Rreziqet e fundit

03/04/2021 10:02 PM 0 komente

Një rritje e inflacionit duket e pagjasë. Por ende duhet pasur kujdes, shkruan The Economist

 

Në vitin 1975, Adam Fergusson, gazetar i revistës Times, botoi një libër me titull “When Money Dies” (Kur vdes paraja). Ai tregonte historinë e hiperinflacionit në Gjermani, në fillim të viteve 1920, duke e krahasuar me gjendjen e atëhershme në Britani.

Inflacioni në Britani nuk ishte në nivelet e rritjes ditore të çmimeve si në Republikën e Vajmarit (shteti gjerman 1918-1933). Por në vitin 1975, arriti një nivel të paparë prej 24% – duke reflektuar paralajmërimin e Fergusson se përvoja e inflacionit ishte “një ngjarje që ndikon në çdo aspekt të jetës dhe kërkon vëmendje të plotë”.

Rritjet e shpejta dhe të vazhdueshme të çmimeve, në mënyrë arbitrare, heqin pasurinë nga kursimtarët dhe zhvlerësojnë pagat e njerëzve. Nuk gërryhet vetëm fuqia blerëse e një monedhe; por edhe besimi në një të ardhme të sigurt, nga e cila varen kontratat dhe kapitalizmi. Nga fillimi i viteve 1970 deri në vitet 1980, më shumë se 50% e amerikanëve mendonin se “inflacioni ose kostoja e lartë e jetesës” ishte problemi më i madh me të cilin përballej vendi.

Por nga vitet 1990, përbindëshi dukej se po mposhtej. Normat mesatare ranë; po kështu edhe numri i “surprizave të inflacionit”. Kur shfaqja televizive “The West Wing”, i ofroi presidentit të saj imagjinar një “plan sekret për të luftuar inflacionin” në vitin 1999, ajo ishte menduar thjesht si shaka, jo një pikë komploti. Duke vërtetuar besimin e zotit Fergusson se përvoja e të jetuarit me inflacionin “harrohet ose shpërfillet pasi të ketë kaluar”, edhe libri i tij nuk u shtyp më.

 

 

Libri u ribotua në fund të viteve 2000, kur paketat stimuluese pas krizës financiare rritën borxhin qeveritar në mënyrë të jashtëzakonshme dhe “lehtësimi sasior”, procesi me anë të të cilit do të krijoheshin triliona dollarë të rinj, nisi të jepte efektet e veta. Shumë u shqetësuan se çmimet do të rriteshin në nivele që nuk ishin parë gjatë një brezi.

Por çmimet nuk u rritën. Gjatë viteve 1970, inflacioni në botën e pasur ishte mesatarisht 10% në vit. Në vitet 2010, niveli qëndroi nën 2% në vit. Kjo është një nga arsyet pse në përgjithësi po injorohet sërish grupi i vogël, por këmbëngulës, i ekonomistëve dhe investitorëve që shqetësohen edhe një herë për rritjen e tepërt të çmimeve.

Axhenda për një konferencë të madhe mbi bankat qendrore që do të mbahet në shkurt, ka hapësirë të mjaftueshme për paqëndrueshmërinë financiare, ndryshimet klimatike dhe pabarazinë, por vështirë se ka parashikuar ndonjë hapësirë për diskutimin e inflacionit – pavarësisht se ai ndodhi në Gjermani, një shtet i cili, që nga koha e Republikës së Vajmarit, ka qenë i qëndrueshëm nga ana financiare.

Në të vërtetë, një rritje modeste e inflacionit, në vend që të tensiononte bankierët qendrorë, i ka bërë ata të psherëtijnë me lehtësim. Në vitet e fundit, dhe në mënyrë më dramatike gjatë krizës së rëndë të kësaj pranvere, kërcënimi i deflacionit të uljes së kërkesës ishte i madh, veçanërisht në Eurozonë dhe Japoni.

Disa duan që bankat qendrore të synojnë inflacionin më të lartë se sa objektivi prej 2% që kanë caktuar shumica dhe Rezerva Federale e Amerikës tashmë ka thënë se dëshiron të tejkalojë objektivin prej 2% në rimëkëmbje, për të kompensuar mungesat e fundit. Përvoja e fundit sugjeron se kjo mund të jetë e vështirë: normat e interesit pranë zeros e kanë bërë të vështirë që politika monetare të rrisë sërish inflacionin, edhe deri në 2%.

