Guvernatori shqiptar Fullani: Ne kemi koordinuar politikat përpara krizës dhe gjatë krizës, dhe unë mendoj se është tashmë koha që të koordinojmë politikat pas QE3 (lehtësimit sasior 3)…
Teksa Rezervat Federale të Shteteve të Bashkuara përgatiten që të reduktojnë gradualisht programin e stimujve, disa tremben se kjo kthesë e politikave të Fed do të bëjë që vendet në zhvillim të përballen me një efekt domino.
Por çështja që ngrihet është: A duhet t’ia dijë Fed për këtë?
Kjo ishte në qendër të debatit në një takim të bankierëve qendrorë dhe ekonomistëve në Jackson Hole, Wyo., pak ditë më parë.
Ndërsa Fed po përpiqej që të shpëtonte ekonominë amerikane gjatë katër viteve të fundit, duke ulur normat e interesit në nivele të ulëta historike dhe duke blerë pa fre obligacione, vlera e dollarit amerikan ra, duke nxitur investitorët që të kërkojnë kthime më të larta në tregje me më shumë rrezik.
Vende në zhvillim si India, Brazili, Indonezia dhe shtetet e Europës Lindore përfituan të gjitha nga flukset e mëdha të huave në dollarë gjatë këtyre viteve.
Çmimet e pasurive të paluajtshme u rritën në Kinë, Kore dhe Tajlandë. Çmimet e aksioneve u rritën në Kinë, Meksikë dhe Rusi dhe kredia ishte më e disponueshme për huamarrësit në Brazil, Kinë, Kore dhe Turqi.
Por tashmë, teksa Fed po përgatitet që të ngadalësojë dhe ka të ngjarë që t’u japë fund politikave stimuluese, dollari amerikan ka filluar tashmë rritjen kundrejt monedhave të huaja, si p.sh. reali brazilian dhe rupee-ja indiane. Investitorët po i nxjerrin paratë nga këto vende, duke shkaktuar një valë paniku.
“Nga perspektiva e Fed, komunikimi për reduktimin e politikave nxitëse është i rëndësishëm jo vetëm për amerikanët, por gjithashtu dhe për audiencën e huaj”, tha Glenn Hubbard, dekan i “Columbia University Graduate School of Business” dhe një ish-këshilltar i presidentit George W. Bush. “Ka pasur shumë reagim në tregjet në zhvillim lidhur me atë se çfarë nënkupton Fed”.
Ja se si mund të jetë një skenar krize: Teksa monedhat e vendeve në zhvillim bien, rritet frika se huamarrësit në këto vende mund të mos jenë në gjendje që të shlyejnë huatë që kanë marrë në dollarë. Në rast se do të kishim paaftësi paguese masive, atëherë bankat vendase do të përballeshin me probleme, madje edhe mund të falimentonin.
Ndërkohë, vetëm se monedhat e tyre po bien, kjo s’do të thotë që edhe çmimet do të ndjekin të njëjtën tendencë. Në vendet që importojnë ushqime dhe naftë nga jashtë – shpesh të kuotuara në dollarë amerikanë – produktet bazë do të bëhen më të shtrenjta për një person me të ardhura mesatare.
Kjo është një recetë për trazira gjeopolitike, thotë Philippa Malmgren, presidente e “Principals Asset Management” dhe ish-këshilltare ekonomike e presidentit George W. Bush.
“Në mënyrë ironike, vendet po përballen me më shumë inflacion tani, dhe kjo është një çështje e thellë”, tha ajo. “Njerëzit në tregjet në zhvillim shpenzojnë 40% deri në 70% të të ardhurave të tyre vetëm në ushqim dhe energji. Ndërsa amerikanët mund ta përballojnë një rritje të faturave të tyre ushqimore, kjo për vendet në zhvillim është një çështje jete a vdekjeje”.
