pikë kthese të konsumit në tremujorin e tretë të vitit. Kjo ecuri sinjalizohet nga ulja e treguesit të pasigurisë konsumatore dhe përmirësimi i balancës së blerjeve të mëdha nga vrojtimi i besimit të konsumatorëve, përmirësimi i besimit në sektorin e shërbimeve dhe rritja e lehtë e importit të automjeteve në periudhën korrik – gusht.
Ecuria e përgjithshme e importeve, si një ndër treguesit e tërthortë të kërkesës së brendshme, paraqitet në përmirësim të dukshëm. Pas rënies së thellë dyshifrore në tre muajt e mbylljes, nga qershori deri në gusht ka pasur përmasa më të kufizuara. Ndërsa në shtator, importet shënuan rritje vjetore, për herë të parë gjatë vitit 2020.
Kredia e re u rrit me 50% në tremujorin III
Në analizat e mesit të këtij viti, Banka e Shqipërisë gjykonte se pasiguria tek operatorët ekonomikë, në kushtet e pandemisë, ishte e lartë dhe kërkesa për kredi konsumatore, me shumë gjasë, do të vijonte të ishte e dobët në periudhën e krizës.
Të dhënat e para tregojnë se ecuria e kredisë konsumatore ka qenë më e mirë nga sa pritej. Për shkak të lidhjes së përmendur më lart, përmirësimi i aktivitetit ekonomik në tremujorin e tretë të vitit është reflektuar menjëherë edhe te shifrat e kredisë konsumatore.
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, tremujori i tretë shënoi shifrën më të lartë të kredisë së re për këtë vit, në 7.33 miliardë lekë. Krahasuar me tremujorin e dytë, kredia e re u rrit me gati 50%. Bankierët konfirmojnë se pas hapjes së ekonomisë, kërkesa për kredi konsumatore është gjallëruar, ndërsa bankat përgjithësisht i janë përgjigjur kësaj kërkese, pa shtrëngime të ndjeshme në standardet e huadhënies.
Adja Angjeli, zëvendësdrejtore e Divizionit të Zhvillimit të Biznesit në Credins Bank, thotë se që prej qershorit, është vënë re një rimëkëmbje e kërkesës për kredi konsumatore, shoqëruar edhe me hedhjen në treg të produkteve të reja.
Gentina Gjino, drejtore e Menaxhimit të Produkteve dhe Segmenteve për Individë në Divizionin Retail, Raiffeisen Bank, shprehet se pas muajit qershor, kërkesa për kredi filloi të rritej, bankat iu rikthyen normalitetit dhe aktiviteti kredimarrës u vitalizua. Madje, në muajt gusht – tetor, sipas saj, të gjitha llojet e kredive për individë në Raiffeisen arritën pothuajse në të njëjtat vlera me të njëjtën periudhë me vitin e kaluar.
Redi Martiri, drejtor i Departamentit të Shitjeve për Individë në Union Bank, thotë se kërkesa për kredi konsumatore nuk ka pasur ndikim të ndjeshëm nga efekti i pandemisë, me përjashtim të periudhës së kufizimit të lëvizjeve në prill-maj 2020. Sipas tij, rënia e kërkesës është ndier më shumë në produkte specifike të prekura nga situata, si për shembull kredi konsumatore për pushime, apo për studime jashtë vendit.
Portofoli ka arritur në 470 milionë euro
Në Shqipëri, kredia konsumatore u zgjerua ndjeshëm gjatë viteve 2014 – 2018, duke dhënë kontributin kryesor në rritjen e kredisë për individë, dhe duke pësuar ngadalësim që prej vitit 2019, i ndikuar ndoshta edhe nga një rritje e peshës specifike të kredive për blerjen e pasurive të paluajtshme. Në fund të shtatorit, portofoli i kredisë konsumatore, përfshi këtu edhe overdraftet e tërhequra, kishte vlerën 58 miliardë lekë, ose rreth 470 milionë euro. Kredia konsumatore përbën afërsisht 3.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të pritur për vitin 2020.
Rritja e saj me bazë vjetore ngelet në nivele të ulëta, me vetëm 1.2%.
Krahasuar me fundin e shkurtit, që shënoi edhe fillimin e krizës së COVID-19, portofoli i kredisë konsumatore ka pësuar rënie me rreth 400 milionë lekë. Siç evidenton edhe Banka e Shqipërisë, në këtë segment, efekti i krizës është përcjellë më shpejt. Kredia konsumatore dhe në veçanti overdraftet kanë një cikël më të shkurtër, kohë më të shpejtë amortizimi dhe, rrjedhimisht, stoku i kredisë ndikohet më shpejt nga ecuria e kredisë së re. Sidoqoftë, veçanërisht pas gushtit, tendenca e kredisë konsumatore duket pozitive, me rritje për dy muaj radhazi.
Sipas monedhës, kreditë konsumatore në lekë mbizotërojnë në portofolin e bankave të sektorit, me rreth 85% të portofolit total. Ndryshe nga kredia për shtëpi, kredia konsumatore është më ngushtësisht e lidhur me monedhën në të cilën huamarrësit përfitojnë të ardhurat dhe që për shumicën e shqiptarëve është leku.