 

Shiko nga prapa

Mund të jetë e lehtë të shpërfillësh skeptikët ose të ashtuquajturit “profetët e shkatërrimit”, por nuk është aspak një veprim i mençur. Mësimi më i mirë që kemi nxjerrë nga viti 2020, është se problemet për të cilat shumë njerëz në botë nuk shqetësoheshin më, mund të rikthehen me një forcë të papritur dhe të tmerrshme. Dhe ata që japin alarmin sot, kanë të drejtë kur tregojnë se rrethanat e pandemisë Covid-19 nuk pasqyrojnë aspak alarmin e rremë të vitit 2009.

Disa nga eskpertët e sotëm parashikojnë një rritje ndoshta të lartë, por kalimtare, të çmimeve, ndërkohë që shpenzimet e konsumatorit kanë filluar të zgjerohen sërish. Më 3 dhjetor, Bill Dudley, i cili deri në vitin 2018 ishte nënkryetar i Komitetit të Rezervës Federale për përcaktimin e normave të interesit, i paralajmëroi lexuesit e Bloomberg se mund të jenë të nevojshme rritje të mprehta të çmimeve “për të ekuilibruar kërkesën me furnizimin në dispozicion, të cilin pandemia pa dyshim e ka zvogëluar”. Të nesërmen, David Andolfatto, një ekonomist në St Louis Fed, i paralajmëroi amerikanët që “të përgatiten për një shpërthim të përkohshëm inflacioni”.

Të tjerët paralajmërojnë për një presion inflacionist më të vazhdueshëm. Ekonomistët në bankën Morgan Stanley, parashikojnë “një ndryshim thelbësor në dinamikën e inflacionit” në Amerikë, me një rritje të inflacionit në nivelin e synuar prej 2% të Rezervës Federale, deri në gjysmën e dytë të vitit 2021 dhe duke vazhduar rritjen. Pas një recesioni tipik, një rimëkëmbje e tillë zgjat tre vjet ose më shumë. Grupi më pesimist paralajmëron se bankierët qendrorë, të vetëkënaqur ose të shpërqendruar, do të lejojnë që presione të tilla të shpërfillen, duke çuar në një dekadë inflacioni të lartë, të një niveli të krahasueshëm me vitet 1970.

Tre faktorë kryesorë konsiderohen të jenë në lojë: pasojat e masave stimuluese të marra nga qeveritë për të përballuar pandeminë; ndryshimet demografike; dhe ndryshimet në qëndrimet e politikëbërësve ndaj ekonomisë.

Marrim së pari paketat stimuluese. Monetarizmi, i cili ishte ideologjia dominuese ekonomike në vitet 1980, periudhë gjatë së cilës inflacioni u shtrydh nga ekonomitë e botës së pasur, e gjen shkakun kryesor të inflacionit tek furnizimi i tepërt me para. Mbi këtë bazë, fakti që gati një e pesta e të gjithë dollarëve ekzistues, janë krijuar këtë vit, duket qartë shqetësues.

Bilancet e bankave qendrore në Amerikë, Britani, Japoni dhe Eurozonë, janë rritur me më shumë se 20% të PBB-së së tyre të kombinuar, që nga fillimi i krizës, kryesisht me qëllimin për të blerë borxhet e qeverive. Këto para të reja janë duke paguar për programe stimuluese të mëdha, duke përfshirë subvencionet e pagave, skemat shtesë dhe përfitimet e zgjeruara të mirëqenies sociale, që vendosin para në xhepat dhe çantat e qytetarëve.

Ky krijim parash ndryshon nga shpërthimi pas krizës financiare – i cili, pavarësisht paralajmërimeve, nuk shkaktoi rritje të inflacionit. Shpërthimi i hershëm filloi gjatë një krize kredie të zgjatur. Kjo do të thoshte që paratë e reja të krijuara nga bankat qendrore po kompensonin për para që nuk po krijoheshin nga huazimi bankar.

Këtë herë nuk bëhet fjalë vetëm për “para bazë” – para fizike dhe rezerva elektronike, sasia e të cilave është nën kontrollin e bankës qendrore. Masat e “parave të gjera”, që përfshijnë bilancet bankare të familjeve, janë rritur gjithashtu. Kredia për sektorin privat është rritur ndjeshëm, pasi firmat kanë marrë hua para për të vazhduar operacionet. Pas vitit 2009, oferta e parasë gjithsej u rrit ngadalë; sot ka arritur majat.

 

Pritjet

Në sektorin privat do të vërshojnë paratë cash, ndërkohë që ekonomitë e vaksinuara rihapen. Familjet dhe kompanitë do të qëndrojnë të kujdesshme, duke ruajtur kursimet e akumuluara. Por në sajë të gëzimit të rihapjes, ato edhe mund të nisin një valë shpenzimesh, duke kompensuar për gjithë kohën që nuk kanë kaluar në teatro, restorante dhe bare, gjatë vitit 2020.