Dy studime, të paraqitura në Jackson Hole, u bënë thirrje bankierëve qendrorë që të mendojnë për pasojat ndërkombëtare të politikave të tyre të brendshme. Christine Lagarde, drejtore menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, gjithashtu mbajti një fjalim, ku bëri thirrje për më shumë bashkëpunim ndërkombëtar.
“Asnjë vend nuk është një ishull i izoluar, – tha ajo. – Në botën e sotme të ndërlidhur, efektet e përhapura nga politikat e brendshme … mund të kthehen sërish aty ku filluan. Të shikoni më gjerë efektet është në vetë interesin tuaj. Është në interesin e të gjithëve”.
Guvernatori shqiptar: Si po koordinojmë politikën monetare
Nuk është e pazakontë për ekonomitë e vogla, në zhvillim, që të koordinojnë përpjekjet e tyre për politikat monetare. Vendet nga Ballkani, rajoni i Detit të Zi dhe Azisë Qendrore, për shembull, kanë krijuar një klub të bankierëve qendrorë, ku takohen të diskutojnë se si të përafrojnë politikat e tyre.
Disa prej anëtarëve përfshijnë Turqinë, Rusinë, Republikën Çeke, Rumaninë, Shqipërinë dhe Kazakistanin.
“Ne kemi koordinuar politikat përpara krizës dhe gjatë krizës, dhe unë mendoj se është tashmë koha që të koordinojmë politikat pas QE3 (lehtësimit sasior 3)”, tha Ardian Fullani, guvernator i Bankës së Shqipërisë.
Por për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një koordinim i tillë nuk ka të ngjarë që të jetë politikisht popullor. Pas krizës financiare, Rezerva Federale ofroi linja të këmbimit të dollarit (marrëveshje midis bankave për të këmbyer monedhat) në 14 vende. Bashkëpunimi midis bankave qendrore globale ishte “në tërësi tepër i suksesshëm” në lehtësimin e tensioneve, por gjithashtu ai ngjalli zemërim te Kongresi dhe publiku i gjerë, theksoi Jean‐Pierre Landau, një ish-drejtor i FMN-së dhe Bankës Botërore, në një studim të paraqitur në Jackson Hole.
Çështja mbetet e diskutueshme për shkak se ajo është direkt në konflikt me ligjet amerikane. Kongresi ka ngarkuar Fed që të hartojë politikat e veta, duke pasur në fokus maksimizimin e vendeve amerikane të punës dhe mbajtjen e çmimeve amerikane të qëndrueshme. Ai nuk thotë asgjë, le të themi, rreth çmimeve të ushqimeve, apo pagave në Indi.
“Fed, në bazë të ligjit, është i fokusuar tërësisht në gjërat e brendshme dhe ka qenë gjithnjë kjo përplasje”, tha Alan Blinder, ekonomist në Princeton dhe zëvendëskryetar i Bordit të Rezervës Federale. “Gjithçka që na shtyn drejt një bashkëpunimi më të gjerë ndërkufitar bie në përplasje me Aktin e Rezervës Federale”,
Në rast se ka një mesazh kyç që vjen nga simpoziumi i këtij viti i Jackson Hole, ai është një përqasje e re për ta sjellë politikën monetare në një linjë me ekonominë globale. Në fakt, titulli i debatit është “Dimensioni Global i Politikave Monetare Jokonvencionale”.
“Pjesa më e madhe e bankierëve qendrorë besojnë se politika monetare është një fenomen tërësisht i brendshëm dhe bankierët qendrorë duhet të konsiderojnë vetëm të dhënat që vijnë nga vendet e tyre”, tha Malmgren. “Pyetja që shtohet është: A nuk është ky një nocion i çuditshëm i dalë mode në një ekonomi që ka një nivel të lartë globalizimi?” /CNN
IFC- ja dhe Union Bank rrisin financimin e biznesit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
Tiranë, Shqipëri, 30 gusht, 2013 — Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, ka dhënë një financim në formën e një linje krediti tregtar për Union Bank sh.a. në Shqipëri, që synon rritjen e aksesit në financim të ndërmarrjeve të vogla e të mesme të cilat ushtrojnë aktivitetin në sektorët e importit dhe eksportit.