Duke qenë se kredia konsumatore merret për periudha më të shkurtra dhe përgjithësisht për blerje në lekë, pjesa dërrmuese e huamarrësve preferojnë ta marrin në lekë. Vetë bankat nuk e promovojnë shumë kredinë konsumatore në valutë. Për këtë arsye, kredia konsumatore është shumë pak e ekspozuar ndaj rrezikut që vjen prej luhatjeve të pafavorshme të kursit të këmbimit.
Kreditë me probleme janë vetëm 5.4%
Kredia konsumatore përgjithësisht është kredi e pagarantuar me kolateral dhe, në teori, për nga natyra paraqet rrezik të lartë për huadhënësin. Ky rrezik më i lartë natyrisht reflektohet edhe në norma më të larta interesi krahasuar me kreditë e garantuara, kryesisht hipotekore.
Pavarësisht kësaj, kredia konsumatore ka dhënë historikisht kontribut minimal në rritjen e stokut të kredive me probleme në totalin e bilancit të sektorit bankar. Raporti i kredive konsumatore me probleme ka hyrë në një fazë rënëse që prej gjysmës së dytë të vitit 2013, duke shënuar vlerën prej 5.4% në mesin e këtij viti. Madje, raporti i kredive me probleme në këtë segment është në nivele të përafërta me kredinë për blerjen e banesave.
Niveli i ulët i kredive me probleme, pavarësisht mungesës së garancive direkte, mund të dëshmojë një lloj pjekurie të këtij tregu. Përgjithësisht, bankat japin hua te klientë me historik pozitiv huamarrës dhe me të ardhura të formalizuara. Regjistri i kredive duket se ka ndihmuar shumë si rregullator në rastin e kredive për individë. Ata janë të vetëdijshëm se përkeqësimi i statusit të tyre do t’ua vështirësonte shumë marrjen e kredive në të ardhmen, ndaj përgjithësisht kanë tendencën të jenë korrektë në shlyerjen e detyrimeve, përfshi kreditë konsumatore.
Portofoli dominohet nga blerja e mallrave jo të qëndrueshme
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, kredia konsumatore në Shqipëri dominohet nga financimet për mallra jo të qëndrueshme, që përbëjnë 53% të portofolit total, e ndjekur nga kredia për mallra të qëndrueshme me 34%. Pjesa e mbetur, prej rreth 13%, konsiston në overdrafte të tërhequra nga individët.
Në 12 muajt e fundit, rritja e kredisë konsumatore ka ardhur sidomos nga kredia për mallra të qëndrueshme. Në këtë kategori përfshihen produkte që kanë jetëgjatësi më të madhe (të paktën tre vjet), ku përfshihen kryesisht financimet për pajisje elektrike, elektronike, automjete, mobilie, etj. Kjo kategori e kredisë konsumatore është rritur me 7.6% dhe aktualisht ka vlerën e rreth 19.8 miliardë lekëve. Ndërsa kredia për mallra të qëndrueshme dhe overdraftet kanë pësuar rënie të lehtë krahasuar me shtatorin 2019.
Megjithatë, nëse do t’i referohemi një tendence afatgjatë, rritja e kredisë konsumatore në vitet e fundit është mbështetur kryesisht nga kredia për mallra jo të qëndrueshme, me 47.3% në harkun e pesë viteve të fundit, ndërsa për të njëjtën periudhë, kredia për mallra të qëndrueshme është rritur me 16.5%.
Ndërkohë, overdraftet kanë pësuar rënie me rreth 8% krahasuar me një vit më parë. Kjo mund të lidhet me një përdorim më të lartë të kredive konsumatore alternative, që kanë norma më të ulëta interesi dhe afate më të gjata maturimi.
Normat e interesit nuk janë rritur
Normat e interesit për kredinë konsumatore ngelen në nivelet më të ulëta historike. As ky segment nuk është ndikuar shumë nga kriza dhe nga rritja e rreziqeve të lidhura me ekonominë reale. Në muajin shtator, interesi mesatar i kredisë konsumatore (pa përfshirë overdraftet) në lekë ishte 7.56%, ndërsa në euro, 3.39%. Interesi, sidomos për lekun, pësoi rënie në muajin prill, por në vazhdim u rikthye pranë niveleve të ngjashme me vitin e kaluar.
Interesat janë në nivelet më të ulëta historike edhe për overfdraftet. Në shtator të këtij viti, interesi mesatar i overdrafteve në lekë ishte 10.35%, rreth dy pikë përqindje më i ulët krahasuar me një vit më parë.
Duke pasur parasysh edhe faktin që kredia konsumatore në përgjithësi është e pakolateralizuar, qëndrueshmëria e normave të interesit dëshmon se bankat për momentin nuk perceptojnë ndonjë rritje domethënëse të rrezikut të kredisë në këtë segment. Normat e ulëta të interesit besohet se kanë pasur ndikim të konsiderueshëm në nxitjen e kërkesës për kredi tek individët. Ky ndikim ka qenë veçanërisht i ndjeshëm në vendimin për të kryer investime afatgjata, si blerja e pasurive të paluajtshme; por kosto e ulët e huamarrjes dhe oferta e lartë kanë luajtur rol nxitës edhe në kredinë konsumatore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.