 

Në sektorin privat do të vërshojnë paratë cash, ndërkohë që ekonomitë e vaksinuara rihapen. Familjet dhe kompanitë do të qëndrojnë të kujdesshme, duke ruajtur kursimet e akumuluara. Por në sajë të gëzimit të rihapjes, ato edhe mund të nisin një valë shpenzimesh, duke kompensuar për gjithë kohën që nuk kanë kaluar në teatro, restorante dhe bare, gjatë vitit 2020. Kjo do të rezultojë në kërkesa të larta për mallra dhe shërbime që mund të mos jenë të mjaftueshme në furnizim, duke rezultuar më tej në një periudhë inflacioni që do të pushonte me rënien e fuqisë blerëse të parave të përfshira, duke i kthyer gjërat drejt status quo-së.

 

Pas katastrofës

Studiuesit nga Banka e Anglisë, që hulumtuan 800 vjet të dhëna (sigurisht jo të gjitha të plota) kanë arritur në përfundimin se inflacioni rritet zakonisht në vitin pas fillimit të një pandemie. Një dokument i fundit nga Robert Barro dhe kolegët e tij në Universitetin e Harvardit, zbuloi se pandemia e gripit e viteve 1918-2020 “i rriti normat e inflacionit të paktën përkohësisht”.

Deri në kohën kur efektet e pandemisë Covid-19 të jenë plotësisht në rënie, më shumë firma do të kenë falimentuar dhe shumë prej kompanive të mbijetuara nuk do të funksionojnë në potencialin e tyre të plotë. Gatishmëria e njerëzve për të shpenzuar, mund të zhvillohet më shpejt sesa mundësia e tyre për ta bërë këtë. Ka tashmë disa raste kur oferta nuk po arrin të kapë kërkesën. Çmimi i transportimit të një objekti nga një vend në tjetrin, është rritur javët e fundit, ndërsa çmimi i mineralit të hekurit është rritur me më shumë se 60% që nga fillimi i vitit.

Ky është rreziku për të cilin paralajmëron zoti Dudley. Sidoqoftë, në përgjithësi, investitorët nuk duken të bindur. Pritshmëritë e inflacionit që mund të rrjedhin nga çmimet në tregjet financiare kohët e fundit janë rritur paksa falë lajmeve të mira për vaksinat dhe perspektivave për një rimëkëmbje në ekonominë botërore. Por ato ende sugjerojnë që investitorët mendojnë se inflacioni i vitit të ardhshëm ka më shumë të ngjarë të jetë nën objektivin e bankave qendrore prej 2% sesa mbi të.

Lars Christensen, ekonomist danez, thekson se kjo do të thotë se ekziston një “përplasje” midis dy teorive më të njohura ekonomike në shkollën e Çikagos. Milton Friedman tha se rritja e qëndrueshme e ofertës së parave çon në inflacion; Eugene Fama argumentoi se çmimet e tregut pasqyrojnë plotësisht të gjithë informacionin në dispozicion. “Nëse besoni se do të kemi inflacion tani… hipoteza e tregjeve efikase do të duhej të ishte e gabuar”, argumenton zoti Christensen.

 

 

Shumica e ekonomistëve anojnë me tregjet dhe zotin Fama. Në përgjithësi, ata nuk mendojnë më për inflacionin si monetaristët e viteve 1980 (me të vërtetë, edhe Friedman, në fund të jetës, pranoi se bankat moderne qendrore mund të kishin shkëputur lidhjen midis ofertës së parave dhe çmimeve). Duke ndjekur “kornizën e re kejnesiane” të viteve 1990, ata besojnë se faktori kryesor i inflacionit është një kombinim i pritjeve të publikut për rritje të çmimeve, të cilat janë vetëpërmbushëse dhe shëndetit të tregut të punës. Të dy aktualisht tregojnë shenja për një inflacion të ulët.

As të dhënat e sondazhit dhe as tregjet financiare, nuk tregojnë se publiku pret një rritje dramatike të çmimeve. Dhe shumica e parashikimeve tregojnë se do të duhet pak kohë që punësimi të arrijë në nivelin e tij para pandemisë, madje edhe në ekonomitë që rimëkëmben më shpejt. Goldman Sachs, një bankë e cila ka qenë veçanërisht skeptike në lidhje me perspektivat për ekonominë amerikane, nuk pret që niveli i papunësisë të ulet nën 4% deri në vitin 2024.