Me linjën e re të kredisë prej 4.000.000$, Union Bank do të zgjerojë ofertën e produkteve dhe mbështetjen financiare për klientët e saj, korporata dhe biznese të vogla, të angazhuara në tregtinë ndërkombëtare, duke i ndihmuar këto firma të zgjerojnë veprimtarinë e tyre në tregje të reja dhe të krijojnë vende të reja pune. Në Shqipëri mangësitë në infrastrukturë ndikojnë në rritjen e kostos së të bërit biznes dhe pengojnë zhvillimin e tregtisë. Mbështetja nga ana e IFC-së do të sjellë financime shtesë për korporata vendase, si dhe ndërmarrje të vogla dhe të mesme në sektorët e makinerive, veshjeve, programeve kompjuterike dhe telekomunikacionit.
Gazmend Kadriu, Drejtor i Përgjithshëm i Union Bank sh.a. tha se “Antarësimi në Programin për Financime Tregtare Globale të IFC-së do të rrisë shërbimet tregtare që Union Bank është në gjendje t’ju ofrojë klientëve të vet, duke ju ofruar atyre në këtë mënyrë një përvojë bankare më të mirë. Ne jemi të kënaqur që në bashkëpunim me IFC-në, mbështesim rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke ndihmuar klientët tanë të rriten si edhe të gjejnë mundësi të reja biznesi”.
Union Bank është banka e dytë në Shqipëri që mbështet Programin për Financime Tregtare Globale si një bankë emetuese. Ky program nxit tregtinë në tregjet në zhvillim, duke ofruar garanci të pjesëshme ose të plotë për transaksione tregtare.
“IFC-ja do të ndihmojë Union Bank të ndërtojë marrëdhënie reciproke me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke mundësuar bankën të shfrytëzojë burime të reja financiare,” tha Georgina Baker, Drejtore e IFC-së për Tregtinë Globale. “Duke u bërë pjesë e Programit për Financime Tregtare Globale, Union Bank do të reduktojë kostot e transaksionit dhe do të përmirësojë qasjen në financimin e klientëve të saj në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”.
Që nga fillimi i tij në vitin 2005, Programi Global për Financat Tregtare ka lëvruar për bankat më shumë se 15,000 garanci me vlerë totale 25 miliardë dollarë, për shlyerjet e pagesave tregtare të klientëve të tyre në tregjet e reja. Në vitin financiar 2013, IFC-ja lëvroi 3.1 miliardë dollarë në mbështetje të tregtisë për vendet më të varfra të botës, dhe 80% e të gjitha garancive të saj shkoi për ndërmarrjet e vogla dhe te mesme. Programi Global për Financat Tregtare përfshin më shume se 500 banka partnere pjesëmarrëse.
Rreth IFC-së
IFC-ja, një anëtare e Grupit të Bankës Botërore, është institucioni më i madh global për zhvillim, me fokus ekskluziv në sektorin privat. Duke punuar me ndërmarrje private në më shumë se 100 vende, IFC përdor kapitalin, ekspertizën dhe influencën e saj për të ndihmuar në eliminimin e varfërisë ekstreme p\r një jetë më të mirë. Në vitin financiar 2013 investimet e IFC-së arritën nivelin më të lartë të të gjithë kohëve, prej gati 25 miliardë dollarë, duke ndihmuar në këtë mënyrë sektorin privat në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në zgjidhjen e sfidave më imediate të zhvillimit botëror. Për më shumë informacion vizitoni www.ifc.org.
Rreth Union Bank sh.a.
Union Bank ushtron aktivitetin e saj në tregun shqiptar prej më shumë se shtatë vite. Tashmë Union Bank ka zgjeruar rrjetin me 30 degë dhe agjenci në të gjithë territorin e Shqipërisë. Union Bank ka një portofol me produkte dhe shërbime të ndryshme, si për individët ashtu edhe për korporatat. Për më shumë informacion, vizitoni www.unionbank.al.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.