Si mund të zgjidhet problemi i parave të pista në Britani? Në mënyrë që qeveria të përballet me oligarkët, ajo duhet të financojë siç duhet luftëtarët e saj të korrupsionit, shkruan The Economist
Nga breshëria e sanksioneve që Perëndimi i ka vendosur Rusisë për pushtimin e Ukrainës, më të fuqishmet simbolikisht, apo edhe më të rëndësishmet ekonomikisht, kanë qenë ato që shënjestronin miqtë e Vladimir Putinit.
Qeveria e Britanisë mburret për faktin se ajo ka marrë më shumë masa ndëshkuese se çdo vend tjetër kundër plutokratëve të lidhur me Putinin.
Por i shmanget arsyes se pse ka ndodhur kjo gjë. Londra ka qenë prej kohësh një destinacion për paratë e pista. Kapitali i korruptuar vjen në Britani nga e gjithë bota, por pa dyshim se paratë ruse janë një kontribuues i madh në problemin e parave të pista, të cilat vlerësohen se arrijnë në rreth 100 miliardë £ (125 miliardë dollarë) në vit, nga Agjencia Kombëtare e Krimit.
Paratë e dyshimta tërhiqen drejt Londrës për disa arsye, mes të cilave, hapja e madhe ndaj investimeve të huaja dhe e drejta e fortë e pronësisë. Megjithatë, një tjetër arsye është edhe fshehtësia financiare e ofruar si nga Britania, ashtu edhe nga rrjeti i saj i satelitëve jashtë vendit, nga Jersey, në Ishujt Cayman.
Kjo e ka ndihmuar Britaninë të jetë më e errët se parajsat klasike fiskale, si Panamaja dhe Lihtenshtejni, sipas një indeksi të fshehtësisë financiare globale. Ndjeshmëria politike ka luajtur gjithashtu rol. Qeveritë e njëpasnjëshme u përpoqën të joshnin oligarkët dhe miliardat e tyre – për shembull, duke u ofruar atyre “viza investitore” që u mundësonin leje qëndrimi.
Politikanët i mbivlerësuan përfitimet dhe nënvlerësuan kostot e tapetit të mirëseardhjes. Në skemën makroekonomike, fitimet ishin të vogla dhe të përqendruara, duke mbushur më së shumti xhepat e një grupi të zgjedhur bankierësh dhe avokatësh.
Kostot ishin më të përhapura. Reputacioni në rritje i Londrës, si një depo e parave të pista, ka zhvlerësuar qendrën e saj financiare dhe ka njollosur sistemin ligjor.
Qeveria është zotuar t’i pastrojë gjërat
Por që të jetë serioze, ajo duhet të shkojë përtej masave të së shkuarës. Në vitin 2016, Britania u bë vendi i parë në G20 që krijoi një regjistër publik të pronarëve të kompanive.
Por nuk e përfundoi punën. Regjistri nuk është i rreptë: deri tani, nga gjysma e dënimeve për paraqitjen e vetëdijshme të të dhënave të rreme, profili më i lartë është i një aktivisti që u paraqit si një ish-ministër për të ekspozuar të metat e regjistrit.
Në mënyrë të ngjashme, përpjekjet e qeverisë për të frenuar territoret satelite jashtë Britanisë, kanë qenë me gjysmë zemre, ku përmendim skandalin që përfshiu British Virgin Islands, udhëheqësi i të cilit është arrestuar me akuza për kontrabandë droge dhe pastrim parash.
Ministrat duken më të vendosur këtë herë. Ata kanë hequr skemën e vizave, në shkëmbim të parave në dorë; propozuan reforma për një ligj kundër shpifjes që i lejon oligarkët të trembin kritikët; dhe përshpejtuan një projektligj mbi krimin ekonomik, që ndër të tjera, do të detyrojë më shumë transparencë për pronarët e huaj të pronave britanike. Megjithatë, Britanisë nuk i nevojiten më shumë ligje, por një zbatim më i mirë i tyre.
Një prioritet është mbikëqyrja e avokatëve, të cilët luajnë rol qendror në krijimin e strukturave të shtrembëruara në territoret satelite, për të shmangur kontrollin e atyre që përfshihen në mashtrime financiare. Standardet etike kanë rrëshqitur pasi më shumë avokatë janë tunduar nga çeqet e majme të plutokratëve. Kjo ka krijuar të çara në sistemin e rregullimit të industrisë.
Është koha që rregullatori ligjor, Autoriteti Rregullues i Avokatëve, të tregohet i rreptë dhe të ndëshkojë ata që dështojnë. Gjoba më e madhe që ka njoftuar deri tani ishte 232,500 £, pak më shumë se sa një firmë e nivelit të lartë mund të tarifonte një klient të pasur rus, për një punë javore.
Prioriteti i dytë është që të bëhen më efektivë hetuesit dhe prokurorët e qeverisë. Rastet e korrupsionit janë të vështira; shtigjet e parave janë komplekse dhe ndërkufitare. Në Britani, detyra e ndërtimit të rasteve të tilla shtrihet në mbi 100 agjenci dhe forca policore.
Buxheti i tyre total për luftën kundër korrupsionit ndërkufitar është vetëm 40-50 milionë £, afërsisht i njëjtë me faturën vjetore të pagave të tre lojtarëve më të paguar në Chelsea, klubi i futbollit të cilin Roman Abramovich, oligark i sanksionuar, po kërkon ta shesë.
Si rezultat, agjencitë e luftës kundër korrupsionit vuajnë nga mungesa kronike e hetuesve mjekoligjorë dhe prokurorëve u mungojnë buxhetet për të denoncuar më shumë raste. Kjo duhet të ndryshojë. Problemi i pastrimit të parave të pista në Britani, nuk është i ndërlikuar, por kërkon më shumë para.