Dhe ekonomia e Amerikës pritet të rimëkëmbet më shpejt se shumica e të tjerave. Papunësia relativisht e lartë – në zhargon, një “hendek i prodhimit” – do t’u japë firmave pak nxitje për të rritur pagat e punonjësve, dhe kështu nuk ka shumë nevojë për të rritur çmimet. Një “hendek i madh i parashikuar i prodhimit, duhet të shtyjë inflacionin bazë global 0,5% nën nivelet e para krizës vitin e ardhshëm”, argumentojnë ekonomistët në bankën JPMorgan Chase.

Pra, edhe nëse ka një bum shpenzimesh, do të ketë mjaft hapësirë ekonomike për ta akomoduar atë. Disa ekonomistë lidhin dy pikëpamjet, duke parashikuar se ekonomia do të rimëkëmbet me shpejtësinë e duhur, ndoshta me njëfarë inflacioni. Por për shumicën, papunësia e lartë dhe pritjet e përmbajtura të inflacionit e bëjnë parashikimin e inflacionit të ulët të vazhdueshëm, një fakt të padiskutueshëm.

Po nëse pikëpamjes së re kejnesiane i mungojnë pjesët kyçe të historisë? Në “Përmbysjen e Madhe Demografike”, botuar verën e kaluar, Charles Goodhart, ish-anëtar i komitetit të politikës monetare të Bankës së Anglisë dhe Manoj Pradhan nga Talking Heads Macro, një firmë kërkimore, ofrojnë një pikëpamje alternative të nivelit më të ulët inflacionit në dekadat e kaluara. Sipas tyre, nuk ishte rezultati i një diagnostikimi të saktë të problemit që çonte drejt politikës së duhur monetare, në duart e bankierëve qendrorë të pavarur. Përkundrazi, ajo drejtohej nga demografia globale.

Në dekadat e fundit, integrimi i Kinës, ish-vendeve komuniste të Europës Lindore dhe tregjeve të tjera në zhvillim në sistemin tregtar global, i siguruan ekonomisë botërore me miliona punëtorë të rinj. Ndërsa shefat e kishin gjithnjë e më të lehtë për të realizuar punën në Guangdong ose Bratislavë, fuqia e punëtorëve të vendeve të pasura ra dhe rritja e çmimeve për të mbuluar pagat e rritura i përkiste tashmë të shkuarës.

Kjo i përshtatet konstatimit se një pjesë e mirë e inflacionit të ulët në dekadat e fundit, ka ardhur si pasojë e çmimeve të qëndrueshme ose në rënie të mallrave, vendi i prodhimit të të cilave ka ndryshuar, dhe jo nga shërbimet që duhet të ofrohen.

 

 

Autorët argumentojnë se gjërat do të ndryshojnë. Ndërsa popullsitë në botën e pasur dhe Kinë plaken, numri i vartësve për punëtor do të rritet, duke krijuar mungesë të fuqisë punëtore. Është e vërtetë se Afrika dhe India kanë shumë të rinj. Por politika e botës së pasur mund të rrisë më tej pengesat për emigrimin e tyre. Punëtorët në botën e pasur do të fitojnë më shumë fuqi negociuese; pagat do të rriten dhe çmimet do të rriten në përputhje me rrethanat. Këto forca demografike do t’i bëjnë vendet perëndimore më të barabarta, argumentojnë zoti Goodhart dhe zoti Pradhan.

Mund të duket se këtë ide e mbështet përvoja e kohëve të fundit në Japoni, vendin e pasur me plakjen më të lartë të popullsisë. Inflacioni ka qenë prej kohësh më i ulët se kudo tjetër, me gjithë përpjekjet e mëdha nga ana e Bankës së Japonisë. Zoti Goodhart dhe Pradhan i kundërvihen këtij argumenti duke thënë se një “valvul globale shpëtimi” i ndaloi presionet inflacioniste në Japoni për të arritur shumë. Në vend që të ngecnin, investimet u zhvendosën jashtë shtetit, ndërsa firmat prodhuese japoneze shfrytëzuan fuqinë punëtore globale. Importet e lira e mbajtën inflacionin e mallrave të ulët dhe largimi i vendeve prodhuese të punës uli fuqinë negociuese të punëtorëve.

Në fakt, rritja e pagave në industritë prodhuese të Japonisë ka qenë relativisht e fortë. Për më tepër, autorët e pranojnë se popullsia e plakur e Japonisë nuk ka pasur mjaft efekt në raportin e varësisë – sepse tani po punojnë më shumë persona të moshuar. I njëjti fenomen mund të përmbajë inflacionin diku tjetër.

Argumenti i tretë për frikën e një kthimi të inflacionit është politik. Ai mbështetet në idenë se qeveritë dhe bankat qendrore po bëhen më tolerante ndaj inflacionit dhe se do të bëhen edhe më tepër pasi të bëhet e dukshme masa e presionit mbi buxhetet e qeverisë.

Në vitet 1970, presidentët dhe kryeministrat i detyronin bankierët qendrorë të vepronin sipas dëshirës së politikanëve. Inflacioni u zbut vetëm pasi Paul Volcker provoi zotësinë dhe pavarësinë e Rezervës Federale, duke e shtyrë Amerikën në recesion për të ngadalësuar rritjet e çmimeve.

Një studim i ri nga Jonathon Hazell dhe kolegët e tij në Universitetin Princeton, argumenton se “ndryshimet në besimet për regjimin monetar afatgjatë” pas Volcker-it, kanë qenë më të rëndësishme se çdo faktor tjetër në mposhtjen e inflacionit. Veprimet e tyre në dekadat e fundit kanë krijuar një pritshmëri të fortë se bankat qendrore do t’i përgjigjen mundësisë së rritjes së inflacionit mbi objektivin e tyre, me norma më të larta interesi, pavarësisht se çfarë mund të dëshirojnë politikanët dhe publiku.

Është e mundur që këto norma po dobësohen. Në vitet e fundit, tashmë ka pasur sulme më të mëdha ndaj pavarësisë së bankave qendrore, si nxitjet e presidentit Donald Trump që normat e interesit të qëndrojnë të ulëta. Dhe gjatë pandemisë, marrëdhënia midis bankave qendrore dhe Ministrive të Financave është rritur jashtëzakonisht. Pasi të mbarojë pandemia, politikanët do të përballen me problemin e borxheve të lëna pas.

Aty ku këto borxhe janë afatgjata, inflacioni do të ishte një mënyrë e dobishme për të ulur vlerën reale, duke lehtësuar barrën e buxheteve. Politikanët mund të jenë më të gatshëm të hulumtojnë një mundësi të tillë për arsye se, pas një periudhe të gjatë inflacioni të ulët, njerëzit harrojnë sa i tmerrshëm mund të jetë inflacioni i lartë, siç thotë zoti Fergusson. Një e treta e njerëzve që jetojnë aktualisht në botën e pasur nuk kishin lindur kur inflacioni mesatar tejkaloi 5%.

 

Dyshimi për të ardhmen

Angazhimi i Rezervës Federale për të lejuar qëllimisht inflacionin të kalojë nivelin 2% gjatë rimëkëmbjes, është shembulli i parë në këtë drejtim. Christine Lagarde, presidentja e Bankës Qendrore Europiane (BQE), thekson se qëllimi i mandatit të saj është të “mbështesë politikat e përgjithshme ekonomike” të BE-së, si dhe të sigurojë çmime të qëndrueshme.

Bankierët qendrorë kudo, tani pranojnë, qoftë edhe nën zë, se përveç ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, ata po përpiqen gjithashtu të mbajnë të ulëta kostot e huamarrjes afatgjatë të qeverive për të lehtësuar stimulin fiskal. Nëse presioni inflacionist do të fillojë të rritet ndërkohë që e bëjnë këtë, a do ta braktisin atë përpjekje?

Bankat qendrore, të cilat vendosin normat e huamarrjes në rrethanat aktuale, do të përballen pa dyshim me kundërshtime nga Ministritë e Financave që do të paguanin kostot e rritura dhe do të vuanin në zgjedhjet pasuese. Inflacionistët mendojnë se politikanët do të fitonin, siç duhet të ndodhë në shumë raste, sepse e kërkon Kushtetuta. Pavarësia e bankierëve qendrorë mundësohet nga politikanë të zgjedhur nga populli.

Edhe ky argument politik, ka dobësitë e tij. Pavarësia e BQE-së është e mbrojtur me traktat, dhe edhe pse ka qenë më e gatshme për stimulime në vitet e fundit, ajo ende shfaq një paragjykim armiqësor, duke toleruar pritjet e inflacionit që janë shumë poshtë objektivit. Njerëzit e moshuar votojnë me shumicë dhe kanë tendencën të mos e pëlqejnë inflacionin, argumenton Vitor Gaspar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Kjo duhet të kufizojë çdo presion politik për inflacion më të lartë në shoqëritë e plakura.

Optimistët dhe tregjet aktualisht kanë argumentin më të mirë. Por argumenti për reflacion në ekonominë botërore është më i fortë se sa ishte pas krizës financiare globale. Një rikuperim nga pandemia që është i patrazuar nga inflacioni i tepërt duket një skenar i mundshëm. Por nuk është i garantuar./Përktheu Lira Muça

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of